PS rrëzon me votë kërkesat e Vettingut

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, ka paraqitur dje në Komisionin e Ligjeve, relacionin final për strukturat e rivlerësimit në Kolegjin e Apelimit. Mbledhja është shoqëruar me debate, sepse u kërkua shkurtimi i numrit të punonjësve. Mazhoranca ka miratuar shkurtimet, ndërsa opozita ka braktisur votimin.
Halimi ka thënë se këto shkurtime tregojnë mungesë përgjegjësie. Përfaqësuesja e institucionit ka akuzuar se me këtë reduktim cenohet puna e kolegjit. Në krah të kërkesës ka dalë edhe PD, e cila ka akuzuar shumicën se po shkurton stafin për Vetingun, pasi nuk e ka përparësi.
“Çdo ulje e këtij numri punonjësish, vlerësojmë se do të cenonte efektivitetin e veprimtarisë së organeve të rivlerësimit. Gjithashtu, edhe niveli i pagave i propozuar, është i justifikuar nga rëndësia që paraqet procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, është shprehur Halimi.

Pikat e relacionit të opozitës

Miratimi i strukturave dhe klasifikimi i pagave nga Kuvendi, bazohet në nenin 18 të Ligjit nr. 84/2016, ku specifikohet se: “1. Institucionet e rivlerësimit kanë personel dhe pajisjet e nevojshme për të përmbushur detyrat e ngarkuara nga ky ligj. Struktura organizative dhe klasifikimi i pagave për personelin e institucioneve të rivlerësimit miratohen nga Kuvendi, me propozimin e institucionit përkatës. Personeli i institucioneve të rivlerësimit përbëhet nga njësia e shërbimit ligjor dhe punonjësit administrativë.
Strukturat organizative dhe niveli i pagave është propozuar nga vetë organet e rivlerësimit, sipas një modeli pothuajse uniformë, i cili përfshinë: a) Kryetarin dhe Kabinetin e tij; b) Anëtarët e organit; c) Njësinë e Shërbimit Ligjor; d) Sekretarin e Përgjithshëm; e) Drejtorinë/Sektorin e Përkthimit; ë) Drejtorinë/Sektorin e Dokumentacionit; f) Drejtorinë Ekonomike dhe Shërbimet Mbështetëse. Në total, numri i punonjësve për tre organet është 185 punonjës, i ndarë si më poshtë: a) Komisioni i Pavarur i Kualifikimit – 68 punonjës; b) Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese – 65 punonjës; c) Komisoneri Publik – 52 punonjës. Ndërkohë, paga e anëtarëve përcaktohet nga ligji (përkatësisht e barabartë me pagën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese). Ndërkohë që shtesa mbi pagë propozohet të jetë 200 për qind për anëtarët e organeve të rivlerësimit, dhe 50 për qind për këshilltarët.
Shpreh mbështetjen e plotë për miratimin e vendimit të Kuvendit për strukturat organizative dhe nivelin e pagave, për të tre organet e rivlerësimit, duke vlerësuar se numri i punonjësve i propozuar prej tyre, duhet të konsiderohet nga Kuvendi si numër minimal, që mund t’i vihet në dispozicion. Çdo ulje e këtij numri punonjësish, vlerësojmë se do të cenonte efektivitetin e veprimtarisë së organeve të rivlerësimit. Gjithashtu, edhe niveli i pagave i propozuar, është i justifikuar nga rëndësia që paraqet procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në të tre strukturat e organeve të rivlerësimit, rezulton se nuk është përfshirë pozicioni i anëtarit zëvendësues. Në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe Ligjit nr. 84/2016, Kuvendi i Shqipërisë ka emëruar edhe anëtarët zëvendësues, të cilët duhet të jenë pjesë e strukturës së organeve të rivlerësimit. Në kuadër të ruajtjes së pavarësisë dhe paanshmërisë së anëtarëve zëvendësues, të cilët marrin pjesë në raste të caktuara në vendimmarrjen e organit, është e domosdoshme që ato të jenë pjesë e strukturës së organeve të rivlerësimit. Në të kundërt, nëse ato do të vijojnë të jenë pjesë e institucioneve ku punojnë aktualisht (qeveri, kuvend, sektori privat), dhe do të thirren rast pas rasti, për të qenë pjesë e vendimmarrjes së organeve të rivlerësimit, atëherë kjo do të kompromentonte procesin e vendimmarrjes dhe pavarësinë e paanshmërinë në vendimmarrje. Propozimi ynë ka qenë dhe mbetet që anëtari zëvendësues duhet të punojë me kohë të plotë në organet e rivlerësimit dhe të shërbejë si ndihmës i relatorit në çështjet ku nuk përfshihet në trupat e gjykimit.

