Pazaret e qeverisë me linjat e reja, paralizohet transporti interurban

Transporti interurban është paralizuar ditën e martë, si pasojë e një proteste të zhvilluar nga Shoqata e Transportit Ndërqytetas. Protesta njëditore erdhi pas një vendimi, të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për shtimin e linjave që kryejnë itineraret interurbane. Ndërkohë që, sipas nënkryetarit të shoqatës, Nexhdet Dalipi po i hapet rruga dhënies së lejeve për linja që do të operojnë në zona informale, të cilat sipas tij, do të punojnë abuzivisht.
“Ligji shprehet qartë që çdo linjë ka një operator. Nga vetë fjala ‘linja ndërqytetëse’ ka lidhje nga qendra e qarkut në një bashki. Tani këta kanë filluar të japin linja nga qendra fshatrash, nga zona informale, ku të gjithë këto operatorë do të futen në linjat tona, do të punojnë abuzivisht, siç vazhdojnë e punojnë sot e kësaj dite”, u shpreh nënkryetari i shoqatës, Nexhdet Dalipi.
Pas protestës ka reaguar edhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, e cila e ka cilësuar si të paligjshme protestën. Sipas këtij institucioni bllokimi i shërbimit është gjithashtu shkelje e kushteve të licencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve, duke u shkaktuar atyre dëm.
Nga ana tjetër, Ministria e Transportit bëri me dije përgjatë një periudhe 6-mujore në këtë institucion kanë ardhur mbi 150 kërkesa për shtim linjash, por janë aprovuar vetëm 90, që nuk kishin mbivendosje dhe ishin territore të pambuluara me shërbim.
Sipas ministrisë plotësimi i rrjetit me linjat e nevojshme bëhet me qëllim përmirësimin e sistemit të orareve, ndërsa fton të gjithë operatorët e transportit ndërqytetas, të vazhdojnë aplikimet për licencim sipas rregullave të përcaktuara për këtë proces.

Tenderi për transportin ndërqytetës

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës njoftoi se ka hapur garën për operatorët e interesuar në fushën e transportit ndërqytetës që duan të operojnë të paktën 1 nga 91 linjat e miratuara me një udhëzim të veçantë. Për këtë është ngritur edhe një komision i posaçëm për vlerësimin e ofertave.
“Komisioni vlerësues do të shqyrtojë dokumentacionin e të gjithë subjekteve të interesuara për këto linja, që do të aplikojnë deri më datë 04.08.2017, ora 13.00, në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës dhe sipas ligjit do të përzgjedhë vetëm një subjekt për linjë, që do të operojë në këto linja”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Bazë të vlerësimit të ofertave do të jenë kriteret e përcaktuara në udhëzimin  Nr. 5627, datë 18.11.2016 “Pёr përcaktimin e kritereve, rregullave dhe dokumentacionit për lëshimin e licencave dhe çertifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të udhëtarëve brenda vendit”, si dhe ofrimi i një shërbimi sa më cilësor për transportin në linjat specifike.
Referuar listës së re të linjave rezulton që për Qarkun Berat të jenë shtuar 8 të tilla, për Dibrën 4, Durrësi 10, Elbasani 13, Fieri 8, Gjirokastër 9, Korçë 3, Kukës 2, Lezhë 4, Tiranë 23, Vlorë 8. Aktualisht Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka shpallur fituesit për disa linja në vend vetëm pak kohë më parë dhe do të vijojë me plotësimin e gjithë linjave të reja.
Gjatë ditëve të fundit ka pasur një reagim nga Shoqata e Transportit Ndërqytetës, e cila ka akuzuar ministrinë se miratimi i linjave është dublim i atyre ekzistuese dhe se mbijetesa e kompanive në këto kushte është e pamundur. Kjo situatë u përshkallëzua edhe në një pezullim njëditor të transportit ndërqytetës për zonën e Juglindjes së Shqipërisë, por pavarësisht këtyre kundërshtimeve Transportet deklaruan se do të vazhdojnë me procedurat dhe se do të rrisin kontrollet për përmbushjen e kushteve nga subjektet operuese.

Artikulli paraprakFabregas nuk i trembet konkurrencës
Artikulli tjetërUjërat e zeza pushtojnë Ksamilin