Berati, Republika e re

Nga Agim Xh.Dëshnica

Berati, qyteti liridashës i atdhetarëve të Pavarësisë kombëtare, si Jorgji Bab Dud Karbunara, Ilias Vrioni, Sami Vrioni, Dhimitër Tutulani, Ferit Vokopola, krenohet me bukurinë e lashtë mbi hapësirën e madhërishme, të maleve përqark. Në lindje Tomori mbi re, me kreshtën e shtrirë nën borë, nga shfaqet dielli në çdo mëngjes. Mali i Drobonikut me lagjen “Goricë” në hije e dritë, mbi Osum përballë mureve të Kalasë me Mangalemin pranë, ndërsa Shpiragu nën qiell nga perëndon me Qafën e Sinjës në mjegullnajë.
Berati sado i përgjakur dhe i goditur pabesisht nga arma vrastare e kazma e dhunshme e sundimtarëve komunistë, mbeti gjallë, muze i rrallë, me këngë e legjenda, monument kulture, lashtësi, histori që flet.
Kalaja e piktorëve shërbestarë të fesë, e banuar në shekuj, si askund, ruante Kodikët e Beratit, Kishën e Shën Triadhës me ikonat e Onufrit, Kishën e Shën Vllahermës, Katedralen e Shën Mërisë me afresket e ikonostasin plot art; Xhaminë e Hunqarit dhe Xhaminë e Kuqe me gjysmë minaren, me vjetëri qindra vjeçare. Mbron brenda mureve e kullave iliriane, nga furia e erërave të largët, shtëpitë me dritaret varg, çardakët nën strehët e gjera çatish, oborret e kopshtet, sokakët e sheshet e gurtë, historinë 2400-vjeçare. Nga Kulla Ali Pasha, në jugperëndim, zbret nëpër humnerë, një shkallare e mbuluar që përdorej për ujë në lumë.
Nën humnera e shpella, mbahet fort faqe shkëmbi Mangalemi- mrekulli, krijim i mjeshtrave artistë, me shtëpitë sup më sup, me vargje dritaresh, kopshte e oborre, mure e porta dhe sokakët, njëri sipër tjetrit. Si e varur në kep të shkëmbit, duket në kaltërsi Kisha e Shën Mëhillit. Poshtë kalon rruga kryesore e makinave e mbuluar me asfalt, nga hyrja veriore e qytetit, shumë kohë më parë. Në sheshin, ku ndodhet busti i Bab Dud Karbunarës, rruga ndahet në tri degë. E para, merr djathtas afër lumit e humbet larg. E dyta, pasi kalon para Xhamisë së Beqarëve, merr majtas, thuhej “ku dridhen qerret”, rreth Sarajeve të Pashallarëve, vepër madhështore monumentale e dënuar me shkatërrim nga sekretarët e krisur. Më larg të mbijetuara pas “revolucionit kulturor”, rreshtohen Xhamia Mbret, me tavanet e piktorëve- mjeshtra të panjohur, Teqeja e Helvetive- larushi ngjyrash, Xhamia e Plumbit me katër kupola gri. Xhamia e Telelkave. Mbi hotel Tomorin ngrihet madhështor Universiteti i Beratit, vepër arti e demokratit Astrit Veliaj, nga kanë dalë mijëra studentë, tani për habi, mbyllur me urdhër nga zyrtarët social-komunistë. E treta, rruga kryesore e qytetit historik, e tjetërsuar në “pedonale”, mbuluar nga “Rilindësit” hokatarë me plloça guri. Përbri zgjatet parku i krijuar para viteve ‘90, pas shembjeve barbare të një vargu dyqanesh pranë Osumit, tok me Hotel Kolombon, ndërtesë neoklasike, me pamje nga Kalaja. Në “pedonale” ndalohet kalimi i makinës si më parë. Duhet ta lësh diku larg, kushedi se ku, pastaj të ecësh më këmbë, nën erë, shi e borë, për në dyqane apo kafe, tek berberi ose me dhembje të mprehta me vrap tek ndonjë klinikë dentare. Me makinë gjobitesh nga Policia Rrugore, sepse çahen gurët e malit. Veçse, vërshimi i ujërave nga shiu, përrenjtë dhe lumi, nuk pyet, as gurët, as gjobëvënësit, as kryetarin e bashkisë nga Mjeshova, që ndërron parti e sekte fetare, mandej me shirit të kuq në sup e gjoks, shoqëron Peleshët për inaugurimin e shkatërrimit të qendrës së Beratit e të historisë së tij.
