Ndarja e re politike, pro SPAK ose kundër tij

Nga Ervis Iljazaj

Nuk ka dyshim se SPAK është ndoshta institucioni më i përfolur në muajt e fundit në mediat shqiptare. Nuk ka emision televiziv apo media e shkruar që më së paku të merret njëherë në ditë me lajmet që vijnë prej tij. Madje, sot në Shqipëri nuk besohet se ka ndonjë qytetar që nuk ka dëgjuar më së paku njëherë për këtë emër.

Duke filluar nga ata që i intereson politika e deri te ata që janë më pak të interesuar. Madje me SPAK kanë filluar të bëhen dhe batuta gazetareske apo politike. Të gjithë e përmendin si një institucion të cilin tashmë nuk e shmang dot nga debatet publike.
Më të drejtë, pasi të vetmet lajme politike që janë prodhuar kohët e fundit, janë lajme që vijnë nga SPAK. Ky institucion i drejtësisë që është formuar për të hetuar korrupsionin në nivele të larta të politikës, tashmë është kthyer në një faktor kyç në mekanizmat që lëvizin pushtetin në Shqipëri.

Jo për faktin se është pjesë e pushtetit politik, por sepse natyrshëm me hetimet e tij ndaj politikanëve sigurisht që e ndikon atë. Dhe këtë vëmendje publike dhe mediatike SPAK e ka fituar me meritë. Sepse si asnjëherë më parë një numër kaq i madh pushtetarësh të niveleve të larta nuk kanë qenë nën akuza apo edhe të dënuar për korrupsion.

Ky realitet i ri ka bërë që dikotomia e re politike në Shqipëri të jetë por SPAK ose kundër tij. Sot politika shqiptare nuk ndahet më midis të majtës dhe të djathtës, por ata që mbështesin SPAK dhe ata që e sulmojnë atë. Jo më kot, pro SPAK ka politikanë nga të dyja krahët, si nga opozita ashtu edhe pozita. Ashtu sikurse nga ata që e kritikojnë nga të dyja krahët. Sepse problem më i madh i shumicës së politikës sot është pikërisht rënia në rrjetën e drejtësisë. E për këtë arsye gjuha kundër tij sa vjen e bëhet më e ashpër.

Sot mbështetja ndaj SPAK ose jo mund të konsiderohet edhe si një platformë politike ku palët do ta përdorin në fushatën elektorale në zgjedhjet e ardhshme. E vërteta është se politika shqiptare ka kohë që nuk ka një ndarje më të madhe se sa ajo në raport me institucionin e ri të drejtësisë.

Aq i madh ka qenë ndikimi i tij në jetën publike, saqë edhe ata që merren me gazetari apo ata që bëjnë debate publike në emisione televizive ndahen më së shumti pikërisht te aktiviteti i SPAK. Ka nga ata që besojnë te puna e tij, ka dhe nga ata që e kosiderojnë atë si një organ të kapur nga qeveria.
Sigurisht të zhvillosh një betejë të bazuar mbi drejtësinë dhe mbështetjen ndaj saj ose jo përbën një çështje të rëndësishme politike dhe palët mund të ndahen.

Problemi qëndron, ose më saktë e veçanta qëndron te fakti se kjo betejë nuk zhvillohet midis dy poleve politike. Por zhvillohet në aleanca shumë ngjyrëshe politike. Ka aleanca të politikës së majtë dhe të djathtë që e kritikojnë SPAK dhe aleanca të majta dhe të djathta që e mbështesin atë. Si të thuash, mbështetja ose sulmi ndaj tij nuk ka ngjyra politike.

Është një ndarje trasversale, pa dallim bindjesh politike. Megjithatë, deri më sot SPAK një betejë e ka fituar. Ka fituar mbështetjen e qytetarëve shqiptarë ku e mbështesin 70 për qind e tyre. Nuk dihet nëse do të fitojë dhe mbështetjen e shumicës së politikës, edhe pse kështu siç e ka nisur duket shumë e vështirë.

Artikulli paraprakProfesionistët refuzojnë tatimin! Dërgojnë padi të re në Gjykatën kushtetuese: Ligji nuk na njeh shpenzimet
Artikulli tjetër“E vetmja shpresë e Ramës është e shkuara e opozitës”/ Kulluri: Pse RAI 3 ka shqetësuar Ramën!