Policia kërcënon sërish protestuesit, VOA: Basha thotë se s’do kërkojnë leje për protestat e ligjshme

Në Shqipëri, që prej orës 10.00 të ditës së sotme opozita ka nisur protesta në katër zona të ndryshme të vendit duke bllokuar akset rrugore kombëtare në Vorë, në Bradashesh në dalje të Elbasanit, në Çermë të Lushnjes dhe në Milot ku bashkohet rruga që vjen nga Kosova me atë nga Shkodra, drejt Tiranës. Në Milot, protesta nisi me një përlasje me policinë e cila kërkoi që të mos bllokohej rruga, duke u tërhequr më pas. Protestat e sotme vijnë pas vendimit të marrë pak ditë më parë nga opozita për t’i bërë thirrje qytetarëve për mosbindje civile, ndonëse ajo shprehet se protestat e sotme janë organizuar nga qytetarët dhe ajo vetëm po i mbështet ato.
Mbrëmë Policia deklaroi se ajo nuk kishte marrë njoftim për protestën. “Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve”, nënvizonte deklarata e policisë.
I ulur mes protestuesve në rrugën e Vorës, kryetari demokrat Lulzim Basha u shpreh se “protesta është legjitime. I paligjshëm është privatizimi kriminal i Shtetit nga ana e Edi Ramës. Ky është një shtet që burgos popullin dhe lë të lirë kriminelët. Nuk do të kërkojmë kurrë leje për një protestë të ligjshme”, theksoi zoti Basha.
Protestat e sotme u nxitën nga manifestimi i zhvilluar fundjavën e shkuar në Rrugën e Kombit për të kundërshtuar tarifën e pagesës së vendosur për kalimin në aksin që lidh Shqipërinë me Kosovën. Protesta çoi në përplasje të dhunshme me policinë dhe më pas në djegien, nga ana e protestuesve të sporteleve të ngritura për pagesën e tarifës që nis nga 2.5 euro për motorrët deri në 22.5 euro për kamionët.
Duke folur sot në parlament, kryeministri Rama pranoi se “nuk kemi qenë mjaftueshmërisht të përgatitur për çfarë mund të krijonte një risi e tillë nga pikëpamja psikologjike për njerëzit e painformuar”. Ai tha se “po punohet intensivisht për krijimin e mundësisë optimale që edhe procesi i mirëmbajtjes, jetike, të Rrugës së Kombit, të garantohet dhe problemi i banorëve të adresohet”, deklaroi kryeministri duke njoftuar se “vendimi ynë është i qartë. Ne nuk do fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme, për atë zonë”.

Artikulli paraprakBasha-Ramës: Ky është fundi yt, burgu për ministrat jo për popullin
Artikulli tjetërFox News: Skema 9 milionë dollarë për ti dhuruar drejtësinë politike Ramës