Problemi i “Fake-News”

Evgeny MOZOROV

Demokracia po përmbytet nga një oqean lajmesh false. Ky është konkluzioni sigurues në të cilin kanë arritur të gjithë ata që më 2016 kanë humbur në konsultimet popullore, nga Brexit tek presidencialet amerikane tek referendumi në Itali. Për këta njerëz problem nuk është se Titaniku i kapitalizmit demokratik po lundron në ujëra të rrezikshme, por se ka lajme false të shumta lidhur me praninë e ajsbergut në horizont. Nga këtu lindin të gjitha zgjidhjet e gabuara: ndalimi i memeve në internet, krijimi i komisionëve të ekspertëve për të kontrolluar vërtetësinë e lajmeve, gjobitja e rrjeteve sociale që përhapin falsitete.
Kriza e lajmeve false do të shënojë kolapsin e demokracisë apo është vetëm pasoja e një sëmundjeje shumë më të thellë e më strukturore? Është e qartë se ekziston një krizë, por një demokraci e pjekur duhet të investigojë nëse në qendër të kësaj krize janë vërtet lajmet false apo diçka tjetër shumë më e ndryshme. Fatkeqësisht, elitat tona nuk kanë qëllim që ta bëjnë. Narrativa e tyre lidhur me lajmet false është për vete false. Dhe një shpjegim sipërfaqësor i një problemi strukturor, të cilit refuzojnë t’ia pranojnë ekzistencën. Fakti që establishmenti ka zgjedhur të përqendrohet mbi lajmet false demonstron se deri në çfarë pike është dritëshkurtër vizioni i saj për botën.
Kërcënimi i vërtetë nuk është shfaqja e demokracisë liberale, por vazhdimi i një demokracie të papjekur. Kjo papjekuri manifestohet në dy mohime: mohimi i origjinës ekonomike të problemeve aktuale dhe mohimi i korruptimit të thellë të kompetencave profesionale. Refuzimi i parë shfaqet qartë kur fenomene si Donald Trump fillojnë e lidhen me faktorë kulturorë si racizimi apo injoranca e votuesve të tij. I dyti konsiston në mohimin që pakënaqësia e madhe e njerëzve ndaj institucioneve lind nga vetëdija e plotë e botës në të cilën operojnë dhe jo nga injoranca.
Paniku ndaj lajmeve false i ilustron më së miri këto dy mohime. Refuzimi për të pranuar se kriza e lajmeve false ka një origjinë ekonomike bën që në ndodhinë e influencave të presupozuara të hakerave rusë ndaj zgjedhjeve amerikane koka e turkut të jetë Kremlini dhe jo modeli ekonomik jo i mbështetshëm i kapitalizmit dixhital. Por asnjë ndërhyrje e jashtme nuk do të mund të prodhojë lajme virale në këtë shkallë. Lëvizjet e të çvidhosurve që jetojnë me lajmet false kanë ekzistuar gjithmonë, vetëm se në të kaluarën mungonte një infrastrukturë dixhitale e aftë që t’i bënte virale teoritë më absurde. Problemi nuk janë lajmet false, por shpejtësia me të cilat përhapen ato. Ky problem ekziston sepse kapitalizmi dixhital e bën jashtëzakonisht fitimprurës prodhimin dhe qarkullimin e lajmeve false, por joshëse. Mjafton të mendosh për Google dhe Facebook.
Inkuadrimi i krizës së lajmeve false në këtë mënyrë është mirë, por ama duhen tejkaluar dy mohimet themelore. Por kush do ta pranojë vallë që gjatë 30 viteve të fundit kanë qenë partitë politike e qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë ato që kanë mbështetur gjenitë e Silicon Valley, që kanë privatizuar telekomunikacionet dhe anashkaluar ligjet antitrust? Lloji i dytë i mohimit injoron krizën e modelit aktual të dijes të bazuar mbi specializimin. Kur qendrat studimore pranojnë në masë të mirë financime nga qeveritë e huaja, kompanitë energjetike financojnë kërkime që mohojnë ndryshimin klimaterik dhe komisarët europianë e lënë vendin e tyre të punës në Bruksel për të shkuar e punuar në Wall Street, sigurisht që nuk mund të kritikojmë qytetarët se pse nuk u besojnë “ekspertëve”.
Akoma më keq është se kur flasin për lajmet false janë mjetet e informimit, që të shtyra nga kriza janë të parat që i përhapin vetë ato. Mjafton të mendosh për “Washington Post”, një prej gazetave të pakta që sot thekson se është me bilanc pozitiv. Pasi ka akuzuar uebsajte të ndryshme se përhapin propagandë ruse, kohët e fundit “Post” ka dhënë lajmin e një sulmi informatik rus kundër një centrali elektrik amerikan. Mesa duket ky sulm nuk ka ndodhur kurrë dhe gazeta nuk ka kontaktuar as menaxhuesin e centralit për ta verifikuar lajmin e përhapur.
Në ekonominë dixhitale e vërteta është çdo gjë që tërheq vëmendjen. Të dëgjosh gazetarët të ankohen pa pranuar fajet e tyre nuk e forcon besimin e njerëzve tek ekspertët. Nuk e di nëse demokracia po mbytet vërtet në një oqean lajmesh false, por me siguri po mbytet në hipokrizinë e elitave.
Zgjidhja e vetme është të rishikohen bazat e kapitalizmit dixhital. Duhet të veprojmë në mënyrë të tillë që publiciteti online të jetë më pak qendror në jetët tona, në punën tonë dhe në mënyrën e komunikimit tonë. Njëkohësisht duhet t’u garantojmë më shumë pushtet vendimmarrës qytetarëve tanë në vend që t’u besojmë ekspertëve lehtësisht të korruptueshëm dhe kompanive të interesuara vetëm për fitimet e tyre. Kjo nënkupton të ndërtohet një botë në të cilën Facebook e Google të mos kenë gjithë këtë influencë. Është një mision i denjë për një demokraci të pjekur. Fatkeqësisht, të mbytyra nga mohimi, demokracitë aktuale preferojnë t’ua vënë fajin të gjithëve, përveç vetes.

(Autori është një sociolog ekspert i teknologjisë dhe informacionit)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakRumania dhe reforma në drejtësi
Artikulli tjetërPse Fred miliarderi i fshihet Prokurorisë?