Plani i Tiranës në interesat e establishmentit

Besnik ALIAJ

Kryesia e Këshillit të Bashkisë Tiranë (domethënë mazhoranca) shpërndau dje një ftesë për dy takime urgjente konsultimi brenda 48 orësh (e shtunë, e hënë) në lidhje me planin rregullues dhe buxhetin e Bashkisë Tiranë, ku administrata e Bashkisë dhe konsulentët duket se janë gati më në fund të bëjnë një ballafaqim të parë me Këshillin Bashkiak (ku më në fund për herë të parë u ftua dhe opozita) dhe opinionin publik…
Por vetëm pas pak orësh ftesa dje u riformulua dhe u ridërgua duke përkeqësuar situatën për t’i organizuar të dy të ashtuquajturat takime “publike” (vini re se fjala “publike” në ftesë është në kllapa) brenda një dite, pra të hënën…
Kështu që të hënën në një atmosferë feste presim të shohim një sallë plot këshilltarë, qytetarë e aktivistë, sipërmarrës e profesionistë, akademikë e të interesuar të tjerë dhe jo një kuorum të njëanshëm politik siç është vepruar deri tani. Shpresoj që edhe mediat ta pasqyrojnë takimin live e të plotë dhe jo vetëm fjalët përshëndetëse dhe elektorale. Shpresoj, sepse kjo është me rëndësi për qytetin dhe të sotmen e të ardhmen e tij! Dhe për këtë qytetarët duhen informuar mirë non stop e në mënyrë të pavarur dhe jo të manipulohen me regji qendrore!
Ç’thotë ligji për këto lloj takimesh konsultative publike? Bashkia ka detyrim të organizojë minimalisht 2 takime të tilla të mëdha në rang qyteti (kjo nuk përjashton takimet më të vogla, tematike e të fokusuara) dhe të shpallë datën dhe materialet e plota që do të prezantohen, të paktën 1 muaj para takimit publik, si dhe të lërë kohë pas takimit publik edhe minimalisht 2 javë të tjera të plota për komente zyrtare me shkrim ose diskutime në media tradicionale, forume publike dhe rrjete online. Në fund bëhet publik edhe procesverbali i këtij debati e procesi. Konsulentët pastaj duhet të marrin kohë të bëjnë rregullime e saktësime/korrigjime sipas komenteve konstruktive të bëra. Pas kësaj procedura nis nga e para për takimin e dytë…
Por me këtë akt-njoftim duket se Bashkia dhe kryesia e Këshillit Bashkiak po nxitojnë në thyerje të ligjit, që ta “konsumojnë” në mënyrë të jashtëligjshme procesin e 2 takimeve publike që e kanë detyrim ligjor. Me shumë gjasa ata do ta fusin pastaj me urgjencë planin për miratim në Këshill Bashkiak, në një mbledhje urgjente para vitit të ri siç ka vepruar vjet me buxhetin, në një mbledhje maratonë me aq shumë pika sa çështjeve thelbësore si plani rregullues do t’i mbeten vetëm 30 sekonda për miratim me forcë kartoni… Kjo do të ishte mjaft e rëndë dhe me pasoja! Por mos u çudisni se kjo ka ndodhur edhe vjet! Dhe votimi në 30 sekonda “në bllok” është një anomali ligjore normale tashmë për Këshillin Bashkiak Tiranë…
Kjo duket se do të ndodhë me shumë gjasa edhe këtë radhë …. duke vendosur rekorde të reja të moskorrektesës ligjore dhe vendimmarrjes antiligjore, për të mos folur për vlerat minimale të demokracisë si: transpancës reale publike. Tashmë është e qartë që arroganca është aq e madhe, sa është e denjë për ata që kanë rënë në gabimin fatal, i cili i bën njerëz të caktuar të mendojnë veten të përhershëm në pushtet!
Qytetarët dhe institucionet e specializuara duhet të mbajnë shënim për këtë që po ndodh, në mënyrë që kur gjërat të normalizohen ligjërisht, gjithkush përgjegjës për këtë sulm ndaj interesit publik të japë llogari! Rasti i Parkut të Liqenit, stadiumi kombëtar, Sheshi Skënderbej dhe disa dhjetëra leje të dhëna për ndërtimet klienteliste janë provat më të freskëta…
