Fabregas nuk i trembet konkurrencës

Cesc Fabregas nuk i trembet aspak konkurrencës në radhët e Chelsea-t. Mesfushori spanjoll shprehet se është gati për të dhënë maksimumin në sezonin e ri, pavarësisht se konkurrenca në mesfushë është rritur pas transferimit të të riut Tiemoue Bakayoko nga Monaco.
Liverpuli është në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga Southampton për transferimin e mbrojtësit belg, Van Dijk. Klubi i kuq e ka rritur ofertën në 50 mln paund për shtatlartin dhe njëkohësisht ka kërkuar falje pas akuzave të “The Saints” se po ushtronte presion për transferimin e lojtarit.
Tottenham nuk ka nevojë për të afruar lojtarë të tjerë dhe është gati të luftojë për titullin kampion në Premier League. Këtë e thotë mesfushori Mousa Dembele që shton se largimi i Walker është një minus i madh për skuadrën, por shton se grupi është i plotë dhe gati për një sezon të gjatë. Ndërkohë, Sisoko po stërvitet i vetëm në Londër pasi nuk është përfshirë në listën e turit veror nga Pochettino që gjithsesi ka konfirmuar se lojtari do të jetë pjesë e ekipit.
Henrikh Mkitaryan e pranon se nuk e ka justifikuar ende shumën e paguar nga Mourinho për transferimin e tij një vit më parë. Sulmuesi armen që u bashkua me “Djajtë e Kuq” për 26 mln paund thekson se do të japë maksimumin për të bindur portugezin, i cili beson shumë tek aftësitë e tij.
Jurgen Klopp kërkon Max Krusen te Liverpool. Sipas mediave angleze, trajneri gjerman i ka kërkuar drejtuesve të klubit anglez të insistojnë për sulmuesin e Werder Bremen, kontrata e të cilit me skuadrën gjermane përfundon në vitin 2019. Për 29-vjeçarin interesohet edhe Spartaku i Moskës, por rusët vështirë që mund të konkurrojnë me Liverpulin për shërbimet e Kruses.
Pasi përfitoi rreth 30 milionë euro nga shitja e Arnautoviç te West Ham, Stoke City po punon për të gjetur zëvendësuesin e sulmuesit austriak. Sipas raportimeve nga media angleze, drejtuesit e Stoke janë fokusuar te Yevhen Konoplyanka, i cili nuk do ta vazhdojë karrierën te Schalke.
Antonio Conte synon t’i rrëmbejë Interit Antonio Kandrevën. Raportohet se Chelsea është gati të ofrojë 25 milionë euro për futbollistin italian. Zikaltrit në parim janë gati ta shesin 30-vjeçarin, por synojnë të përfitojnë sa më shumë nga kartoni i tij. Kandreva sezonin e kaluar u aktivizua në të gjithë ndeshjet e Serisë A, duke shërbyer 5 gola.

Artikulli paraprakRekord shpenzimesh
Artikulli tjetërPazaret e qeverisë me linjat e reja, paralizohet transporti interurban