Propaganda e qiejve 

Stiliano Rushaj

KM Rama u rrek para disa ditësh në aeroportin e Kukësit, sigurisht dhe kësaj rradhe duke përdorur ✈︎ jet-in e tij privat “Ismaili” për një event si ai i mbërritjes së Wizz Air në skajin verior të vendit. Nuk i ndali etiketimet e shqiptarëve që emigrojnë jashtë, si “çunat e Londrës” apo të tjera si këto, duke bërë rolin si të ishte oficer marketingu për kompaninë ajrore low-cost, me premtimet për çmime të ulta. Rama tha se tashmë ishte hequr taksa e kufirit dhe si për pasojë ishin ulur çmimet. Në fjalët përshëndetëse nuk u zbulua asgjë mbi arsyet se si ishte negociuar me Wizz Air për të hapur disa destinacione të reja nga Kukësi dhe as pritshmëritë ekonomike apo numri parashikuar i pasagjerëve që do të përdornin këto linja. E as më pak nuk u justifikua arsye se këto 4 linja të reja që do të nisin nga Kukësi janë në fakt të disponueshme si nga Tirana dhe Prishtina, që largësia respektive e Kukësit nuk i kalon më shumë se 120 km. Asgjë nuk u tha se këto 4 linja me frekuenca dy herë në javë do të sillnin rreth 8 rrugë kthyese në javë dhe përgjatë stinës së verës nëse do të vijojnë të gjitha nuk do të na sjellin më shumë se 30-40mijë ulëse pasagjerësh të disponueshëm, ose ndryshe vetëm 1% e sasisë që Wizz Air do të ofrojë vetëm nga Rinasi.
Aeroporti i Kukësit u inaguruar rreth 10 muaj më parë, me një pompozitet të KM Rama, si një instrument të propagandës së tij gjatë fushatës zgjedhore. Sigurisht ai nuk siguroi mandatin e tretë nga xhiroja e një grupi “çunash të Londrës”, por nga një ushtri patronazhistësh dhe flukse monetare prej dhjetra e ndoshta edhe qindra miliona euro. Vetë aeroporti ka kushtuar, 40 milion euro, për një pistë që u zgjeruar me 0.5km për të arritur 2,2 km e gjatë, një gjërësi deri në 30 metra, dhe një terminali 3,500 m2. Pas zgjedhjeve aeroportin e vizitoi për pak fluturime Helvetic në linjën e Zyrihut me frekuencë 2-3 herë në javë por me një rentabilitet mjaft të ulët, mesatarisht nën 30% të kapacitet ulësve. Poashtu ishin dhe fluturimet me Air Albania, me frekuenca të ulta për në Zyrih dhe Stamboll të cilat ndaluan së operuari më shpejt se sa fundi i sezonit veror të aviacionit që përfundon në fund të tetorit. Askush nuk dinte arsyet e kësaj ndërpreje. A mos ishin vallë vetëm ekonomike?

Në dukje investimi prej 40 milion euro në aeroportin e Kukësit është disi i arsyeshëm, duke marrë parasysh se ishte pjesërisht ndërtim i ri, me terminalin, pasi pjesa më e madhe e investimit ishte rehabilitim me pistën e zgjeruar, instrumentat e ndryshëm, radarët dhe kullën funksionale të vrojtimin.

Por në fakt shumë pak e dinë se ky aeroport është ⛱vetëm për verë. Kjo nuk është për arsyen se gjatë sezonit të verës do të ketë flukse pasagjerësh, por se në fakt aeroporti i Kukësit nuk mund të jetë operacional të 365 ditët e vitit dhe poashtu jo përgjatë gjithë 24 orarësiht. Mjafton ti referohesh seksionit përshkrues të Albcontrol.al* mbi informacione rreth aerdromit të Kukësit dhe së paku janë tre të dhëna që e vërtetojnë këtë fakt.

Së pari në aeroportin e Kukësit nuk janë të instaluara instrumentat e navigimit ajror ILS** dhe ka shumë pak instrumnta të tjera ndihmëse. Kjo nënkupton se avionët nuk mund ta përdorin pistën në kushte atmosferike të vështira❄⛈me rrjeshje të dendura, stuhi, etj, tipike përgjatë muajve të dimrit, por vetëm në kushte më të favorshme. Me pak fjalë aeroport vetëm për verë.🌡

‼ Së dyti, po në të njëjtin burim, një mangësi e rradhës është se “trafiku i lejuar në aeroport” IFR/VFR vetëm gjatë ditës, që nënkupton se instrumentat ndihmës për ulje dhe ngritje në pistë janë vetëm të kufizuara  gjatë ditës me plot diell.

‼ Së treti, pista e aeroportit është e papërshtashme të përdoret kur kushtet atmosferike janë me reshje të dendura dëbore dhe ngrica. Poashtu aeroporti nuk mund të përdoret si aeroport alternativ në rast emergjencash, pasi nuk ekzistojnë mjete të tilla në terren.

Nuk është çudi që gjithë kjo tymnajë e Ramës është vijim i propagandës së tij që tashmë ka kapur qiejtë. E siç e thotë një komentator i aviacionit në një shkrim*** pak ditë më parë se “dukshëm qëllimet për ndërtimin dhe operimit e një aeroportit të tillë kanë qënë thellësisht për arsye politike e aspak prej nevojave komerciale”.

 

Artikulli paraprakNdahet nga jeta në moshën 83-vjeçare eurodeputeti dhe miku i Shqipërisë, Eduard Kukan
Artikulli tjetërJorida Tabaku: Sot PD s’ka ardhur për të votuar ndryshimin se thotë PS, por kërkesë e OMN-së