Në këtë shënimin tim sot nuk kam ndërmend të hyj në çështjet përmbajtësore të planit, jo vetëm se nuk kam asnjë info si qytetar, por sepse si këshilltar bashkiak jam përjashtuar në mënyrë antiligjore nga e drejta dhe detyrimi për informim mbi atë se çfarë po ndodh me qytetin! Ndaj është pak të them se jam tërësisht i vendosur kundër vetë planit dhe mënyrës si po veprohet për hartimin e tij, që duket se do ta ketë jetën shumë të shkurtër!
Një plan që futet qëllimisht në llogoren e konfliktualitetit politik dhe tutelën e interesave të oligarkisë gjeneron vetëm tension social. Është një rast i denjë për thelbin e dekriminalizimit të qeverisjes. Për momentin sot dua të ritheksoj vetëm faktin se transparenca publike dhe procedura ligjore nuk janë “zhargon” formal për tallje, por garanci juridike ligjore për një qeverisje normale dhe në respekt të Kushtetutës.
Pjesëmarrja reale e publikut dhe institucioneve garante të interesit publik, si Këshilli Bashkiak dhe opozita, legjitimojnë dhe mundësojnë informimin e mjaftueshëm të komunitetit në vendimmarrje me karakter strategjik, ku askush nuk ka luksin të verë veto! Ndërkohë i kujtoj Bashkisë dhe kryesisë së Këshillit Bashkiak se askujt nuk mund t’i mohohet (aq më tepër me qëllim) mundësia për t’u informuar dhe për të marrë në posedim në kohë çdo material teknik e ligjor të mundshëm të planit rregullues aq më tepër të të zgjedhurve vendorë…
Ritheksoj se administrata e Bashkisë ka për detyrim që të shpallë 1 muaj para datës së takimit publik në regjistrin kombëtar të integruar të planifikimit të territorit pranë AKPT, në faqen e Bashkisë Tiranë dhe në forma të tjera alternative të mediave audiovizive (gazeta, TV, online) njoftimin për takim dhe materialet konkrete që do të diskutohen (analiza dhe propozime në formë raporti të shkruar dhe hartash) të plota dhe në gjuhën shqip. Ky kusht qartësisht nuk është plotësuar!
Nga 2 takimet publike që duhen organizuar si detyrim minimal ligjor në nivel makro të Bashkisë (dhe në prezencën e Këshillit Bashkiak si garant), duhet që të paktën një takim të jetë për: 1) Dokumentin e analizave dhe strategjisë së zhvillimit, dhe tjetri për: 2) Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV). Pra, ligjërisht i bie që të hënën në rastin më të mirë, Këshilli Bashkiak dhe liderat komunitarë të diskutojmë vetëm për çështjen e parë. Duhet të kalojë minimalisht edhe një muaj tjetër kalendarik/procedurial që të diskutojmë për të dytën, pa fol për kohën 2 javore që duhet për procedurat e tjera ligjore të transparencës publike pas takimit, me qëllim që palët e interesuara dhe publiku të komentojnë me shkrim dhe online mbi përmbajtjen e materialeve të prezantuara të planit që duhen bërë publike…
Nga verifikimi online, në Regjistrin e Integruar të Territorit pranë AKPT-së, del se postimi i fundit është bërë më datë 19.12.2016, pra në kundërshtim me ligjin nuk është një muaj para takimit të datës 26, por vetëm 7 ditë para. Ndërsa të dhënat sipas monitorimit tonë po hidheshin në të vetëm nga dje në drekë. Pra, vetëm 2 ditë para …
Nga verifikimi i faqes zyrtare të Bashkisë Tiranë www.tirana.gov.al, programi i transparencës “tirana.al”, ftesa e fundit për dëgjesë publike (plani i zhvillimit territorial dhe rregullorja lokale) është bërë më datë 14 shtator 2016 dhe 10 tetor 2016, por nuk ka asnjë material, veç ftesës. Tek transparenca tregohen vetëm procesverbalet e thata të takimeve në grupe të vogla, por jo materiale/raporte. Nuk ka raport, nuk ka material të shkruar, nuk ka harta dhe dokumente, aq më tepër për mbledhjen e të hënës.

