Pack: Qeveria Rama e lidhur me Krimin, qeveri teknike për zgjedhjet

Presidentja e Forumit të Grave të PPE, Doris Pack shprehu dje shqetësim për qeverisjen e lidhur me krimin në Shqipëri dhe qortoi heshtjen e diplomatëve të huaj. Ajo kritikoi qëndrimin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë gjatë vizitës së tij në Tiranë.
“Ajo çfarë po ndodh në Shqipëri aktualisht është një çmenduri. Vendi  i mbushur  i gjithi me drogë, një rrezik jo vetëm për kthimin e Shqipërisë në vend kryesor për prodhim dhe eksport droge, por për mjedisin ku rriten fëmijët shqiptarë”, u shpreh Doris Pack. “Në Parlament dhe administratë mbahen me dhjetëra persona me rekorde kriminale se kanë paguar për pushtetin e Ramës, ndërkohë profesionistët hiqen nga puna për bindje politike”, deklaroi Pack.
Ajo përgëzoi lidershipin e PD-së për manifestimet paqësore dhe shprehu bindjen se në kushtet aktuale ku ndodhet Shqipëria, krijimi i qeverisë teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbetet zgjidhja e vetme.
Znj. Pack përshëndeti kërkesën për zgjidhjen e situatës me ndihmën e Partisë Popullore Europiane dhe shprehu besimin e plotë se zv/presidenti i Parlamentit Europian, McAllister si ndërmjetësi i duhur për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.‎
Protesta e Partisë Demokratike për votën e lirë u bë pjesë e diskutimeve në takimin e Bordit Drejtues të Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane që u mbajt këto dy ditë në Bruksel nën kujdesin e Presidentes Doris Pack. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi raportoi rreth zhvillimeve më të fundit politike në Shqipëri dhe shprehu vendosmërinë e Partisë Demokratike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, standard themelor të çdo shoqërie europiane. Deputetja demokrate i informoi koleget e saj të Partive Popullore Europiane për fushatën e keqinformimit të partnerëve të huaj nga qeveria Rama përmes propagandës dhe lobimeve të financuara me para të pista. Ajo denoncoi kriminalizimin e Parlamentit dhe të qeverisjes, kanabizimin e Shqipërisë dhe përgatitjet për blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës. Vokshi shprehu mirënjohje dhe falënderoi Presidenten e Forumit të Grave të Partisë Popullore Europiane (EPP Women), Doris Pack për mbështetjen e protestës popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë është anëtare e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane.‎

Artikulli paraprakPopulli në sheshe, përshkallëzim, Rama refuzoi zgjidhjen me dialog
Artikulli tjetërDështimi i negociatave për të blerë kauzën e votës