PD, Sefa: Mbi 70 % e qytetarëve shqiptarë kanë besim te SPAK! Ti mbështesim

Partia Demokratike ka bërë gati dhe ka dorëzuar sot në Parlament amendamentet, për të mbështetur SPAK-un në misionin që ka marrë përsipër.

I ftuar në A2 CNN, Sekretari për çështjet ligjore i PD, Indrit Sefa ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me hartimin e amendamenteve të dorëzuara sot në Kuvend.

Fjala e plotë

Ky është qëndrimi jonë për SPAK-un që në krye të herës. Që nga para se zoti Basha të jepte dorëheqjen, edhe pasi dha dorëheqjen, ky është një qëndrim koherent dhe konstant i Partisë Demokratike. Ky është një qëndrim i panegociueshëm. Kjo është një linjë politike që ne nuk e negociojmë me askënd, as për interesa politike të Partisë Demokratike, por edhe për mënyrën se si ne e shohim politikën.

Ne jemi në një moment shumë delikat për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Ne duhet t’i japim mbështetje totale SPAK-ut dhe organeve të reja të drejtësisë. Janë të vetmet që kanë një fije shprese dhe që kanë besimin e qytetarëve. Siç shohim edhe sondazhet e ndryshme që qytetarët shqiptarë mbi 70% e tyre kanë besim te SPAK-u dhe te organet e reja të drejtësisë.

Kjo është dhe detyra jonë që ne duhet të bëjmë të mundur t’i japim çdo lehtësi proceduriale prokurorëve të posaçëm dhe gjyqtarëve të posaçëm për të bërë detyrën e tyre. Ne nuk themi që këta janë të pagabueshëm, patjetër ka mundësi për përmirësim, për të bërë hetime më të mira dhe më të shpejta. Por të paktën vullneti është, është kryesori. Dhe këta po tregojnë vullnet për t’i çuar deri në fund të gjitha hetimet që po bëjnë.

Në qoftë se je në një formacion politik, ti ke një qëndrim institucional dhe një qëndrim partiak ose ideologjik. Tani, është e qartë qëndrimi i tyre është të shajnë e ta quajnë SPAK-un organizatë kriminale. Qëndrimi institucional, është qëndrim institucional.

Ky dyzimi që mundohet media t’i bëj dhe që mundohen ata me shumë përpjekje për t’ia bërë këtë punë, është iracional. Se Sali Berisha e bëri të qartë, “PD o me mua, o të shkrihet”. Ky është qëndrimi i Sali Berishës. Tani ne nuk e shikojmë botën me të njëjtat ngjyra. Unë në qoftë se nuk e shoh botën në të njëjtat ngjyra me Lulzim Bashën, unë nuk jam në një forcë politike ku ka qëndrim politik ndryshe nga ajo që besoj unë.

Unë dëgjoj kryeministrin që thotë: “ça janë disa oficerë BKH-je që vijnë e na kontrollojnë, kush janë këta”. Del aty në konventën e partisë socialiste, e thotë “pse do bëhemi ne republikë prokurorësh”. Apo siç kanë thënë dhe gazetarët nëpër media që kanë vajtur oficerët e BKH-së dhe janë përplasur me oficerët e gardës për të mos i lërë Rama që të hynë në kryeministri për të marrë prova. Apo udhëzimet që nxjerr Ëngjëll Agaçi se si duhet të sillen gjatë hetimeve që bën SPAK-u institucionate shtetërore.

Vetëm ne jemi pro SPAK dhe kjo është publike dhe kjo është e qartë. Është e qartë, është në dritë të diellit. Asnjë formacion tjetër politik nuk mbështet SPAK-un. Të tjerët janë bashkë. Janë bashkë me Ramën në këtë hall që u ka rënë.

Ka dy Shqipëri sot, një që duan të zhbëjnë SPAK-un dhe një pjesë tjetër të cilët duan ta mbështesin për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë 30-vjecare. Ata janë bashkë, është dhe një pjesë tjetër e shqiptarëve që duhet të bëhen bashkë për të mirën e tyre, për të mirën e fëmijëve të tyre.

Ne duhet t’i bëjmë ballë këtij fronti të së keqes që është kundër aspiratave shqiptare për t’u integruar në Bashkimin Europian, si dhe të ardhmes së fëmijëve tuaj. Është detyrë patriotike siç ka vajtur situata, sepse ata janë bërë të gjithë bashkë dhe janë shumë të fuqishëm, dhe janë të vullnetshëm të bëjnë çfarëdo lloj gjëje.

Artikulli paraprakKandidatët për drejtues të prokurorive të Durrësit dhe Shkodrës, KLP nis procedurat për verifikimin e pasurisë së tyre
Artikulli tjetërKujt po i vjen në ndihmë SPAK dhe si anija “Berisha-Meta” është e destinuar të mbytet?