Propozimi për numrin e punonjësve

Për shkak të volumit të punës dhe faktit që procesi është i limituar në kohë, vlerësojmë se numri i punonjësve të Njësisë së Shërbimit Ligjor duhet të jetë më i lartë (gjithsej 69 punonjës, nga 42 punonjës që propozohet).
Sipas ligjit, këshilltarët e kësaj strukture ushtrojnë veprimtari këshilluese dhe ndihmëse në procesin vendimmarrës. Për pasojë, propozimi ynë është si më poshtë:
a) Njësia e Shërbimit Ligjor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të përbëhet nga 36 punonjës, nga të cilët 24 Këshilltarë Ligjorë dhe 12 Këshilltarë Ekonomikë. Në këtë mënyrë sigurohet që secili anëtar i KPK të ketë një këshilltar/ndihmës për secilin nga komponentët e rivlerësimit.
b) Njësia e Shërbimit Ligjor në Kolegjin e Apelimit të përbëhet nga 21 punonjës, nga të cilët 14 Këshilltarë Ligjorë dhe 7 Këshilltarë Ekonomikë.
c) Njësia e Shërbimit Ligjor të Komisionerit Publik të përbëhet nga 12 punonjës, nga të cilët 8 Këshilltarë Ligjorë dhe 4 Këshilltarë Ekonomikë.
Veçanërisht “Njësia e Shërbimit Ligjor” në KPK, duhet të ketë burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për të udhëhequr, nën drejtimin dhe kontrollin e anëtarëve të KPK, të gjithë procesin e vlerësimit të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. KPK nuk mund të marrë të mirëqena informacionet dhe relacionet e përgatitura nga organet e treta, por duhet të jetë organ me kompetencë të plotë për të verifikuar të gjitha të dhënat mbi vlerësimin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale të kryer nga organet e treta sipas vendimit te Gjykates Kushtetuese.
Për ilustrim, është krejtësisht e papërshtatshme që KPK propozon që Njësia e Shërbimit Ligjor (që do të merret me themelin e çështjes, pra rivlerësimin) të ketë 16 punonjës, ndërkohë që Drejtoria Ekonomike dhe Dokumentacionit (struktura mbështetëse) të ketë 31 punonjës.
Për Kuvendin e Shqipërisë, efikasiteti i procesit të rivlerësimit dhe përfundimi i tij në një kohë sa më të shpejtë duhet të jetë parësorë. Për këtë qëllim, duhet t’i jepet prioritet strukturave teknike ndihmëse/këshilluese. 7. Nëse pranohet shtesa e propozuar për Njësinë e Shërbimit Ligjor, mund të vlerësohet mundësia që për shkak të numrit të ulët të punonjësve, Sekretari i Përgjithshëm dhe stafi mbështetës (financat, burimet njerëzore, punonjësit e mirëmbajtjes, IT, siguria, etj.) i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të jetë në dispozicion edhe të Komisionerit Publik. Në këtë kontekst, stafi mbështetës mund të jetë i përbashkët për KPK dhe Komisionerin Publik.

Artikulli paraprakDy skenarët e Ramës për miratimin e ligjit të plehrave
Artikulli tjetër14 mënyrat për tu punësuar në Shtetet e Bashkuara