Dy skenarët e Ramës për miratimin e ligjit të plehrave

Rama po përgatit terrenin e duhur për të miratuar me çdo kusht ligjin që i hap rrugën importit të plehrave. Partia Socialiste ka futur në rendin e ditës së punimeve të Parlamentit votimin e Presidentit Nishani për plehrat, diskutimet për të cilin do të nisin sot në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Ndërkohë që dy janë skenarët që qarkullojnë në mjediset e Partisë Socialiste për të shpëtuar ligjin e mbetjeve dhe për ta miratuar atë me çdo kusht. Skenari i parë është që dekreti i Presidentit të rrëzohet dhe kjo t’i hapë rrugë kthimit të ligjit të plehrave. Më 14 tetor të vitit të shkuar, Kreu i Shtetit vendosi t’i kërkojë Parlamentit rishikimin e disa neneve me argumentin se cenohej parimi kushtetues i një mjedisi të shëndetshëm. Sipas Nishanit, lejimi i importit të mbetjeve gjeneron një ndotje shtesë në raport me popullsinë dhe territorin e vendit. Po ashtu nënvizohet, se drafti është në kundërshtim me parimet e kërkuara prej Bashkimit Evropian. Por vetëm një javë më parë, kryetari i Grupit parlamentar Socialist, Taulant Balla, ka bërë të ditur se ligji i importit të mbetjeve do të tërhiqet nga Kuvendi dhe do t’i nënshtrohet një konsulte të gjerë me publikun. Sipas skenarit të parë të diskutuar nga grupi i PS, në rast se komisioni do të rrëzojë dekretin e Nishanit, atëherë automatikisht ligji i mbetjeve hyn në fuqi. Për të evituar reagimet e forta që mund të shkaktojë rrëzimi i dekretit të Nishanit, PS ka në plan edhe një tjetër skenar, i cili është edhe më i mundshëm për t’u aplikuar. Sipas burimeve brenda PS, socialistët mund të votojnë pro dekretit të Nishanit për ligjin e plehrave dhe të rihapin diskutimet për gjoja ndryshime në nene të caktuara. Çka në thelb thjeshtë u jep atyre edhe pak më shumë kohë për të manipuluar opinionin publik dhe kalimin e ligjit në fjalë. Në këtë mënyrë, PS do të votojë në favor të dekretit të Presidentit për të rrëzuar ligjin e parë për plehrat dhe për të hartuar një ligj të ri, i cili do të jetë po aq problematik. Burimet nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se, që të dyja këto skenare kanë si qëllim në vetvete miratimin e ligjit të plehrave ndonëse kalimi i tij mund të shtyhet pak në kohë.

Mbyllja e pazareve me koncesionet e plehrave

Gjithçka e ka fillesën nga një plan i Ramës dhe klientëve të tij për të nxitur biznesin e përpunimit të mbetjeve në Shqipëri, duke dhënë këtë shërbim me koncesion. Pas kontraktimit të koncesionarëve që do të realizojnë ngritjen e landfilleve për djegien e plehrave apo përpunimin e tyre janë ngritur në shumë raste hije të forta dyshimi për afera korruptive dhe lidhje të ngushta të koncesionarëve me kryeministrin apo njerëzit pranë tij. Të gjitha janë raste flagrante. Në mënyrë krejtësisht të papritur, pa asnjë diskutim publik apo transparencë, në qershor 2016, Edi Rama vendosi lejimin e importit të plehrave, duke amenduar ligjin e mbetjeve dhe duke e bërë atë më liberal ndaj importit edhe se ligji fillestar i qeverisë Berisha. Importi i plehrave është kundërshtuar gjerësisht nga qytetarët dhe paraqet rrezikshmëri për mjedisin dhe jetën e njerëzve, duke e kthyer vendin në depo të plehrave të vendeve të tjera. Justifikimet e qeverisë për lejimin e importit kanë qenë të mangëta dhe pak të besueshme. Justifikimi kryesor i qeverisë ka qenë detyrimi për harmonizimin e legjislacionit me atë të BE-së, por kjo gjë u përgënjeshtrua nga BE, e cila pranon që Shqipëria është e papërgatitur për menaxhimin e importit të plehrave nga jashtë. Vitin e fundit, qeveria ka dhënë me koncesion ndërtimin e disa impianteve të mëdha djegëse (inceneratorëve), në Elbasan, Fier dhe Tiranë, Durrës e Korçë dhe një sërë koncesionesh të tjera për landfille, çfarë ka rritur dyshimet se lejimi i importit të plehrave është bërë me qëllim për djegien apo groposjen në Shqipëri të plehrave të Italisë dhe vendeve të tjera europiane.

Shndërrimi i Shqipërisë në pikë grumbullimi plehrash

Tani që përmes blerjes masive të votave ia doli të krijojë shumicën e ëndërruar, Rama ka nisur të hartojë listën e gjatë të ligjeve klienteliste që do të kalojë në Parlament. E sigurtë që pritet të miratohet është i shumëdebatuari ligji për importin e mbetjeve, ku Rama, në një intervistë për një media franceze pranoi se, ligji i mbetjeve do të miratohet. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara. Rezoluta e përgatitur vitin e kaluar, në emër të Këshillit të Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave. Kjo rezulton nga një rezolutë e fillimgushtit të 2016 përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë. Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e ricklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mosrespektimi i kontratave ta kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë. Partia Demokratike, qytetarët, shoqëria civile, Aleanca kundër Importit të Plehrave kanë shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa kanë paralajmëruar kundërshtimin e miratimit të këtij ligji me të gjitha forcat.

Artikulli paraprakKur arti është e vetmja administratë që ka mbetur
Artikulli tjetërPS rrëzon me votë kërkesat e Vettingut