Pse duhet të qendrojë Lulzim Basha?

Nga Everest HAXHI

Rreth 26 vite histori post-komuniste e Shqipërisë dhe gjendja e mjerueshme e shoqërisë dhe institucioneve shqiptare është ende çështje diskutimesh nga partnerët tanë strategjikë, fqinjët tanë mbështetës dhe organizatat integruese Euro-Atlantike. Forcat politike aktuale, dhe sidomos ato me histori pluraliste, deri diku, kanë dështuar të jenë promotorë të ndryshimit dhe të implementimit të reformave të domosdoshme për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza 26-vjeçare e tranzicionit pa fund. Mungesa e vizionit politik amalgamuar me korrupsionin e tejskajshëm, drejtësinë e padrejtë dhe zhbalancimin e pushteteve po e zhysin më thellë vendin në baltën e krimit, drogës dhe mjerimit.
Në këto kushte, fakte të pa mohueshme të realitetit shqiptar, reformimi i partive politike për të adresuar situatën alarmante duhej të bëhet prioritet. Situata e pa precedent e vendit kërkon zgjidhje të pa precedent, kërkon zgjidhje jo tradicionale dhe koalicione politike jo konvencionale. Marrëveshja Rama-Basha ishte hapi i parë jo tradicional në këtë drejtim dhe u tregua qartë që të dy liderët politikë luftën politike nuk e kanë tashmë me njëri-tjetrin, por e kanë me mungesën e institucioneve integruese, mungesën e një administrate të qëndrueshme apolitike, mungesën e seriozitetit me partnerët tanë strategjikë dhe korrupsionin galopant që është bërë mburojë e krimit të organizuar dhe drogës.
Të gjitha më sipër ishin kërkesat e çadrës së lirisë apo Republikës së re, të promovuar nga lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Mbështetësit e PD dhe të gjithë atyre në çadër që çdo ditë përballeshin me realitetin e hidhur shqiptar dhe me kurajë e me të drejtë protestonin për ndryshim, a kishin bërë ndonjëherë pyetjen se ikja e Ramës a do të ishte vallë alternativë fituese? Kush do të fitonte? Çfarë do të fitonin? A mos vallë problemet dhe hallet e çadruesve apo dhe të githë shoqërisë shqiptare do të zhdukeshin si me magji me ikjen e Ramës? Cili do të ishte “End game” i forcës politike që ata mbështesnin?
Kënaqësia e fitores imagjinuar si një vend pune në administratë deri sa kohë forca politike të jetë në pushtet nuk është reale. Është një makth 4-vjeçar që kur i vjen fundi është më i tmerrshëm se gëzimi i fitores! Fituesit e vërtetë do të ishin një grusht politikanësh që për hir të konjukturave politike do emëroheshin dhe fillonin vjeljen e fryteve të pushtetit pa u shqetësuar për idelet e çadrës apo të Republikës së ee. Basha dhe Rama e kanë kuptuar këtë! U desh ndërhyrja perëndimore për tua bërë akoma më të qartë!
Opozita e re do të jetë klasa politike me sistemin! Deri në konsolidimin e sistemit, konsolidimin e shtetit dhe administratës shtetërore apolitike, për hir të Shqipërisë dhe shqiptarëve duhet konsensusi mbarë politik, duhen koalicione jo tradicionale për të bërë shtet dhe shkëputur njëherë dhe përgjithmonë nga perversiteti periodik katër apo tetëvjeçar. Edi Rama në përfundim të zgjedhjeve falënderoi Lulzim Bashën që vendosi Shqipërinë mbi interesat e ngushta politike. Ky është modeli i liderit perëndimor, dhe ky duhet të jetë modeli i liderit të një force politike progresiste.
Lufta që po i bëhet sot Lulzim Bashës brenda partisë është luftë interesash të ngushta personale. Është lufta midis së vjetrës politike, që për 26 vite me rradhë dështoi për ta nxjerrë Shqipërinë nga skamja dhe mjerimi, dhe së resë progresive që ka kuptuar së fundmi, se Shqipëria dhe interesat kombëtare janë mbi PD-në dhe mbi çdo forcë politike. Së fundmi, liderët e forcave më të mëdha politike kuptuan që interesi imediat i forcave politike që përfaqësojnë nuk është tepsia, por shteti i kosoliduar, administrata, reformimi i gjyqësorit dhe balanca e drejtë e pushteteve. Për këtë, ata janë të gatshëm të dalin nga kornizat partiake dhe të ofrojnë zgjidhje reale.
Të gjithë kundërshtarët e Bashës flasin, që Basha shkatërroi PD-në, shkatërroi partinë që ata deri tani e mbanin gjoja me thonj. Shumë flasin me një gjuhë vulgare, që nuk tregon tjetër veçse mungesë alternative nga ana e tyre. Deri tani askush nuk ka folur se çfarë do të bëjë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por me fraza shabllone dhe të thata pretendojnë se do të udhëheqin partinë për të implementuar idealet e Dhjetorit. Cilat janë idealet e Dhjetorit? Shqipëria apo Partia? Çfarë bënë këta Dhjetoristë sa herë PD ka dalë në opozitë dhe mijëra mbështetës janë hedhur rrugëve të papërfaqësuar dhe me pasigurinë e jetës së tyre dhe familjeve të tyre? Çfarë bënë këta baballarë dhe nëna të PD-së kur imponuan, ju lutën dhe mbështetën zotin Basha të merrte drejtimin e PD-së dhe mbështetësit e alternativës Olldashi u shpallën armiq brenda partisë dhe u zhveshën nga të gjitha funksionet organizative?
Zoti Basha duhet të vazhdojë të drejtojë Partinë Demokratike. Humbja e thellë e kësaj partie nuk është vetëm përgjegjësi e tij. Përgjegjësia është te 26 vjet tranzicion pa fund, dhe strukturë partiake e centralizuar dhe me funksionarë pa vizion dhe pa ide. Funksionarë që kënaqeshin vetëm me lidershipin autoritar të liderit dhe nuk guxonin dhe as merrnin mundimin të ofronin ide të reja drejtimi në parti. Përgjegjësia është te ish-ministrat e pasur të PD-së që pensionin e tyre dhe të fëmijëve të tyre e kanë siguruar, duke luajtur me militantët e thjeshtë. Përgjegjësia është te gjithë drejtorët e drejtorive që vodhën 8 vjet me rradhë gjatë qeverisjes së PD dhe që tani janë rreshtuar të gjithë në listën anti-Basha. Përgjegjësia është te ata që e duan partinë vetëm për të përmbushur një ambicje të munguar politike, pa dalë në planin e shtetit dhe të ardhmërisë së Shqipërisë. Lulzim Basha me vendosjen e Shqipërisë mbi interesat partiake tregoi që po tenton të formatohet jo vetëm si politikan, por edhe si burrë shteti. Ky është modeli që i mungon Shqipërisë!

Artikulli paraprakPse e vonoi Rama blerjen e energjisë?
Artikulli tjetërLufta brenda llojit, simptomë e Inteligjencës Negative