Përplasje me armë në Sarandë, 3 të plagosur, dy në gjendje të rëndë

Tre persona janë plagosur nga një përplasje me armë zjarri gjatë natës të së hënës në Sarandë. Dy nga të plagosurit janë dërguar në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa njëri ndodhet në Spitalin e Sarandës jashtë rrezikut për jetën. Të plagosurit kanë marrë disa plagë, pasi dëshmitarët flasin për rreth 10 të shtëna me armë zjarri, ndërsa në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, por autorët janë larguar. Ngjarja ka ndodhur në bulevard, pranë hotel “Butrintit”, duke alarmuar pushuesit dhe banorët e qytetit. Policia e Sarandës nuk jep më shumë detaje, ndërsa vijon operacioni për arrestimin e autorëve.
Mësohet se një javë më parë, në të njëjtin lokal në Sarandë, dy shtetas ende të paidentifikuar plagosen me mjete të forta bashkëpronarin tjetër të biznesit, shtetasin D.M, 30 vjeç. Sakaq, ngjarja e sotme ndodhi rreth orës 03:00, në bulevardin kryesor të qytetit bregdetar. Dy prej personave të plagosur janë transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar.
Mësohet se në bulevardin e qytetit, policia ka rrethuar vendin, ndërsa aty ndodhet i rrethuar një fuoristradë “Opel Frontera” me xhama të zinj me targa të huaja GE1605AB. Po ashtu, thuhet se sherri dyshohet të ketë nisur në lokal dhe plagosja ka ndodhur poshtë tij në bulevard. Po ashtu, zbardhen edhe identitetet e personave të plagosur pas sherrit me armë në lokalin e natës në Sarandë.
Dy personat e plagosur që janë nisur me urgjencë drejt Tiranës për mjekim të specializuar janë Artan Shyti, 37 vjeç dhe Besi Xhafaj, 26 vjeç. Ndërkohë, bashkëpronari i lokalit Fisnik Musa, 35 vjeç, aktualisht ndodhet i shtruar në Sarandë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 03:00 në një lokal nate në Sarandë, në bulevardin kryesor.
Nga të dhënat e deritanishme, ka dyshime se sherri në fjalë ka ndodhur pas përplasjes mes dy grupeve rivale, ku për pasojë mbetën të plagosur Artan Shyti, 37 vjeç dhe Besi Xhafaj, 26 vjeç (Pjesë e një njërit prej grupit rival) dhe bashkëpronari i lokalit Fisnik Musa, 35 vjeç, (pjesë e grupit tjetër).
Njëri nga të plagosurit në Tiranë ka marrë plagë në kokë, ndërsa tjetri në trup. Sakaq, bashkëpronari i lokalit, Musa, i cili ndodhet aktualisht i shtruar në Sarandë, është plagosur në këmbë. Po ashtu, ka dyshime se ngjarja që ndodhi gjatë natës të ketë lidhje me atë që ka ndodhur një javë me parë, kur tek lokali i natës është plagosur bashkëpronari i Musës, shtetasi Diomet Musa, 30 vjeç. Ndërkohë, policia po heton lidhjen mes dy ngjarjeve.

Artikulli paraprakSi u grabit nga maskat lokali ku Rama mblodhi ministrat
Artikulli tjetërSkandal, ja me çfarë uji furnizohet Memaliaj