Pas presionit të PD, Rama reflekton për çmimin e energjisë

Rishikimi i çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundore i programuar për muajin tjetër, nuk do të ndodhë. Burimet pranë kompanive OSHE dhe KESH bënë me dije se nuk do të kërkohet një rishikim i çmimit, siç ishte programuar në fillim vit. Kjo për shkak se tregu i energjisë është përfshirë në proces liberalizimi. HEC-et e vogla do të shesin energjinë tek OSHEE dhe jo tek KESH, siç ndodh tani, teksa një bursë e re energjie pritet të vihet në funksion këtë verë.
Për këto arsye, kompanitë kanë shtyrë aplikimet për ndryshim të çmimeve për në janar të vitit 2017. Por vetëm pak muaj para fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare ka shumë pak gjasa që çmimi  të ulet.
Enti Rregullator i Energjisë ka lajmëruar se, KESH dhe OSHE duhet të reflektojnë në çmimet fundore kostot më të ulta që ka sjellë marrëveshja që kompanitë aplikuan këtë vit për shkëmbimin e tepricave.
Kryeministri Rama e ka përforcuar paralajmërimin e ERE dje, kur tha se performanca e mirë e sektorit duhet të reflektojë në uljen e çmimeve të energjisë. Por burimet nga Ministria e Energjisë pohuan se, kjo nuk ka gjasa të ndodhë këtë vit. Bilancet e kompanive KESH dhe OSHEE ende janë të brishta nga borxhet e larta dhe qëndrueshmëria afatgjatë do ende kohë për t’u instaluar.
Por me shumë gjasa ndryshimi në çmime me tendencë ulje do të vijë në janar 2017, nesë performaca në grumbullimin e të ardhurave nga OSHEE vijon me këto ritme. Ka dy mënyra që po testohen për uljen e çmimit. Njëra është ulja e TVSH-së në një prag më të poshtëm se 20 për qind. Kjo politikë ka shumë gjasa të ndodhë, pasi me këtë rast qeveria mban edhe një nga premtimet më të mëdha elektrorale të dhëna në zgjedhjet e 2013-ës.
Ndërhyrja tjetër është një vendim i mundshëm i ERE-s, nëse kompanitë KESH dhe OSHEE raportojnë rënie të kostove në kërkesat që do të bëjnë për ndryshimin e çmimit në fund të vitit.

Artikulli paraprakPopullsia po plaket, harta botërore: Shqipëria po shkon me shpejtësi drejt zonës së rrezikshme
Artikulli tjetërPresidenti Ivanov nuk tërhiqet nga amnistia për të hetuarit