PS çorientohet nga skandali “Xhafaj”, Rama urdhëron deputetët e tij të mos hyjnë në sallën e mbledhjeve

Opozita ka protestuar edhe në Komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, të tretin për sot, ku kanë kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas publikimit të video-përgjimeve të vëllait të ministrit të Brendshëm.
Deputetë e PS janë urdhëruar nga Rama të mos hyjnë fare në sallën e mbledhjeve, për të mos e dëgjuar protestën e opozitës. Kështu ka ndodhur gjatë ditës së sotme ku deputetët e PS-së kanë vendosur të braktisin komisionin e Arsimit dhe Medias. Asnjë prej deputetëve të mazhorancës nuk është i pranishëm në këtë komision.
Edhe në Komisionin e Shëndetësisë, ata pak deputetë të mazhorancës që ishin të pranishëm më shumë kanë qëndruar në heshtje duke dëgjuar akuzat e bëra ndaj qeverisë Rama prej kolegëve të tyre të opozitës.
Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi deklaroi se vetëm zonja Milva Ikonomi ka njoftuar se është sëmurë, kurse kolegët e tjerë ishin nëpër korridore dhe nuk kishin hyrë në mbledhje “sepse kanë marrë urdhër nga shefi i tyre të mos paraqiten”, siç u shpreh Vokshi.
Mungesa e deputetëve të mazhorancës është konsideruar nga deputeti Luçiano Boçi si “kapitullim”. Ai theksoi se pavarësish se mazhoranca nuk ishte e pranishme, ata si komision duhej të angazhoheshin në mbrojtje të gazetarëve investigativë.
Më herët gjatë ditës, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe duke mos e mbajtur dot presionin e shtuar vendosi të mbyllë punimet e këtij komisioni.
E njëjta gjë ndodhi edhe ditën e djeshme.

Artikulli paraprakBirra me probiotikë, një alternativë më e shëndetshme
Artikulli tjetërPërse përdoruesit e internetit duhet të mësojnë fjalën “blockchain”