Një javë pas masakrës më të rëndë me armë zjarri në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, po zien përsëri debati për kufizimet mbi të drejtën e armëmbajtjes. Përpjekje të njëpasnjëshme për ligje të reja kufizuese kanë dështuar në të kaluarën në Kongres. Korrespondenti Michael Bowman njofton se po bëhet një përpjekje e re për të nxjerrë jashtë ligji një pajisje që i dha mundësi autorit të masakrës në Las Vegas të përdorte armët me një rezultat shumë më vdekjeprurës se ç’kishin aftësi fillimisht:
Sulmi në Njutaun të shtetit Konektikat, më pas në Çarlston të Karolinës së Jugut, në San Bernadino të Kalifornisë e shumë incidente të tjera shkaktojnë dhimbje, revoltim dhe zgjojnë thirrje për veprim. Por deri tani Kongresi nuk ka vepruar.
“Jemi mbledhur nga trishtimi, tronditja dhe dhimbja e përbashkët për të vrarët dhe të plagosurit e familjet e tyre”, u shpreh Nënpresidenti Mike Pence.
Ndërkohë që kujtohen viktimat në LasVegas, në të dyja Dhomat e Kongresit janë hartuar projektligje për të ndaluar pajisjet që u japin mundësi armëve gjysmë-automatike të qëllojnë me breshëri thuajse të ngjashme me armët automatike.
“E vetmja arsye përse i bëhen modifikime armës është që të mund të vrasësh sa më shumë njerëz brenda një kohe sa më të shkurtër”, shprehet Senatorja Dianne Feinstein.
Shoqata Kombëtare e Armëve, grupi më i madh lobist për të drejtën e armëmbajtjes, javën e kaluar sinjalizoi se mbështet “vendosjen e rregulloreve shtesë” mbi pajisje që intensifikojnë breshërinë e armës. Ata që kërkojnë kontroll mbi armëmbajtjen duan masa më të forta:
“Rregulloret janë mënyra për të krijuar vonesa. Ne duam të ndalohen këto pajisje”, tha Senatori Richard Blumenthal.
Për momentin, Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente për ndonjë prej propozimeve.
“Duam të përfshihemi në këtë diskutim. Duam të mbledhim informacion, do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në ditët e ardhshme”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Kreu i republikanëve në Senat la të kuptohej se nuk është shumë entuziast që të paraqesë për votim projekt-ligje mbi armët.
Mitch McConnell, kreu i republikanëve në Senat.
“Ende nuk kanë përfunduar hetimet. Është e parakohshme të diskutojmë zgjidhje legjislative, edhe sikur të ketë të tilla”, tha Senatori Mitch McConnell. Ndërkaq, është rishfaqur debati nëse kontrolli mbi armët ul ritmet e dhunës në vend, apo përbën kufizim mbi të drejtën kushtetuese të amerikanëve për armëmbajtje.