Presidenti Ivanov nuk tërhiqet nga amnistia për të hetuarit

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov i ka qëndruar vendimit të tij për faljet polemike, ndërsa i tha “Frankfurter Allgemeine Zeitung” të martën se nuk do të tundet nga vendimi i tij i 12 prillit dhe se do ta ndërmerrte sërish të njëjtin vendim.
Vëzhguesit thonë se, pritja që ai të tërheqë vullnetarisht faljet duket se është një humbje kohe që vetëm sa do ta komplikonte më tej krizën politike të Maqedonisë.
Ivanov përsëriti gjithashtu qëndrimin e partisë qeverisëse VMRO DPMNE se, zyra e Prokurorisë Speciale e kishte fajin për krizën aktuale, pasi sulmoi në mënyrë selektive partinë në pushtet me hetimet e saj.
“Kjo atmosferë e konfliktit është vepër e Prokurorisë Speciale që po heton në mënyrë selektive, vetëm kundër partisë në pushtet”, tha Ivanov në intervistë.
Nën presion për të bërë të pavlefshme faljet, Parlamenti javën e kaluar nuk pranoi t’i tërheqë faljet vetë, por i dha pushtetin presidentit që t’i heqë ato për ata që nuk duan, dhe për të tjerët, duke u bazuar në vlerësimin e tij personal.
Megjithatë, vetëm 12 nga 56 politikanët dhe zyrtarët e falur kanë kërkuar të heqin dorë nga favori deri tani.
Analisti politik Albert Musliu thotë se, fakti që presidenti ka thënë se do ta jepte faljen sërish tregon se nuk mund të presim që ai ta tërheqë atë vullnetarisht.
Pritja që ai ta bëjë këtë “veprim do të jetë humbje kohe, ndërsa tensionet në vend do të përkeqësohen”, shtoi ai.
Musliu thotë se, Parlamenti tani duhet të marrë hapa të fortë vetë dhe ta shfuqizojë faljen krejtësisht.
Një profesor i shkencave politike në Universitetin FON të Shkupit, Mitko Gadzovski, tha për Radion “Europa e Lirë” të martën se, qëndrimi i presidentit “nuk çon drejt zgjidhjes së situatës dhe se madje e përkeqëson atë”.
Protestat filluan më 12 prill, pasi Presidenti Gjorge Ivanov ndali hetimet penale të politikanëve të lartë dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, përfshirë ish-kryeministrin dhe liderin e VMRO DPMNE, Nikolla Gruevski.
Lëvizja shkaktoi protesta masive në kryeqytet dhe kudo në vend dhe tërhoqi thirrje nga BE dhe SHBA për shfuqizim të lëvizjes që dëmtoi stabilitetin e vendit.
Nëse faljet shfuqizohen në mënyrë të njëanshme ose selektive, kjo do të shkaktojë shtim të pakënaqësisë në vend, pasi përfaqëson mungesën e llogaridhënies dhe pandëshkueshmërisë, sipas zv/asistentit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Yee, i cili vizitoi Maqedoninë të enjten e shkuar.
Ish-kryeministrit Gruevski iu falën pesë ndjekje penale.
Ish-ministri i tij i Transportit Mile Janakieski dhe ministrja e Brendshme Gordana Jankulovska, shpëtuan nga 16 dhe 11 ndjekje penale.
Ivanov fali gjithashtu liderin e Social Demokratëve në opozitë, Zoran Zaev për dy ndjekje penale me të cilat u akuzua vitin e shkuar nga Prokuroria.

Artikulli paraprakPas presionit të PD, Rama reflekton për çmimin e energjisë
Artikulli tjetërMinistri i Jashtëm maqedonas kundër Presidentit