Pazaret e paharruar të tregtarëve në qendër të qytetit, Bezisteni, Kulla e Sahatit, punishtet, kafetë, pijetoret, heshtin nën themelet e pallateve me betone tulla socialiste. Ndërtesa e Prefekturës, përmendore historike tok me rrethimin, pajtonet me kuaj dhe lundra, shihen vetëm në foto. Emërtimet me vlerë për historinë e turizmin, janë fshirë nga dokumentet zyrtare, por aspak nga kujtesa e qytetarëve, si, “Lëmi i Shamatasë, Lëmi i Plykut, Ku dridhen Qerret, Rasa Çekbeni, Shpella e Memecit, Hani i Fëshfërimës, Hani i Shpiragut, Tregu i Kazanxhinjve, Zarizana, Pellgu te Trarët, ingjiri i Hafëz Rizait” etj. Këta emra romantikë, tashmë shkruhen nga studiuesit, me foljen në kohën e shkuar, ishte, ishin, kishin- humbje e pazëvendësueshme vlerash turistike.
Ura me shtatë harqe mbi Osum, ku sipas legjendës, prehet vasha e flijuar, bashkon fuqishëm bregun e rrapeve me lagjen Goricë me shtëpitë e fshehura faqemali, në hije e në pyll. Një kishë, zbardh në qendër, me kambanoren ndërmjet selvive. E dyta, në këndin lindor, ku merr përpjetë rruga, e njohur gjatë luftës, për në Drobonik. Pas ndreqjeve të zakonshme, papritur gjatë përurimit, shfaqet mbi urë, edhe Kryeministri rilindës, sikur e tëra qe ndërtuar për herë të parë, jo me florinjtë e Kurt Pashës më 1778, por me eurot e Saimirit të drogës. Nuk është aspak çudi se rilindësi ynë me ato origjina marramendëse, mund të jetë stërnip i Pashës. Në një takim me barsoleta ka pohuar se është, edhe nga Berati, jo nip bariu nga Mbreshtani i Shpiragut, siç thotë dikush nga fshati.
Lagjia “Murat Çelepi” më e gjelbëruara e qytetit, me Parkun e Madh të vitit 1930, rreth e qark plot me lule, me shtëpitë e bahçetë përrallore mbi brigjet e lumit, e masakruar nga kazma e qysqia e kuqe, tashmë jeton nëpër kujtime. Vetëm natën dëgjohet uturima e trishtuar e rrjedhës së Osumit dhe jehona e largët e krismave të vrasjes së poetit të lirisë Namik Mehqemeja dhe e shpëtimtarit Kostaq Stefa, të ekipit mjekësor amerikan. Ndërmjet prishjeve vandale renditen, Xhamia e Dylibegës në hyrje të qytetit nga niseshin besimtarët pas faljes për haxhillëk në Mekë. Sot në atë vend të shenjtë, ngrihet përpjetë gryka e një mitrolozi. Edhe Xhamia e Çelebi Hysen Pashës, e motit 1663, u kthye në depo, ndërsa Kulla e lartë e Sahatit me çezmën e ujin, u shemb rrafsh me tokën. Më tej, Shkolla Qytetëse, ndërtesë neoklasike, tek kalonte e ndalej pak më larg, Felbani austro-hungarez i hekurudhës Shkodër–Berat, sokakët e mbrojtur nga era, të pastër dritë, tok me çezmat, shtëpitë e bardha dykatëshe beratase, muret e portat me hark të lartë, oborret e puset, bahçetë e çikrikët e vaditjes me ujë nga rema, të gjitha u fshinë barbarisht nga faqja e dheut, me urdhër partie dhe me vendimin e vulën- gjak të Pushtetit Popullor. Gjithsesi Berati, ky qytet legjendar i trashëguar nga breza atdhetarësh, ky qytet dashamirës i demokracisë, sado i dhunuar nga sundimtarët komunistë, mundi t’i shpëtonte, pak a shumë, vlerat e veta.
Ndërkohë “Rilindësit” socialistë, pas qindra premtimeve, nuk kryen asnjë punë serioze për mirëqenien e qytetarëve dhe mirëmbajtjen e qytetit-muze, se paratë e taksapaguesve dhe të fondacioneve amerikane, u shpërdoruan për prishje rrugësh historike nga ata, që dukeshin e papritur zhdukeshin. Kanabisi i fshehur dhe paratë e pista nga shitja, janë në kasafortat e Rehovicave dhe e Klosëve të drogës me të cilat blejnë vota dhe deputetë pa dinjitet, të cilët ndërrojnë parti, sipas stilit ngjelian. Të lidhur me krerët, bijë kuadrosh të një kohe dhune që orvaten ta marrin në duart e tyre, qytetin më të bukur të Shqipërisë, vetëm për argëtim. Në çdo fundjavë mbërrinin zhurmshëm, jo për hallet e qytetarëve, por për dreka e darkat e shijshme të Beratit. Më pas, papritur, fillonte shkallmimi i asfaltit, mbulimi me gurë i rrugës kryesore të qytetit dhe i kujtimeve të rinisë, larg zonës muzeale të qytetit magjik, në mijëvjeçarin e ri! Në një kohë, kur Berati nuk vuan aspak nga mungesa e gurëve, por nga problemet e pazgjidhura ekonomike.
