Përgjysmohet fitimi i sistemit bankar për 9-mujorin, goditen nga kreditë e këqija

Bankat kanë parë një rënie të ndjeshme të fitimeve për 9 muajt e 2019-s, ndryshe nga viti i kaluar kur fitimi i sistemit arriti në nivele rekord. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit bankar për periudhën janar shtator 2016 ishte 6.5 miliardë lekë, nga 11.3 miliardë lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie prej 44%. Dy janë arsyet kryesore të rënies së fitimeve:
Së pari, janë ulur të ardhurat neto nga interesat me rreth 3% me bazë vjetore për 9-mujorin, si rrjedhojë e mjedisit me interesa të ulëta përgjatë këtij viti, që arritën kulmin deri në gusht, ndërsa pas gushtit ka filluar tendenca rritëse.
Së dyti, dhe që ka dhënë ndikimin më të fortë, është shtimi i lartë i provigjioneve (fondet që bankat vënë mënjanë për të mbuluar kreditë me probleme), që u zgjeruan me 9 miliardë lekë apo 217% për 9-mujorin, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.
Shtimi i këtyre fondeve ka ardhur teksa niveli i kredive me probleme ka shënuar një tjetër rritje përgjatë këtij viti, për të arritur në 21.4% në fund të gushtit, nga rreth 18% që zbriti në fund të vitit të kaluar, si rrjedhojë e fshirjes së huave me probleme.
Fitimi i bankave pritet të shënojë ulje të mëtejshme, teksa Banka e Shqipërisë po orienton provigjionimin e plotë dhe prudent të kredive me probleme, duke filluar nga dhjetori i këtij viti. “Banka e Shqipërisë do të nxisë bankat të provigjionojnë përtej vlerave minimale të përcaktuara në aktet rregullatore, në bazë të klasifikimit që i bëjnë kredimarrësit. Ndonëse nga një këndvështrim afatshkurtër, kjo mund të jetë më e kushtueshme për bankat, në afat të gjatë ajo garanton stabilitetit më të qëndrueshëm të rezultatit financiar, edhe në rastet e falimentimit të kredimarrësve”, ka pohuar BSH.

Artikulli paraprakKLSH: 200 milionë euro humbje në vit nga korrupsioni
Artikulli tjetërOSBE kërkon angazhim për nisjen e reformës zgjedhore