Pas Presidencës, Macron po fiton edhe Parlamentin

Partia e qendrës e presidentit të ri francez, Emmanuel Macron fitoi shumicën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare. “Republika në marshim” la pas dy partitë kryesore franceze me një fitore të paprecedent, një zhvillim që pritet t’ia lehtësojë presidentit Macron procesin e miratimit të axhendës së tij në Asamblenë Kombëtare. Por ky raund i parë votimi shënoi një nivel të ulët rekord me më pak se 41% pjesëmarrjeje të votuesve, dëshmi se francezët e kanë humbur besimin tek politikanët e tyre.
Partia e re, e presidentit të ri francez Emmanuel Macron është e vendosur për një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare, pas rezultatit të raundit të parë të votimit që i dha asaj 28 për qind të votave.
Ky rezultat për partinë e tij “Republika në marshim” dhe aleatin e saj partinë “MoDem” (Lëvizja Demokratike) që mori katër për qind të votave, u siguron atyre një shumicë të madhe prej 400 vendesh nga 577 gjithsej të Asamblesë Kombëtare, nëse kjo prirje suksesi do t’i ndjekë edhe gjatë raundit përfundimtar të votimit javën e ardhshme.
Por raundi i parë i votimit që u zhvillua dje shënoi një rekord mospjesëmarrjeje. 52 për qind e popullsisë nuk mori pjesë në proces.
“Jam mbështetës i partisë ‘Republika në marshim’, por ekziston një problem legjitimiteti lidhur me procesin, në një kohë kur më shumë se 50 për qind e votuesve nuk kanë shkuar për të votuar, pa llogaritur ata që hodhën votën e bardhë, të pashënuar apo të pavlefshme. E vërtetë, po shkojmë drejt fitores, por mendoj se ekziston një problem i madh lidhur me ligjshmërinë e procesit”, thotë Frederic Maynier, qytetar francez.
Shumë votues janë skeptikë ndaj të gjithë politikave.
“Për shkak të të gjitha premtimeve që bëjnë dhe që asnjëherë nuk i mbajnë, gjithnjë e më pak njerëz shkojnë të votojnë”, thotë David Queneutte, votues.
Partia “Republika në marshim”, që u krijua vetëm një vit më parë me qëllimin për të zgjedhur president Emmanuel Macronin, futi në garë një numër të paprecedent kandidatësh të panjohur. Shumica nuk ishin zgjedhur asnjëherë më parë, vetëm pesë për qind e tyre ishin anëtarë të Parlamentit në largim.
Disa mendojnë se ia vlen që t’i japin presidentit të ri një shans për t’i ndryshuar gjërat për mirë.
“Asnjëherë nuk kemi parë një gjë të tillë, një kandidat të panjohur që merr pushtetin dhe një numër kandidatësh të panjohur që bëhen pjesë e Asamblesë Kombëtare. Ky është revolucion, ndoshta do të na çojë në diçka të mirë, ende nuk e dimë, do ta shohim”, thotë Francis Poulain, votues.
Edhe ky votues mendon njësoj.
“Është e rëndësishme t’i jepet presidentit aktual shumica në Parlament, përndryshe nuk do të ketë mundësi të ndryshojë Francën”, thotë Thibault Gouache (Tibo Guash), votues. Partia Republikane konservatore pritet të formojë bllokun e dytë më të madh politik në Asamblenë Kombëtare sipas parashikimeve me 95 deri 125 vende.
Partia e ekstremit të djathtë “Fronti Kombëtar” e Marine le Pen, që humbi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale muajin e kaluar përballë Emanuel Macronit, në raundin e parë mori vetëm 14 për qind të votave.
Raund i dytë zhvillohet më 18 qershor. Kryeministri Edouard Philippe u bëri thirrje votuesve francezë të rrisin pjesëmarrjen, duke theksuar rëndësinë e votimit.

Artikulli paraprakBasha: Plani ekonomik i PD, do japë menjëherë rezultate konkrete
Artikulli tjetërBerati, Republika e re