Gjatë katër viteve, që shkuan këta pushtetarë gënjeshtarë, u tallën me shpërndarje kartash pa vlerë, me shpërdorim fondesh për “lungomare”, “pedonale” qesharake dhe shkretimin e shesheve historike, kur në shumë qytete vuajnë nga mungesa e punës, e parave, e ujit dhe e dritave. Mandej luajnë filmash me makete ishujsh mbi lumë, me tunele autobusësh e trenash nën lumë dhe nën brigjet shkëmbore të Beratit. Ndërkohë ura madhështore me beton mbi Osum e autostradës së qeverisë Berisha që përshkon krahun perëndimor të lagjes “Murat Çelepi”, pret rifillimin e punimeve të ndërprera më 2013, se “Rilindja” e bujshme është mekur, asnjë mendim, asnjë projekt, nuk ka për këto punë tepër të vështira për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me shumë vlera, për mirëqenien e qytetit e Qarkun e Beratit.
Autostradat ndërmjet qyteteve dhe rrugët përmes fshatrave, janë gjithçka, punësim, bujqësi, zejtari, art, muzeume, gjallërim i tregtisë, hoteleri, shkolla, kulturë, shëndetësi, festivale, ndërsa nxitja e fshehtë për kultivimin e kanabisit, shkatërrim i bujqësisë, pakësim i blegtorisë dhe i bletarisë, varfëri, rrezik jete.
Gjatë kohës së qeverisë demokratike u ndërtuan rrugë të shumta nga Veriu në Jug: Rruga e Kombit, autostrada Lushnjë-Fier, Levan-Vlorë dhe gjysma Levan-Tepelenë. Filluan punimet për hapjen e Rrugës së Arbrit, Kardhiq-Delvinë. U zgjerua autostrada Tiranë-Durrës, Tepelenë-Gjirokatër. Rreth Gjirokastrës u ndërtuan dhjetëra rrugë. Hapja e tunelit të Kërrabës shkurtoi rrugën Tiranë-Elbasan e më tej, zgjerimin drejt Librazhdit me sinjalistikë deri në hyrje të Pogradecit. Kjo gjendje krijoi mundësinë për vazhdimin drejt Beratit deri në urën e madhe mbi Osum. Projekti mesa kuptohej synonte daljen në Memaliaj dhe në Sarandë. Për t’u ardhur në ndihmë fshatrave në krahun e djathtë të Osumit u ndërtua rruga, e cila qarkoi malin e Shpiragut deri në fshatin Sinjë dhe lidhi atë zonë të thellë me qytetin e Beratit.
Përveç këtyre arritjeve, nuk duhen harruar anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, përpjekjet, në kundërshtim me opozitën social-komuniste, për plotësimin e kushteve, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, marrëveshja përfundimtare me TAP, për kalimin e tubacionit të gazit përmes Shqipërisë, rritja e pensioneve dhe e pagave, ulja e taksave etj. Por votat e gabuara, pas mashtrimit të madh të “Rilindjes” së gënjeshtarëve, frenuan ecjen më tej.
Në qytet e fshat, shpresojnë, se ditë më të mira do të vijnë me Republikën e re që do të krijohet nga Partia Demokratike me aleatët e saj, pas një ndërprerje katërvjeçare. Republika e re, do të shtojë vendet e punës, prodhimin, do të ulë taksat, çmimin e naftës. Do të japë para për fermerët dhe do të ndihmojë direkt familjet në nevojë ekonomike duke paguar faturën e energjisë dhe të ujit të pijshëm. Do të ketë kreditim më të mirë të ekonomisë.
Votat janë vullneti dhe shprehja e besimit ndaj një të ardhmeje më të sigurtë jetese për Beratin, me ndihmesën e kandidatëve të djathtë, si: Eduard Halimi, jurist e ligjvënës i shquar, Astrit Veliaj, jurist, ekonomist dhe administrator i njohur. Bujar Hoxha, ish-prefekt i Beratit. Myslim Haxhi, veprimtar i palodhur për probleme të administratës, Juvina Qevani, eksperte psikologe dhe Monika Qosja, mjeke e përkushtuar për probleme shëndetësore të qytetit.
Të gjithë në votime për Republikën e re, me Lulzim Bashën në krye, këtë udhëheqës energjik, i cili nga viti në vit, me ndershmërinë e punën e tij, ka fituar besimin e respektim e qytetarëve, shtypit shqiptar dhe zyrtarëve të lartë në Europë e SHBA.
Zoti e bekoftë Beratin! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Artikulli paraprakPas Presidencës, Macron po fiton edhe Parlamentin
Artikulli tjetërPse Basha dhe Republika e re?