Çfarë duhet të bëjë opozita?

Nga verifikimi në mediat alternative online figuron në Facebook account-i i Bashkisë “Tirana 030” që postimin e fundit për një dëgjesë publike e ka në datën 09 tetor 2016 tek piramida. Këshilli Bashkiak, të paktën opozita, s’ka patur njoftim dhe ftesë. Takimi ka qenë i mbyllur. Nuk është publikuar asnjë material në lidhje me planin. Nuk ka raport, nuk material të shkruar, nuk ka harta dhe dokumente as për takimin e të hënës…
Vetë konsulentët kanë hapur një faqe online “TR030.com”, ku postimi i fundit është më datë 08 prill 2016. Kjo faqe flet për prezantimin e metodologjisë së planit dhe koncepteve paraprake nga konsulentët dhe për disa takime sektoriale ku janë shpallur vetëm ftesa e disa procesverbale. Nuk ka raport, nuk ka material të shkruar, nuk ka harta dhe dokumente për takimin atëherë dhe për këtë të njoftuar…
Vetë Bashkia në faqen e saj zyrtare online ka të njëjtën strategji, ndërsa në faqen e AKPT ku Bashkia ka detyrimet ligjore që përmenda më sipër për informim publik, vetëm dje filloi të hedhë materiale pa asnjë renditje dhe jo në bazë të raporteve të dy fazave të sipërpërmendura. Dokumentet janë të mëdha, të vështira për t’u hapur, kuptuar e komentuar nga publiku. Edhe specialistët s’kanë asnjë shans të organizojnë materialin e jo më ta studiojnë e komentojnë. Kjo lojë e qëllimshme është e dënueshme ligjërisht në një shtet që funksionon normal dhe në demokraci.
Me pak fjalë organizimi i takimeve nga administrata e Këshillit Bashkiak dhe e Bashkisë për të hënën duket se shmang me qëllim transparencën reale me publikun dhe grupet e interesit, dhe sidomos me këshilltarët dhe opozitën që do të legjitimonin dhe garantonin vlerën e dy takimeve publike në shkallë makro/bashkie. Bashkia dhe përfaqësuesit e saj në Këshill po vepron qartësisht me hile, arrogancë dhe në thyerje të ligjit! Heshtja e këshilltarëve të partive të tjera në koalicionin e mazhorancës në Këshill nuk i bënë ata të shlyejnë fajin e tyre në këtë vepër të përbashkët joligjore. Në të kundërt ata janë legjitimuesit e këtij akti!
Më tej duhet sqaruar se bazuar në ligjin dhe në afatet kohore të tij, siç u shpjegua më lart takimi i dytë duhet të ndodhë të paktën 1.5 muaj pas datës 26 dhjetor, diku në fund të dhjetëditëshit të parë të shkurtit. Vetëm pas kësaj mund të pretendohet se është bërë transparenca minimale dhe të fillojë procedura e miratimit në komisione dhe mbledhjen e Këshillit Bashkiak, sipas legjislacionit përkatës…
Këshilltarët e opozitës natyrisht do të ballafaqohen me autorët e këtij plani ditën e hënë! Ne do të kërkojmë zbatimin e ligjit, plotësimin e detyrimeve ligjore sidomos ndaj transparencës dhe publikut! Opozita, si dhe mazhoranca ka të drejtën e vet në bazë të Ligjit të Planifikimit të Territorit – si dhe neni 2, pika 11 të Rregullores së Planifikimit të Territorit të ngrejë strukturat e veta konsultative, përderisa mazhoranca i ka organizuar ato më vete dhe jo në mënyrë të integruar! Në këto kushte bëhet emergjente për këshilltarët e opozitës ngritja e “Forumit Këshillimor Vendor” të parashikuar në ligj me njerëz dhe ekspertë të lirë si një bashkim vullnetar i përfaqësuesve të komunitetit dhe grupeve të interesit, akademisë, shoqërisë civile, profesionistëve dhe aktivistëve, biznesit, të cilët të shprehin interesimin dhe angazhimin e tyre në konsultimin e vendimmarrjes vendore dhe në procesin e përcaktimit të përparësive me interes publik.
Ne nuk duhet të shqetësohemi aspak të hënën nëse Bashkia dhe mazhoranca në Këshill duan të thyejnë ligjin! Ata e marrin vetë përsipër këtë risk … Ne duhet të fokusohemi tek qyteti dhe sfidat e tij kryesore, pasi u kemi dhënë shansin dhe kohën Bashkisë dhe ekspertëve të performojnë. Duket se ata qëllimisht nuk kanë dashur mbështetje dhe kooperim! Janë shmangur qëllimisht dhe kanë dështuar në hartimin e planit dhe zbatimin e procedurave të procesit ligjor që mbron interesin publik! …
Në këto kushte opozita, qytetarët dhe ekspertët e lirë apo forumi i tyre, duhet të fokusohen me përparësi në procedurat dhe përmbajtjen e një plani alternativ dhe debati publik për rihumanizimin e qytetit, mbrojtjen e mjedisit dhe grupeve të ekskluduara, zgjidhjen e sfidave emergjente si transporti publik, papunësia dhe përmbytjet, pa harruar denoncimin ligjor të shkeljeve dhe shkaktarëve përgjegjës. Këto janë çështjet e vërteta me të cilat duhet të merrej plani, një plan që nuk mund të mbahet fshehtas, për shkak të mungesës së vullnetit politik, konfliktualitetit politik të imponuar qëllimisht, me qëllim mbulimin e korrupsionit dhe të interesave të establishmentit!

Artikulli paraprakA t’i themi edhe ne pronarët dy fjalë?
Artikulli tjetërEdhe zgjedhjet me koncesion