Polonia në çerekfinale

Është Polonia skuadra e parë çerekfinaliste e Euro 2016. Në Saint Ettiene fati u buzëqeshi polakëve që mposhtën me rezultatin e përgjithshëm 6-5 pas goditjes së penalltive Zvicrën, duke u kualifikuar për në ruandin e 8-të më të mirave. Përfundoi në barazim 1-1 koha e rregullt e sfidës që ngriti siparin e ruandit të 1/8 të këtij europiani, por një gabim i Granit Xhakës nga 11 metra distancë, flaku tutje ëndrrën e Zvicrës për të avancuar më tej në këtë europian, dhe ngriti peshë tifozerinë polake që iu gëzua, kualifikimit të parë historik në çerekfinale të Polonisë në një kompeticion të tillë. Flakë që në fillim sfida e Geoffroy Buchard në Saint Ettiene. Vetëm 30 sekonda i mjaftuan Polonisë për të vendosur në vështirësi serioze Zvicrën.
Një kthim i gabuar pas i topit nga Djorou detyronte Sommer-in të ndërhynte në mënyrë të guxishme për të shmangur golin e Lewnadowskit, por fati ishte me skuadrën e Petkoviç, sepse, topi i larguar nga portieri përfundoi në këmbët e Milik, që bëri të pabesueshmen, duke gabuar me portën e boshatisur. Në minutën e 10-të erdhi edhe reagimi i Zvicrës me Dzemailin që nuk shënjestroi siç duhet drejt portës së Fabianskit, një top të marrë nga Shaqiri. Lojë e shpejtë edhe gjatë minutave në vazhdim edhe pse rastet e pastra për gol munguan. Në të 35-tën, Fabian Schar në zhvillimet e një goditjeje këndi i shpëtoi mirë mbulimit të mbrojtësve polakë, por tentativa me kokë e autorit të golit të parë të Zvicrës në këtë europian, u ndal nga Fabianski. Në momentin më të mirë të përfaqësues helvete erdhi edhe goli i Polonisë që zhbllokoi shifrat.
Kundërsulm i shpejtë i polakëve, i nisur nga portieri  Fabianski që pasoi për Grosickin, ky i fundit edhe me pak fat u shpëtoi mbulimit të dy mbrojtësve zviceranë dhe një pasim filtrues gjeti të lirë në qendër të zonës Blaszckhovskyin që me një goditje të zgjuar e kaloi topin poshtë këmbëve të portierit Sommer. 0-1 për Poloninë për meritë edhe të Milik që hapi rrugën topit në momentin e pasimit të Grosickit për Kuba Blaszchkovsky-in. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, ndërkohë që fraksioni foli totalisht për Zvicrën. Në fakt rastin e parë në këtë pjesë e pati skuadra e Adam Nawalkas me Blasczkovsky-in, goditja e të cilit në të 53-ën mori kundërpërgjigjen e Sommer. Me kalimin e minutave, trajneri Petkoviç shtoi forcën sulmuese duke hedhur në fushë Embolo e Derdiyok në vend të Dzemailit e Mehmedit. Presioni i helvetëve drejt portës së Fabianskit u rrit ndjeshëm dhe në të 78-ën vetëm fati nuk ishte me Zvicrën, me traversën që i tha jo golit të Seferoviç. Por fati nuk mund t’i ndihmonte më polakët në 4 minuta më vonë kur Xherdan Shaqiri shpiku një gol të rrallë për ta çuar ndeshjen në shtesë.
24-vjeçari nga Gjilani me një roveshatë fantastike nga limitet e zonës nuk i dha asnjë shans Fabianskit, me Shaqirin që i ndihmuar edhe nga shtylla arriti të barazonte në 1-1 rezultatin. Në 30 minutat e shtesës kishte vetëm një skuadër në fushë dhe ajo Zvicra e Vladimir Petkoviç. Megjithatë pasaktësia në finalizim e helvetëve bëri që fituesi të përcaktohej nga goditjet e 11-metërshave. Lotaria penalltive i buzëqeshi Polonisë që në të 5-ta gjuajtjet, duke triumfuar në fund me rezultatin 5-4. Ai që askush se priste pikërisht Granit Xhaka ishte futbollisti i vetëm që gaboi në radhët e përfaqësues helvete. Mesfushori më i ri Arsenalit goditi shumë keq, duke e çuar topin në tribunë, gabim që i kushtoi rëndë Zvicrës, sepse biletën e çerekfinales e preu Polonia e Robert Lewandowskit.

Artikulli paraprakBritania po kërkon të shtyjë daljen nga BE?
Artikulli tjetërMatthaus: Goli i Shaqirit, më i bukuri në Euro 2016