Profesionistët refuzojnë tatimin! Dërgojnë padi të re në Gjykatën kushtetuese: Ligji nuk na njeh shpenzimet

Profesionistëve të lirë u ka mbërritur njoftimi nga Tatimet për parapagimin e këstit të tatim fitimit.

Këstet e parapagimit kanë arritur në shuma relativisht të larta për bizneset, krahasimisht me xhirot e tyre. Në këto kushte për 9 muaj shumica e profesionistëve të lirë do të detyrohen të paguajnë nga 4 deri në 12 milion lek të vjetra.

Sipas kryetarit të shoqatës së audituesve dhe njërit prej paditësve të ligjit në gjykatë kushtetuese, norma tatimore nuk zbaton direktivat e ligjit duke zbritur 30% të shpenzimeve, por taton gati 95% të xhiros vjetore të profesionistëve.

“Vitin e kaluar shumë profesionistë të lirë duke qenë se kanë qenë nënë regjimin e tatimit zero nuk janë kujdesur shumë për të deklaruar xhirot dhe në këtë mënyrë fitimi i tyre del shumë i lartë. Organi tatimor e ka marrë të gjithën këtë xhiro gati 95% të qarkullimit dhe e taton duke bërë që kësti të jetë shumë I lartë, ndërkohë vetë ligji i ri i miratuar thotë se automatikisht organet tatimore duhet t’i njohin 30% një profesionistit të lirë si shpenzime”.

Nisma për tatimin e gati 30 mijë profesionistëve të lirë lindi me argumentin për të luftuar evazionin fiskal në sektor, por mund të sjellë mbyllje NIPT-esh dhe falimentime sipas kontabilistëve.

“Evazion tatimor bëhet nga të gjithë bizneset që duan të abuzojnë me ligjin, por organet tatimore i kanë të gjitha mundësitë për t’i kontrolluar dhe ndëshkuar, pse duhet të dënohemi kolektivisht. Në këto kushte me një normë tatimore që shkon deri në 70% shumë profesionistë do të mbyllin aktivitetin e tyre sepse edhe risqet e biznesit janë shumë të larta dhe do përpiqen të punësohen diku me rrogë”.

Në Gjykatë Kushtetuese janë tre padi të ndryshme për shfuqizimin e ligjit, së fundmi e depozituar është ajo nga një kompani avokatie, e cila ka mbledhur firmat e 358 profesionistëve të lirë në një peticion, të cilët e konsiderojnë anti-kushtetuese dhe shkelje të garancive në marrëveshjet ndërkombëtare.

Artikulli paraprakTakimi në selinë e OKB/ Guterres i përsërit kërkesën Vuçiçit: Dorëzo terroristët e Banjskës!
Artikulli tjetërNdarja e re politike, pro SPAK ose kundër tij