Përse shembja ka nisur nga Dako

Silvi BARDHI

As Adriatiku në netët e tij më të qeta, nuk do të mund të përballonte kasaphanën e një bashkiaku të diplomuar çuditërisht për inxhinieri. Nuk do të mundte të gëlltiste më llumin prej 10 vjetësh të inerteve, ujërave të zeza, qindra ndërtimeve mbytëse dhe zhdukjen e pamëshirshme të rërës për të ngritur mbi të, pallatet, pjesa më e madhe e tyre të kalbura e plot lagështi.
Madje edhe pishat, bimësia në vdekje të plotë, nuk munden të kryejnë plotësisht procesin natyror të fotosintezës.
Si një ekspert i menaxhimit të ujërave ku edhe ushtroi detyrën pranë ndërrmarrjes me të njëjtin emër, e ndoqi këtë praktikë duke lënë pas dëshmi, gjurmë, prova të një masakre mjedisore.
Çdo shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve, është dëshmitar i dështimit të Vangjush Dakos si inxhinier, titull që ai preferon ta publikojë në CV-në e tij në faqen zyrtare të Bashkisë së Durrësit. Aq më shumë tallëse është fjalia se Vangjush Dako paskësh qenë një prej studentëve që ka kërkuar në vitet ’90 një Shqipëri si gjithë Europa.
Si një bashkiak me 3 mandate, Vangjushi ka futur këtë fjali në CV-në e tij, si pykë, pa asnjë lidhje me plasjen e ujërave të zeza, korridoreve qindra metroshe të rrugëve gjarpëroshe të fekaleve mespërmes plazhit të Durrësit dhe mbetjeve kancerogjene e infektoze në brigjet e Adriatikut.
Si një ëndërrimtar i një Shqipërie si gjithë Europa, Vagjushi nuk ka integruar as një grimcë nga ajo Europë në të cilën pretendojmë dëshpërimisht të hyjmë, e aq më pak kur vjen çështja tek turizmi. E Vangjushi duhet ta dijë se në Europë dera hapet nga ndershmëria së pari me veten, qytetarët që të kanë votuar dhe shërbesës ndaj komunitetit.
Të tria këto veti Vangjushi, nuk i njeh dhe as nuk i ka në planin e tij të punës. Vangjushi nuk gëzon asnjë moral për të sulmuar opozitën dhe të drejtën e saj për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e tij, pas skandalit për të punësuar të dënuarin Lulzim Berisha.
Dako ka mbi supe një sërë mëkatesh pas akuzave të hedhura në media: Përvetësimin që në muajin e parë të marrjes së pushtetit nga e majta, të një pallati 10-katësh, në një nga zonat më të lakmuara tek Shkëmbi i Kavajës. Ai e ka përvetësuar këtë pronë në kundërshtim me ligjin, pas lejes abuzive të dhënë nga Komuna Rrashbull, duke ndërtuar gjashtë kate më lart se plani i miratuar nga KRRTRSH.
Ndërkohë në një emision televiziv më 5 qershor 2015, një vit pas ndërtimit, Dako thotë se është miratuar një plan urbanistik ku nuk lejohen ndërtime mbi 6 kate.
Firma “3D”, e cila raportohet në media se është në pronësi të vëllait të Vangjushit është favorizuar me 90% të shpërndarjes së betonit në industrinë ndërtimore të qytetin bregdetar.
Vangjush Dako përveç se promotor i shkatërrimit të 2.5 km vijë bregdetare të Durrësit, duke e kthyer nga zonë kurative, në pellg balte dhe betoni, ka zhdukur identitetin e qytetit historik dhe kulturor.
Disa raste abuzimi:
Sheshi i Durrësit, i cili u ndërtua më 1928 nën administratën e Zogut në bashkëpunim me arkitektë italianë dhe shqiptarë, nuk ekziston më, raportojnë vëzhguesit e imtë, Lulishtja 1 Maji është fundosur, bashkë me të një gjetje arkeologjike e mbi to është ndërtuar një pallat shumëkatësh.
Dako thotë në po të njëjtin emision televiziv që përmendëm më lart, në qershor të një viti më parë, se nuk shqetësohet nga ky fakt përderisa lejet jepen nga profesorë dhe specialistë, pra duke mohuar firmën e tij në to.
Dako është akuzuar nga media se ka kushtëzuar dhënien e lejeve të ndërtimit në këtë qytet me detyrimin e blerjes së betonit, madje edhe në zona me mozaik e tulla abrazive duke i shkatërruar dhe zëvendësuar me pllaka të cilësisë së dobët.
Edhe pse qindra durrsakë dolën në protestë për të mbrojtur shkatërrimin e shatërvanit, më 24 gusht të vitit 2014, një prej monumenteve klasike dhe historike të qytetit bregdetar, fadroma nuk kurseu, madje as nostalgjinë e banorëve.
Më datë 3 nëntor 2015 Open Data Albania publikoi të dhëna ku faktonin se Vangjush Dako është një nga kryebashkiakët që ka kryer shkelje të njëpasnjëshme në çdo tender gjatë gjithë mandateve të tij në drejtimin e Bashkisë së Durrësit.
Gjatë harkut kohor 2008-2014, Bashkia Durrës me kryebashkiak të rizgjedhur, Vangjush Dako është kontrolluar pesë herë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe është raportuar për 198.7 milionë lekë dëm ekonomik total, ku dëmi më i lartë është llogaritur për vitet 2010 dhe 2013.
Pasi kishte deklaruar se merrte vetëm 20 mijë lekë të reja nga paga si pjesëtar i kompanisë së ndërtimit “3D”, në deklaratën drejtuar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Vangjush Dako nuk ka deklaruar apartamentin luksoz në një prej zonave më të shtrenjta, ajo e “Torrës” e njohur si zona turistike e këtij qyteti.
Ndaj, lind pyetja, ky është vullneti që kërkon të shesë Vangjushi? Këto sa thamë më lart janë motivet e tij për të vazhduar mandatin? Mandatin e tij e lidh me votat e blera apo me vullnetin e pastër të qytetarit durrsak?
Ndaj shembja do të nisë nga ky zotëri që u ofron punë të dënuarve për krime dhe nuk ka stuhi rëre ta fshehë.

Artikulli paraprakDita anti-establishment dhe establishment Rama
Artikulli tjetërMiliardat e Beqes, si lejoi tregtimin e barnave false?