Lufta brenda llojit, simptomë e Inteligjencës Negative

Alfons GRISHAJ

Çdonjeri ka në vetvete egon dhe superegon… Sipas Frojdit, superego zë një vend më të madh në trurin e njeriut. Ajo kultivon tek njeriu gamën e sjelljes dhe veprimeve në mënyrë direkte dhe indirekte. Mekanizmi i mbrojtjes neurozë vjen si pasojë e egos…Tek disa politikanë dhe udhëheqës organizatash, kjo është dhe dukuria e sjelljes së egër dhe konfuze. Përkufizimi i shkarjes logjike intelektuale ka në themel Inteligjencën Negative, dukuri kjo e diktatorëve si Enver Hoxha, Hitleri, Stalini etj…
Po politikanët tanë, a mund ta kenë Inteligjencën Negative?! Sipas sjelljes dhe shkapërcimeve ka një përputhje dramatike. Për këtë, shembulli i fundit në kampin e demokratëve ka hequr çdo pikë dyshimi… Inteligjenca Negative është e pranishme sa në kampin e socialistëve, aq dhe në kampin e demokratëve. Kjo dallohet përmes figurave të veçuara që nuk e kanë për asgjë të shkrumbojnë çdo gjë të arritur, mjafton të kënaqin egoizmin e tyre të sëmurë. Ata i japin gjithnjë të drejtë vetes (e kam theksuar dhe më parë), kolegut apo kundërshtarit, asnjëherë! Sigurisht, këto karaktere nuk janë të nivelit të Stalinit apo Enverit, por kanë të njëjtën sëmundje. Partia Demokratike shqiptare, humbi të paktën 15 deputetë prej kësaj psikoze. Arsyeja e dytë është se, PD nuk pati plan A dhe B, para se të shkonin tek kutitë e votimit…! Masa e demokratëve ka kohë që është shkëputur prej lidershipit … dhe, demokratët, o abstenojnë, ose hedhin turra – jazë herë tek LSI e herë tek PS…! Këtu nuk është faji i Lulzim Bashës, por i një klani të deformur nga kolltukët, të cilët pa frikë mund t’i quajmë, Inteligjenca Negative. Kjo “Inteligjencë” gjeti boshllëkun e duhur, duke u shfaqur me gjithë vrullin e saj. Personazhe që ishin përgjegjës direkt dhe indirekt për humbjen e mësipërme, fërkuan duart me një pamje histeriko-skizofrenike… Sedra e katedrave dhe mukoza e rremë u shqyen keq. Ligësia autoritare rrëshkiti në dekadencën ordinere me një shpejtësi marramendëse. Grafia e popullit kaloi në revistë çdo kockë dhe ind të fshehtësisë së gjallesave që i brohorisnin më parë. Ishte një zhgënjim i madh dhe këtë zhgënjim, populli e tregoi përmes votës. Pati dhe blerje votash… Por, çdo qytetar apo fshatar i shekullit XXI mund të pyesë fare thjeshtë: “More zonja dhe zotërinj, kur ju nuk merreni vesh me njëri-tjetrin që keni vite së bashku, si mund të merremi vesh bashkë, kur na bie të takohemi një herë në katër vjet?!”
Kurse vëzhguesi i paanshëm, do pyeste: “Kush është më e rëndësisshme, një penë që qëndis për të ardhmen apo një shpatë që e pret atë?!” Jam i sigurtë që, duke mos njohur metamorfozën, pyetjet bien në vesh të shurdhër. Lufta brenda llojit, do të thoja, është lufta më e paprinciptë, e cila nuk ka derte, nuk ka keqardhje, nuk ka horizont, nuk ka shpirt, por ka vetëm një qëllim: shkatërrimin me çdo kusht të kundërshtarit, vëllaut, bashkëpuntorit, dhe pse ky qëllim sjell vetëshkatërrim! Pra, ky është kulmi i Inteligjencës Negative, që nuk sjell asnjë lloj progresi, vetëm dekompozim! Thirrja për maturi e mikut tim, Kreshnik Çollaku, është një paralajmërim për klithësit e “revulucionit” të brendshëm. Po a nuk ishin këto njerëz (që klithin sot për një luftë brenda llojit) që lëshuan pak e nga pak terrenin që të vinin në pushtet të majtët?! Para se t’i kërkojnë llogari Lulzim Bashës, t’i kërkojnë llogari vetes që e qelbën me punërat e tyre të mbrapshta dhe fodullëkun primitiv. Jam dakord me gjykimin e shtruar, të miku tim, Genc Pollo, i cili thotë se duhet një analizë serioze… Kjo është mençuria intelektuale dhe jo boritë …
