Rama, veprime prej të dëshpëruari dhe në panik

Partia Demokratike, deklaroi mbrëmë se protesta e nesërme me bllokimin e akseve nacionale nga lëvizja popullore do të jetë paqësore ashtu siç është në traditën e kësaj partie dhe siç po ndodh prej 64 ditësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Deklarata e PD vjen pas panikut që ka kapur Ramën për një largim me forcën e popullit nga Kryeministria. Prej 48 orësh Rama e shfaq këtë panik në takimet publike që zhvillon duke deklaruar se PD po kërkon të na kthejë në vitin 1997.
Në deklaratë thuhet se, PD nuk ka nevojë për dhunë dhe as nuk përfshihet në dhunë, pasi ajo ndjehet e fuqishme në kauzën e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas saj, referencat e Edi Ramës, me vitin 1997 janë ato të një njeriu të dëshpëruar që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më justifikim veç ndjelljes së frikës tek njerëzit.
“Partia Demokratike dhe opozita kanë 64 ditë që protestojnë, pasi mbajtën një nga mitingjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Të gjitha veprimet e saj kanë qenë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë që ka dëshmuar shoqëria shqiptare. Nuk ka patur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike. Partia Demokratike nuk ka nevojë për dhunë dhe nuk do të përfshihet kurrë në dhunë. Kauza e lirisë dhe e demokracisë është kauza më e fuqishme në botë dhe ne ndjehemi të fuqishëm në të drejtën tonë.
Edi Rama duhet të mësohet me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur mosbindjen e tyre civile. Referencat e Edi Ramës ndaj 1997-ës janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më asnjë justifikim për të qëndruar në pushtet, veç ngjalljes së frikës tek njerëzit. Frymëzuesit dhe drejtuesit politikë të 1997-ës Edi Rama i ka në krye të PS-së dhe në Kuvend bashkë me bandat e ‘97-ës që po i liron një nga një nga burgu për të ruajtur me ta pushtetin e tij të kriminalizuar.
Protesta e opozitës do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, ne do të vazhdojmë qëndresën tonë qytetare me çdo mjet demokratik derisa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Artikulli paraprakProvat e vjedhjes masive nga OSHEE me faturat e energjisë
Artikulli tjetërFatmir Xhafa nuk mund të fshihet