Politika e jashtme e Merkel

Qendra Kërkimore Pew me bazë në Uashington, anketoi para ca kohësh njerëz në më shumë se 30 vende rreth mendimeve të tyre mbi udhëheqësit e botës.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel kryesonte. Të anketuarit shprehnin më shumë besim tek ajo sesa te çdo udhëheqës tjetër.
Me Shtetet e Bashkuara që po bëhen më izolacioniste, Britaninë që është zhytur në grindje rreth Brexit dhe Francën e udhëhequr nga një president i ri i paprovuar, popullariteti i të cilit tashmë po bie, shumë njerëz e shohin zonjën Merkel, e cila të dielën siguroi një mandat të katërt – ndonëse partia e saj Bashkimi Kristian Demokrat fitoi më pak vende në Parlament sesa në mandatin e kaluar – si udhëheqësen më të besueshme të Perëndimit.
Gazetat amerikane dhe evropiane e kanë quajtur atë “udhëheqësen e botës së lirë” për pjesën më të madhe të vitit 2017.
Por mbeten pyetje rreth asaj se si Kancelarja Merkel do të jetë aktive kur vjen puna te politika e jashtme në mandatin e saj të katërt – dhe se si ajo mund t’i përqaset sfidave të mëdha me të cilat përballet Gjermania dhe Evropa, duke përfshirë terrorin, luftën, krizat financiare dhe trazirat politike. Instinkti i shkencëtares së kthyer në politikane, është të kërkojë konsensus – por kjo është një gjë e vështirë për t’u bërë kur ballafaqohet me udhëheqës si Donald Trump i SHBA-së dhe Recep Tayyip Erdogan i Turqisë, të cilët e shohin diplomacinë si një lojë pa vlerë.
Më parë këtë vit, pas njoftimit të zotit Trump se ai do të tërhiqte SHBA-në nga pakti i ndryshimeve klimatike të Parisit, zonja Merkel këshilloi evropianët e tjerë se ata duhet të marrin fatin në duart e tyre. “Kohët në të cilat mund të mbështetemi plotësisht te të tjerët pothuajse kanë mbaruar”, u shpreh ajo.

Artikulli paraprakMianmari akuzohet për krime kundër njerëzimit
Artikulli tjetërSHBA bëhet gati, Koreja tjetër bombë me hidrogjen