Sa për ilustrim, në retrospektivë: Para disa vitesh, kisha për shpirtë një mision të shenjtë për tek  Kisha e Shna Ndout, Laç …, por kisha dhe një kërkesë nga disa demokratë. Vendosa të udhëtoj për në atdhe për misionin e shenjtë, por dhe për të paqëtuar heronjtë e demokracisë me shpërdoruesit e pushtetit demokratik… Si udhëheqës i “Unionit Anti-Komunist Shqiptar”, ndjenja e përgjegjësisë morale dhe shpirtërore më thërriste që në ato momente udhëkryqi të isha pranë heronjve realë. Luftëtarëve të lirisë, u kishte ardhur në majë të hundës; mohimi, padrejtësitë, papunësia që klani i “revolucionit” të sotëm kish shkarkuar mbi të gjithë demokratët, në të gjithë vendin. Vendosëm që të mblidheshim në Shkodër, në Kinema “Republika”. Fatmirësisht ndodhi që dita që kishim lënë takimin të korrespondonte me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, porosita që në sfondin e tribunës të vendosej urimi për Pavarësinë e Kosovës, dhe jo baneri i Unionit Anti-komunist. Fjalimi im u hap për Kosovën (dhe jo për hallet e anti-komunistëve), duke uruar për fitoren e madhe… Më pas vazhduam me procedurat e takimit tonë. Përfaqësues nga e gjithë Shqipëria sollën pakënaqësitë për disa drejtues të PD-së, të cilët po vrisnin demokracinë dhe heroizmin e demokratëve të vërtetë… Salla e Kinema “Republikës”, numëronte rreth 200 përfaqësues të Unionit, dhe të ftuar. (Takimin tonë e ndiqnin përfaqësitë nga KE dhe OSCE…) Dhe pse të zemëruar deri në kockë, u mundova t’i qetësoja, duke i këshilluar që të zgjidhej një përfaqësi për të negociuar me vëllezërit dhe motrat demokratë që kishin pushtetin. Pjesëmarrësit në atë takim ishin shumica, heronj të lirisë që nga fillimet e para dhe pjesëmarrës të 14 Shtatorit… Ata nuk e kishin për asgjë të rrëzonin një qeveri, por kë do rrëzonin, vetveten?! Më premtuan se do e zgjidhnin përfaqësinë ose do të heshtnin, duke shpresuar në njohjen dhe respektimin e kontributeve të tyre… Televizionet lokale dhe  ALSAT i Tiranës, i bënë jehonë atij takimi. Fotografja demokrate Vjollca Tafili, duhet të ketë ekzemplarë fotosh nga ai takim…
Pra, kishim një gjendje të dukshme të shkëputjes së lidershipit nga baza e demokratëve të vërtetë. Vendin e tyre e kishin zënë klientët që vinin nga rradhët e kundërshtarëve. Fajin për këtë nuk e kish Lulzim Basha, se ai as që mendohej se mund të bëhej kryetar asokohe, por arrogantët që e shpërdoruan besimin e demokratëve në vite, duke bërë që akumulimi i të keqes të humbite shpirtin dhe fuqinë e palcës së demokracisë shqiptare, bazën!
Populli vuante dhe po vuan për bukën e gojës, duke marrë rrugët e mërgimit, bash prej këtyre politikanëve të babëzitur që njohin vetëm të drejtën e egos absolute të vetvetes dhe asnjëherë detyrën për çfarë janë zgjedhur. Mendoj se, përpara se të luftojmë me njëri-tjetrin duhet t’i thërrasim ndërgjegjes për t’u larguar nga epitetet e “hekurta” që prangosin mirëkuptimin dhe zhvillimin e demokracisë së brendshme në dëm të rregullave të lirisë dhe besimit të elektoratit. Nuk duhet fajësuar komshiu apo oponenti, por paaftësia personale dhe kolektive për të dalë nga qendrimi i gabuar! Lëreni Bashën të punojë …!!!
Kandidimi i Selamit përballë Bashës, është një kërkesë e rregullave demokratike dhe duhet respektuar. Eshtë koha që “sedërlinjtë” të ulin hundën dhe të punojnë së bashku sa nuk është vonë! Shtëpinë e demokratëve nuk e ndërtuan “sedërlinjtë” e as kritikët e “sedërlinjve”, as demokratët parazitë (që bëjnë rolin e heroit), që sulmojnë Jozefinën sot, por heronjtë e vërtetë…Mjaft me falsitet e hipokrizi! Punoni së bashku, askush nuk është i tepërt!

Randolf thotë: Justice is never given; it is exacted and the struggle must be continuous for freedom is never final fact, but continuing evolving process to higher and higher levels of human, social, economic, political and religious relationship.

Artikulli paraprakPse duhet të qendrojë Lulzim Basha?
Artikulli tjetërZjarri shkrumbon fabrikën e riciklimit në Tiranë