Ministri i Jashtëm maqedonas kundër Presidentit

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki rreth korrupsionit në vend dhe aferës së përgjimit.
“Do të ishte më mirë për vendin që kjo të mos kishte ndodhur”, tha në një intervistë për DW ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki, në lidhje me faljen nga Presidenti i Maqedonisë i mbi 60 politikanëve të nivelit të lartë, të cilët mund të përballen me akuza të mundshme për vepra penale. Ky veprim i presidentit si dhe zhvillimet e fundit në Maqedoni kanë shkaktuar një breshëri kritikash ndërkombëtare.
Bërja publik nga partia opozitare e një serie bisedash të përgjuara vitin e kaluar, nxori në pah manipulimin e zgjedhjeve dhe kontrollin e zyrtarëve nga ana e qeverisë në Maqedoni. Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski dhe shefi i tij i shërbimit sekret u akuzuan për përgjimin e rreth 20.000 politikanëve dhe zyrtarëve. Këto njoftime shkaktuan në vend një valë protestash.
Për rastin e përgjimeve u emërua një prokuror special, por puna e tij u ndërpre në prill, kur Presidenti i Maqedonisë fali disa dhjetëra politikanë të nivelit të lartë. Faljet ishin një skandal i vërtetë dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Poposki, pranoi se faljet nuk ishin pozitive dhe ato “e kanë përkeqësuar situatën politike”.

Akuza për korrupsion
Maqedonia u pranua si vend kandidat për në BE në vitin 2005, por procesi që atëherë vetëm është zvarritur. Zgjedhjet e 5 qershorit u anuluan, pasi zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se, zgjedhjet mund të mos jenë të besueshme. “Kjo është një mundësi e re për vendin që të trajtojë një numër çështjesh të rënda në mes të krizës së zgjatur politike”, tha së fundi Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn.
Gazetari që drejton programin e “Deutsche Welles” “Conflict Zone”, Michael Friedmann, e pyeti Popovskin në lidhje me korrupsionin në vend duket i thënë se, “një nga ish-ambasadorët e Maqedonisë, Arsim Zekolli, kishte thënë pas shpalljes së faljeve se “kjo nuk e habiste, sepse në një vend që drejtohet nga partia juaj dhe ku lulëzon krimi dhe korrupsioni, ky vendim pritej”.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Poposki tha se korrupsioni në vendin e tij kishte qenë i pranishëm gjatë 25 viteve të kaluara dhe se “mendon kjo mund të thuhet edhe për 25 vitet e ardhshme, sepse gjithmonë do të ketë kështu lloj sfidash”. Poposki tha se luftimi i korrupsionit do të jetë një proces i gjatë dhe se nuk sheh që vendet fqinjë ta kenë shfarosur korrupsionin. Po ashtu sipas tij, “Këto gjëra janë duke ndodhur shumë dhe kudo, përfshirë edhe në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”.

Artikulli paraprakPresidenti Ivanov nuk tërhiqet nga amnistia për të hetuarit
Artikulli tjetërShiringat financiare për Greqinë