Miliardat e Beqes, si lejoi tregtimin e barnave false?

Partia Demokratike ka bërë një tjetër akuzë të rëndë ndaj ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. “Ilir Beqaj ka ndërhyrë në tender, ka ndryshuar kriteret dhe ka lejuar futjen e barnave të paçertifikuara. Ka vetëm një rast kur ministri i Shëndetësisë mund të fusë në vend barna të paçertifikuara, vetëm kur vendi përballet me situata emergjente”, deklaroi zëdhënësja Ina Zhupa.
Sipas PD, Beqaj ka ndërhyrë edhe pse s’ka pasur asnjë situatë emergjence, duke shkelur ligjet. “Po cila ishte situata emergjente? Emergjenca e Ilir Beqajt për të vjedhur. Në vitin 2014 me një udhëzim, Beqaj i ka hapur rrugën e abuzimeve me miliarda lekë duke i dhënë mundësinë klientit të tij, ‘Delta Farma’, të futet në tregun e ilaçeve, me barna që mund të dëmtojnë rëndë shëndetin e qytetarëve. Pasi e ka shpallur një tender publik, për blerjen e barnave spitalore më 11 mars, dhjetë ditë më pas, me shkresën nr. 1668/4 Prot, me këtë shkresë këtu, ministri i Shëndetësisë urdhëron ndryshimin e dokumenteve të tenderit për procedurën e prokurimit”, thuhet në deklaratën e PD.
Po si ia hapi ministri i Shëndetësisë rrugën klientit të tij? “Ilir Beqaj, i hapi rrugën klientit të tij për ta bërë fitues, duke hequr detyrimin për këto dokumente:
– Vërtetim për regjistrimin e medikamenteve të ofertuar ose çertifikatë regjistrimi nga QKKB.
– Autorizim nga prodhuesi nëpërmjet, të cilit konfirmohet se operatori ka të drejtën e tregtimit të barnave.
Këto ndërhyrje të Beqajt janë në shkelje flagrante të nenit 11, 47 dhe 18 të Ligjit nr. 9323, datë 25.11.2004 ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’, i cili përcakton që: ‘Barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruara’.
Në shkelje të ligjit, por në përputhje të plotë me interesin personal.
Kështu iu hap rruga mikut të Beqajt, ‘Delta Farma’, që siç shihet nga ky dokumenti këtu ka bërë kërdinë me kontratat që i ka dhënë Ilir Beqaj.
Ky biznes bëri që të hyjnë barna të pasigurta dhe dëmtuese për jetën e qytetarëve, siç janë rastet e bëra publike të Avastinës, që rezultoi i falsifikuar”, thotë PD. Sipas opozitës, Ilir Beqaj është përgjegjës për këtë aferë kriminale dhe për këtë arsye PD dorëzoi  e një kallëzimi penal në Prokurori për këtë çështje.

20-fishim i çmimit të pullës fiskale?

PD dhe LSI i janë kundërvënë një tjetër propozimi të dyshimtë të ministrit të Shëndetësisë. Megjithë përplasjet e ditëve të fundit duket se “shpikjet” e Ilir Beqajt bëjnë bashkë edhe kundërshtarët më të mëdhenj.
Fjala është për çmimin marramendës që ministri i Shëndetësisë propozonte t’i vinte pullës fiskale që do t’u vihet barnave.
Ndërkohë që aktualisht këto pulla kanë çmim fiks prej 6 lekësh të vjetra, me projektligjin e ri që Ilir Beqaj ka bërë gati, kjo tarifë bëhej sa 2.4 për qind e çmimit të produktit, ose afërsisht rritej me 20 herë. Pikërisht këtë nismë të ekzagjeruar të Ministrisë së Shëndetësisë e kanë refuzuar dje në grup PD dhe partia e koalicionit qeveritar që po ngrihet përditë e më shumë kundër koncesioneve, LSI. Koalicioni i tyre në Komisionin e Shëndetësisë nuk ka rënë dakord me faktin që çmimi i barnave për pacientët të rritet me 2.4%.
Një pikë tjetër që është kundërshtuar është ajo që i garantonte koncesionit se në qoftë se xhiroja totale bie nën 128 ml euro, atëherë do të jetë shteti ai që do të duhet t’ja kompensojë këto para. Por ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo është ngritur kundër. “Nuk mund të votoj pro kësaj marrëveshjeje. Ajo duhet të kalojë në rinegocim dhe të vijë një herë tjetër për t’u diskutuar. Nuk mund të pranoj që me votën time të shtohet kosto në dëm të pacientit”, deklaroi Tavo.
Koalicionin PD-PS në Komisionin e Shëndetësisë nuk e ka bindur as insistimi i Ilir Beqajt që pretendonte se me vendosjen e pullës fiskale për barnat rritet siguria, pasi do të ngrihet për herë të parë në Shqipëri sistemi i gjurmimit të barnave.
“Sot kemi një pullë që kushton 6 lekë të vjetra, por nuk ka një sistem që gjurmon në çdo moment. Kontrata e vitit 2011 ende pa hyrë në fuqi ka po një pullë që do të kushtonte po të zbatohej 24 lekë. Po ishte prapë pullë. Këtu kemi edhe një sistem informatik, që do të thotë se ka të paktën 200 milionë transaksione në vit, 2.500 përdorues, sistemi do të punojë 365 ditë të vitit dhe maksimalisht 20 orë në ditë”, deklaroi Beqaj.
Por sërish edhe pas kësaj deputetët e PD dhe LSI-së votuan kundër këtij koncesioni të ri që rëndonte mbi xhepat e shqiptarëve. I vetmi ndryshim që ra në sy qe se Petrit Vasili, i cili zhvilloi një luftë të ashpër me PD për koncesionin e laboratorëve, këtë herë refuzoi t’i bashkojë votat me demokratët.

Artikulli paraprakPërse shembja ka nisur nga Dako
Artikulli tjetërHorror krimi, 3 grabitje bankash dhe biznesesh