Pse Fred miliarderi i fshihet Prokurorisë?

Kishte deklaruar se është i hapur ndaj çdo lloj kontrolli, por deputeti socialist Alfred Peza, i vënë nën hetim për pasurinë e tij prej 1 miliard lekë, ka refuzuar të paraqitet dje në Prokurorinë e Përgjithshme. Lajmin e ka bërë të ditur Televizioni “News24” i cili për këtë çështje i është referuar burimeve nga organi i akuzës. Sipas televizionit në fjalë, Peza nuk ka dhënë asnjë arsye për mungesën e tij në ambjentet e Prokurorisë. “Deputeti socialist Alfred Peza, i cili po hetohet pas dyshimeve për fshehje pasurie dhe pastrim parash, nuk iu përgjigj fletëthirrjes së Prokurorisë së Përgjithshme, për të dhënë shpjegime lidhur me çështjen. Burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës, thanë se deputeti Peza, ishte thirrur të paraqitej këtë të martë në orën 12:00, ku do të jepte deklarimet e tij, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Për arsye të panjohura, Peza nuk mbërriti në Prokurori dhe nuk dihet ende nëse ai ka marrë ose jo dijeni për fletë-thirrjen e organit të akuzës. Prokuroria nisi hetimet ndaj Pezës për evazion fiskal, deklarim i rremë i pasurisë dhe falsifikim dokumentash menjëherë pas zbulimit të një kontrate, sipas së cilës bashkëshortja e deputetit kishte investuar shumën 1 milion dollarë për të blerë aksione në një bankë të nivelit të dytë. Në Prokurori është paraqitur më herët edhe dhe ish-bashkëshortja e Alfred Pezës, Adelina Toli, e cila ka pranuar që të bashkëpunojë me organin e akuzës për gjithçka di mbi pasurinë e deputetit”, njofton “News 24”
Alfred Peza është deputeti i Elbasanit, mbi të cilin u ngritën dyshime në lidhje me pasurinë e tij, pas blerjes së aksioneve në një prej bankave të nivelit të dytë. Shuma prej 1 milion dollarësh e vënë në një periudhë rekord nuk e justifikon tërë atë pasuri, e cila është shumë e lartë dhe për njerëz në vendet perëndimore. Nga ana e tij, Peza pretendon se pasuria e tij është vënë përgjatë kohës që ka punuar si gazetar, por nga dokumentat e bëra publike në media rezulton, se ai nuk është paguar më shumë se 80 mijë lekë të reja në muaj. Në bazë të përllogaritjeve, Peza duhet të punojë disa shekuj për të arritur atë pasuri që ai pretendon. Që prej mesit të janarit kur doli në pah kjo histori, dhe kur u vërejt transaksioni, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se do të niste hetimet për mënyrën se si Peza e ka vënë pasurinë. Në bazë të ligjit për deklarimin e pasurisë për zyrtarët e lartë, në rast se Peza nuk ka prova bindëse për mënyrën se si i ka vënë ato para, atëherë ai rrezikon mandatin e deputetit dhe në rast se shkohet më tej, pra, në rast se provohet se paratë janë vënë në mënyrë të paligjshme mund të shkohet dhe në ndjekje penale. Peza, ka qenë ndër më aktivët në mbrojtje të qeverisë së Edi Ramës, që prej kohës kur ai thirri nën armë në vitin 2013, ka shkuar deri aty sa ka deklaruar se “qeveria e Ramës është si dielli për shqiptarët”, por me sa shihet dielli paska shndrritur vetëm për Pezën dhe ata që Rama ka përreth, të cilët ja lejojnë vetes në vendin më të varfër të Evropës të venë pasuri marramendëse.

Berisha: Për të vënë atë pasuri Pezës do i duheshin 300 vjet

Ish-Kryeministri Sali Berisha një prej deputetëve më të vjetër të Kuvendit që prej 26 vjetësh, ka sqaruar në kohën kur plasi skandali, se për të kursyer 1 miliard lekë që zotëron deputeti i PS dhe ish-gazetari Alfred Peza, duhen të paktën 300 vjet. Në një status në Facebook, Berisha shkruan se Alfred Peza kur punonte tek “Ora News” merrte 800 mijë lekë apo 600 euro, dhe kjo bazohet mbi një vendim të Gjykatës. Ndryshe nga çfarë deklaroi Peza dy ditë më parë, që tha se merrte miliona lekë, një dokument nga televizioni ku ka punuar deputeti socialist tregon të kundërtën. “Si arriti Peza me 600 euro rrogë mujore të bëhet bankier miliarder?! Të dashur miq, Peza bëri be e rrufe se paratë e tij nuk janë para droge dhe trafiqesh, por vijnë nga superpaga e tij si gazetari më i paguar dhe më i adhuruar i vendit. Mirëpo, Peza harroi se për të kursyer 1 milion dollarë me pagë 600 euro në muaj, të duhen së paku 300 vjet! Kjo në rast se nga paga 600 euro kursen 250 euro në muaj apo 3000 euro në vit. Këtij kursimi vjetor prej 3000 euro në vit i duhen 300 vjet për të arritur shumën e deklaruar nga Peza prej 900.000 euro kursime. Shtoj këtu se një fat të lumtur të tillë e ka patur vetëm Edi Rama, që kishte të deklaruar në vitin 2012 gjithsej 3000 euro kursime, ndërsa sot jeton në Sarajet e Surrelit ku vetëm toka e truallit dhe e oborrit kushton 220 mijë euro. Bankier Pezën e nxjerr cullak një vendim i Gjykatës së Tiranës i dt 04.03.2010. Ky vendim provon se “super rroga” që ai pretendon se ka marrë nga “Ora News” bëhet pluhur dhe katandiset kokoshi në thelë. Sipas vendimit të Gjykatës, super rroga e të “adhuruarit” dhe më të paguarit gazetar Peza, na ishte gjithsej 80 mijë lekë, pra 600 euro rrogë mujore. Ndërkohë këtë “super rrogë”, Peza e ka gëzuar vetëm për tre vite që ka punuar tek “Ora News”, sepse para këtyre viteve kolegët e tij deputetë të PS thonë se, Peza nuk merrte super rrogë, por rrogë të zakonshme mujore. Mbi bankier Pezën rëndojnë edhe burimi i parave të blerjes së dy apartamenteve, të supozojmë se njëri është apartament në pajë si puna e pallatit në pajë të Edi Ramës, kurse apartamenti tjetër për bankier Pezën mbetet në hava! Kështu të dashur miq, duke i besuar betimit të bankierit se, paratë e tij nuk vijnë as nga pluhuri as nga malli, më duhet t’i them Alfredit se, sado të bëjë çakallin e Edvinit, varianti më i lehtë për të është kombinimi i disa veprave penale si: Deklarim i rremë, burim i padeklaruar i të ardhurave, vjedhje taksash (evazion fiskal), mosdeklarim page tek sigurimet shoqërore (pra, prapë vjedhje taksash), mashtrim ndaj Gjykatës (përçmim i Gjykatës) edhe ndonjë tjetër. Theksoj përsëri se sado që të bëjë çakallin e Ramës për t’u fshehur prapa Surrelit është i pashpresë!”, do të shprehej Berisha.

Enton DACI

Artikulli paraprakProblemi i “Fake-News”
Artikulli tjetërReformat e Ramës, BB: 50% e 15-vjeçarëve janë analfabetë