Ujërat e zeza pushtojnë Ksamilin

Ksamil. Qindra pushues janë tmerruar dje teksa nën shezlongun ku ata po pushonin kanë vërshuar si lumë ujërat e zeza dhe të bardha për shkak të shpërthimit të pusetave. Paralajmërimet e banorëve dhe thirrjet e tyre prej disa javësh për situatën alarmante mbi erën e rëndë që kishte përfshirë qytetin dhe zonën e plazhit, dje dhanë rezultatin e tyre. Një masakër e vërtetë. Deti si kristal i Ksamilit e rëra e bardhë e tij, bashkë me plazhin unik në gjithë Europën u pushtuan nga ujërat e zeza.
Nga shpërthimi i pusetave, ujërat e zeza kanë pushtuar bregdetin në plazhin “Gjiri Poda” tek “Tre ishujt” në Ksamil. Turistët dhe pushuesit janë larguar të shqetësuar nga plazhi. Burimet thonë se ata janë tmerruar nga kjo situatë e paprecedent që nuk kishte ndodhur më parë. Ujërat e zeza e kanë bërë të pamundur pushimin në këtë zonë të Ksamilit edhe sepse ato kanë përfunduar në det, duke e bërë të pamundur edhe futjen për t’u larë.
Prej disa javësh, pusetat e ujërave të zeza në qendër të Ksamilit lëshonin erë të rëndë saqë po largonin pushuesit nga banesat dhe hotelet e zonës. Banorët ankoheshin për Ujësjellësin që ka lënë hapur pusetat, por drejtori Sheme Luloi deklaronte se faji për erën e keqe është i vetë banorëve që kanë kryer lidhje të paligjshme të ujërave të zeza. Ai premtoi ndërhyrje për pastrimin e rrjetit, por nga kjo deklaratë e deri dje kur në plazhin e Ksamili ka ndodhur një masakër e vërtetë, asnjë masë nuk u ndërmor.
Sezoni turistik është në muajt e pikut dhe Ksamili është mbushur me pushues vendas e të huaj, por ajo që ndodhi dje e shkatërron krejt imazhin e Ksamilit, i cili mesa duket do të mbyllë para sezonit dyert për turistët. Kështu, në qendër të Ksamilit, banorët ankoheshin për erën e keqe sidomos në orët e pasdites që sipas tyre vjen nga pusetat anës rrugës.
Për të mbytur erën, ata i kanë mbuluar me qese plastike, ndërsa thonë se kjo situatë po largon pushuesit nga banesat dhe hotelet e zonës. Nëpër lagje sapo kishte përfunduar një projekt i komunitetit europian dhe qeverisë shqiptare për sistemin e rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, si dhe ishin vendosur 5 stacione pompimi për heqjen e ujërave të zeza. Projekti i përfunduar nuk është marrë në dorëzim nga Bashkia e Sarandës. Administratorja e Ksamilit, Valbona Oruçi, tha jashtë kamerave se është në dijeni të shqetësimit të banorëve, por sipas saj fajin duhet ta ketë Ndërmarrja e Ujësjellësit të Sarandës.
Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Sarandës, Sheme Luloi, ndërkaq thotë se është konstatuar një problem i tillë dhe se faji është i disa banorëve, të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë lidhur shkarkimin e ujërave të zeza në kolektorin e ujërave të bardha. “Momenti i tanishëm ka defektet dhe mangësitë e veta. Sot kam marrë masat, po përgatis agregatin që të shkojë të bëjë pastrimin e asaj pjese tek qendra e Ksamilit. Pastaj hap pas hapi të evidentojmë se cilat janë këta persona që kanë bërë shkarkimin e godinave të tyre tek rrjeti i ujërave të bardha. T’i evidentojmë, t’i riparojmë dhe më mbrapa të marrim dhe masa të ndryshme po qe e nevojshme”. Sipas drejtorit Luloi, do të pastrohet i gjithë rrjeti nga ujërat e zeza, si edhe do të evidentohen dhe priten të gjitha lidhjet në kolektorin e ujërave të bardha.
Por ndërsa autoritetet përkatëse merreshin duke fajësuar njëri-tjetrin mbi përgjegjësitë që duhet të marrë secila palë, Ksamili u shndërrua dje në një vatër të madhe ujërash të zeza, dëmet e të cilët do të rezultojnë fatale për turizmin shqiptar.

Ndotja dhe mungesa e masave

Vlora dhe Durrësi vitin e kaluar patën plazhet më të ndotura, ndërsa plazhet më të pastra i takojnë Velipojës, Dhërmiut, Himarës, Borshit dhe Sarandës, sipas monitorimeve që ka bërë Ministria e Mjedisit dhe që janë referuar për publikun nga INSTAT. Raportet e monitorimit përfshijnë shumë pika, duke nxjerrë me ndotjen më të lartë plazhet e Durrësit. Durrësi ka vetëm 1 plazh me cilësi të lartë, 7 plazhe me cilësi të mirë, 4 plazhe me cilësi të mjaftueshme, por për 9 plazhe të tjera, situata paraqitet emergjente me superndotje, raporton INSTAT.
Më tej, në radhë vjen Vlora, e cila ka 5 plazhe me cilësi të lartë, 1 plazh me cilësi të mirë dhe 4 plazhe me cilësi shumë të ndotur dhe kërkohet ndërhyrje emergjente. Në plazhet e tjera të vendit, situata është më normale. Të dhënat për cilësinë e ujërave në plazhet e Shqipërisë u referohen matjeve të përsëritura në të gjitha plazhet detare. Këto të dhëna i referohen kryesisht përmbajtjes së kolonive të baktereve me origjinë nga shkarkimet në ujërat detare dhe lumenjve. Treguesit për cilësinë e ujërave larës në këtë botim janë administrativë dhe japin vlerat mesatare të përmbushjes së standardeve cilësore të ujërave në plazhin përkatës referuar standardeve të cilësisë vendosur nga OBSH.
Treguesit e cilësisë së ujërave larës në plazhet e Shqipërisë kanë qëndruar përgjithësisht në të njëjtat nivele, me cilësi të shkëlqyer ose të mirë në 85,0% të tyre. Shqipëria ende nuk ka e zgjidhur problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza në plazhe.

Artikulli paraprakPazaret e qeverisë me linjat e reja, paralizohet transporti interurban
Artikulli tjetërKoncesioni i shkollave, afera 79 miliardë lekë