Provat e vjedhjes masive nga OSHEE me faturat e energjisë

OSHEE vazhdon të vjedhë qytetarët me mbifaturimet e energjisë elektrike. Denoncimet e qytetarëve janë të përditshme, por askush në zyrat e OSHEE nuk do t’ia dijë. Një qytetare, Juela Sulka, i është drejtuar dje portalit “Thurje”, duke publikuar edhe një fotografi ku duket qartë vjedhja që i është bërë nga OSHEE me mbifaturimet e energjisë elektrike.
Ajo shprehet se, në shtëpi nuk banon askush prej disa muajsh, ndërsa faturat vijnë të kripura. “Iku CEZ-i po zakoni mbeti. Shikoni si mbifaturon OSHEE-ja. Dhe e bën sistematikisht çdo muaj. Të mendosh që tek kjo familje s’banon askush, ka muaj. Por fatura vazhdon dhe vjen me lexime të fantazuara të sahatit. Sahati thotë 8316 sot, ndërsa në faturë shkruan 8733 (që të mendosh, faturisti e ka parë 2 javë më parë…). Kështu, kur i dëgjon në TV që flasin për reforma e tërci-vërci thua t’i kanë bërë namin. Po realiteti është që janë po ata, vetëm emrin kanë ndryshuar. Dritat ikin e vijnë njëlloj, mbifaturimet vazhdojnë njëlloj, se çfarë kanë rregulluar këto reforma, një zot e di”, shprehet qytetarja.
Përditë qytetarë të shumtë i drejtohen zyrave të OSHEE për mbifaturimet e energjisë, por askush nuk i jep zgjidhje këtij fenomeni që po rrjep qytetarët për të mbushur arkën e OSHEE. Një banor në Kombinat u shpreh se ka tre muaj që i vijnë faturat nga 180 mijë lekë në muaj ndonëse nuk harxhon energji më shumë se 48 mijë lekë të vjetra në muaj. Ai tregon edhe librezën e dritave, ku në muajin janar fatura i ka ardhur 48 mijë 990 mijë lekë, ndërsa në muajin shkurt 183 mijë e 400 lekë të vjetra. Kryefamiljari thotë se është ankuar në zyrat e OSHEE disa herë, por askush nuk i ka dhënë zgjidhje problemit, ndonëse i kanë thënë se ka të drejtë.
Vjedha e qytetarëve me energjinë elektrike nga OSHEE nuk bëhet vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Qindra banorë të Elbasanit ankohen për faturat e energjisë elektrike. Faturat e energjisë elektrike për disa banorë janë shumë të frikshme dhe ky fakt i ka revoltuar banorët e Elbasanit. Eshtë shumë i lartë numri i atyre që kanë ngritur ankesat pranë zyrave të OSHEE, por askush nuk përgjigjet për dyfishimin e vlerës së faturuar.
Mbifaturimi i energjisë elektrike në dëm të qytetareve vijon të jetë një problem shqetësues edhe në qytetin e Shkodrës. Një problem, që akoma nuk po merr një zgjidhje, pavarësisht ankesave të shumta të qytetarëve. Rradhë të gjata paraqiten pranë sporteleve të OSHEE-së, ku qytetarët kërkojnë të mos kenë mbifaturime të energjisë dhe të ketë kontrolle të rregullta nga punonjësit e OSHEE-së. Qytetarët bëjnë apel që një situatë e tillë të marrë fund njëherë e mirë dhe faturat e energjisë t’i paguajnë për aq sa harxhojnë dhe jo aq sa shkruajnë punonjësit e OSHEE-së, pasi shuma të tilla nuk janë në gjendje t’i paguajnë.
Edhe qytetarët e Lezhës ankohen se OSHEE bën vjedhje me faturat e energjisë elektrike. Qytetarët deklarojnë se ka mbifaturime deri në 897 kw një familje. Familjet e tjera kanë mbifaturime të përsëritura nga janari, shkurti, marsi dhe përsëri edhe në prill. Me gjithë revoltën e qytetarëve, askush nga zyrtarët e OSHEE nuk u jep zgjidhje për mbifaturimet e energjisë elektrike.

OSHEE pranon skandalin por nuk jep zgjidhje

OSHEE ka pranuar se, gjatë vitit 2016 ka patur rreth 1200 ankesa të qytetarëve për mbifaturime të energjisë elektrike, por ata nuk janë dëmshpërblyer për vjedhjen që u është bërë. Mbifaturimi, faturat aforfe dhe energjia e matur jashtë kushteve teknike, kanë zënë pjesën më të madhe të ankesave që iu drejtuan Entit Rregullator të Energjisë gjatë vitit 2016, nga konsumatorët e energjisë. Në një raportim të posaçëm për Kuvendin, Enti Rregullator i Energjisë bëri me dije se gjatë periudhës janar-dhjetor 2016, ka patur 1957 ankesa.
Për të gjitha ankesat e qytetarëve, ERE ka kërkuar nga shoqëria OSHEE, verifikimin e praktikave dhe procedurave lidhur me faturimet e kryera së bashku me korrigjimet përkatëse që duhen realizuar në zbatim të afateve të përcaktuara për trajtimin e ankesave, por faktikisht ato nuk janë bërë.
Ankesat e paraqitura në ERE me objekt “faturimin aforfe” të energjisë elektrike kanë zënë një vend të rëndësishëm edhe gjatë vitit 2016. Janë paraqitur rreth 1045 raste. Problematike vazhdojnë të mbeten faturimet aforfe të energjisë elektrike për periudhën 214-2015, ku qytetarët ende nuk janë dëmshpërblyer për vjedhjen që u është bërë me mbifaturimet.

Vjedhje edhe me faturimin fiktiv

Gjatë vitit 2016 janë konstatuar në total rreth 275 ankesa lidhur me kontratat fiktive dhe faturimet fiktive. Nga këto, 43 ankesa janë për faturim fiktiv ose 8% e totalit të ankesave dhe 32 ankesa për kontrata fiktive ose 5% e totalit, të ankesave që klientët e energjisë elektrike kanë bërë ndaj shoqërisë OSHEE sh.a. Këto ankesa lidhen kryesisht me kontrata të furnizimit me energji elektrike të dubluara me kontratat origjinale të klientëve, me kontrata të hapura në mënyrë të njëanshme pa marrëveshje mes palëve, kontrata provizore të hapura gjatë viteve të mëparshme, faturime fiktive për kontrata, të cilat janë të shkëputura nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike ose për objekte, të cilat nuk ekzistojnë më, apo nuk kanë ekzistuar asnjëherë.
Problemet kryesore lidhur me kontratat dhe faturimin fiktiv vijnë nga zonat me ndërtime informale, objektet e të cilave kanë qenë ose janë në proces legalizimi nga ana e ALUIZNI-t. Ankesa “të ndryshme”. Në grupin e ankesave të klasifikuara “të ndryshme” janë futur ankesat me objekt: refuzimin e së drejtës për lidhje të re në sistemin e shpërndarjes; ankesat për kreditim të pagesave të energjisë elektrike; ndryshim tarifimi; kolaudim matësi etj. Në grupin e ankesave të ndryshme konstatohen rreth 102 ankesa, të cilat zënë 11% të totalit të ankesave.

R.POLISI

Artikulli paraprakBanorët e Vërrisë, 6 pyetje Ramës për impiantin e plehrave
Artikulli tjetërRama, veprime prej të dëshpëruari dhe në panik