Populli në sheshe, përshkallëzim, Rama refuzoi zgjidhjen me dialog

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi mbrëmë përshkallëzim të protestës në sheshet e Shqipërisë, duke nisur nga java e ardhshme. Basha i bëri këto komente pas dështimit të bisedimeve për gjetjen e një zgjidhje politikë të krizës përmes dialogut.
Kryetari i opozitës deklaroi prerë se opozita nuk do të pranojë zgjedhje të diktuara nga krimi. “Edi Rama nuk do as zgjedhje të lira, as veting të vërtetë që të pastrojë drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, sepse i trembet demokracisë së vërtetë dhe drejtësisë së vërtetë. Në këtë përballje ka patur dhe do të ketë jo vetëm opozitën, por të gjithë qytetarët e ndershëm shqiptarë. Ne nuk do të pranojmë zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi dhe droga, as veting fasadë të diktuar nga Edi Rama dhe interesat e tij korruptive dhe kriminale”, tha Basha.
Basha deklaroi mbrëmë pas dështimit të zgjidhjes së krizës me dialog se mos bindja civile do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.  “Ne jemi të vendosur të vazhdojmë pa kthim betejën tonë, betejën popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike, për veting të vërtetë vetëm sipas përcaktimeve kushtetuese të 21 korrikut dhe marrëveshjes politike të 21 korrikut.
Shembulli i kësaj lëvizje të papreçedentë në Shqipëri dhe Europë, frymëzon çdo shqiptar e çdo shqiptare të ndershëm dhe miqtë e Shqipërisë demokratike, të lirë dhe europiane.
Të vendosur do të vazhdojmë qëndresën tonë në këtë monument të lirisë, në çadrën e lirisë, në sheshin e lirisë dhe javën e ardhshme do të prisni përshkallëzimin e mosbindjes civile anembanë Shqipërisë, për t’i treguar Edi Ramës dhe tiranisë së krimit dhe drogës se koha kur në Shqipëri bëheshin votime, por jo zgjedhje, ka marrë fund një herë e mirë.
Nuk do të ketë më kurrë votime dhe jo zgjedhje. Nuk do të ketë kurrë pushtet pa opozitë. Republika e Re po agon dhe nuk do të ketë forcë mbi tokë që do ta ndalë”, tha Basha.

Pse dështuan përpjekjet për negociata

Basha bëri publike edhe arsyet se përse nuk pati fare negociata dhe se përse bisedimet paraprake mes palëve dështuan.
“Për fat të keq, përpjekja e dy ndërmjetësuesve europianë nuk pati sukses. Kjo, sepse Edi Rama refuzon qeverinë teknike të zgjedhjeve të lira si zgjidhjen e vetme, por edhe si zgjidhjen e ndershme për të krijuar kushte dhe premisa të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke zbatuar ligjin për dekriminalizimin, pra, duke larguar kriminelët nga institucionet shtetërore, duke luftuar trafikun e drogës, kultivimin dhe paratë e drogës si kërcënim jetik për demokracinë dhe për votën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe duke garantuar Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it përfshirë edhe votimin biometrik elektronik dhe numërimin elektronik të votës”, tha Basha.
Kreu i opozitës deklaroi se, Rama ka frikë që të largohet, ndërsa është shprehur se ka refuzuar tërësisht që ai të jetë garanti i dekriminalizimit apo luftës kundër drogës, ndërkohë që ai është njeriu e që e ka ngritur krimin dhe drogën në institucione në këtë qeveri.
“Ky refuzim ka për bazë frikën e Edi Ramës për të lëshuar karrigen kryeministrore dhe për të lëshuar kështu garancitë që përmes garancisë kryeministrore, ai i ka dhënë tash 3 vite e gjysëm krimit të organizuar dhe narkokartelit në narkorepublikën që ka ndërtuar me duart e tij. Ju duhet ta dini se, Partia Demokratike ka rënë dakord me një numër të madh propozimesh të natyrës teknike, të cilat do të ndihmonin për të përshpejtuar procesin e dekriminalizimit dhe për të luftuar me të vërtetë drogën. Por Partia Demokratike, opozita dhe qytetarët e ndershëm të këtij vendi të majtë e të djathtë, nuk mund të pranojnë kurrë që këto detyra të cilat Edi Rama me vetëdije nuk i kreu gjatë kohës që ishte në qeverisje, këto detyra që nuk i kreu, sepse bëri të kundërtën, duke sjellë kriminelët në Parlament në krye të bashkive dhe institucioneve publike të vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një hambar droge për përfitime pasurore dhe të pushtetit të tij, ky njeri që dështoi të bëjë detyrat e tij para shqiptarëve tash 4 vite do të mund t’i bënte ato në këto 4 javë që i kanë mbetur të mandatit të tij. Asnjë mundësi, asnjë mendje e shëndoshë nuk mund të pranojë që njeriu që shkaktoi kriminalizimin e Shqipërisë, që e ktheu Shqipërinë në Kolumbinë e Europës, do të jetë po kështu përgjigja për këto probleme në më pak se katër javë që i kanë mbetur nga mandati i tij. Ndaj kushti i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme mbetet qeveria teknike me mandatin popullor për të luftuar drogën, për të nxjerrë jashtë institucioneve kriminelët dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke përfshirë votimin dhe numërimin elektronik”, tha Basha.

Skandali, Rama kushtëzoi luftën ndaj drogës me votën ndaj vetingut

Kulmi dhe skandali më i madh në bisedimet e djeshme ka qenë kur Rama ka kushtëzuar luftën ndaj drogës me votimin e ligjit të Vetingut. Pra, një detyrë legjitime të një qeverie, Rama e ka lidhur me kapjen në favor të tij të drejtësisë. Qëndrimi i djeshëm i Ramës është një dëshmi se edhe në bisedime po sillet si një njeri i krimit të organizuar dhe jo si kryetar legjitim i një qeverie.
“Denoncoj dhe të dënoj aktin e turpshëm të kondicionimit të luftës kundër drogës dhe kriminalizimit me gjoja votën për vetingun. Dua t’i them sot çdo shqiptari dhe miqve tanë ndërkombëtarë se kjo nuk është çështje ose, ose, ose dekriminalizim dhe drogë, ose veting. Partia Demokratike angazhohet solemnisht para qytetarëve shqiptarë se me një qeveri teknike e zgjedhje të lira e të ndershme, të zbatohet plotësisht ligji për dekriminalizimin, të luftohet droga, të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të nisë zbatimi për vetingun sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 21 korrikut”, tha Basha.
Basha shprehu mirënjohje për kontributin e dy përfaqësuesve europianë që erdhën në Tiranë për të ndihmuar dialogun. “Më lejoni ta nis fjalën time sonte me një falenderim dhe mirënjohje të thellë për David McAllister, kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian si dhe njëkohësisht zv/presidentin e Partisë Popullore Europiane si dhe për eurodeputetin Knut Fleckenstein, raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, të cilët erdhën sot në Shqipëri dhe nuk kursyen asnjë përpjekje për t’i kontribuar një zgjidhje reale të krizës politike që ka mbërthyer vendin tonë. Falenderimet dhe mirënjohjen time Partisë Demokratike, opozitës dhe çdo qytetari protestues”, tha Basha.

Artikulli paraprakPolicia që (s)duam
Artikulli tjetërPack: Qeveria Rama e lidhur me Krimin, qeveri teknike për zgjedhjet