Objektivat e rinj të presidentit Trump

Qeveria e Presidentit të SHBA, Trump do t’i japë fund “luftës kundër qymyrit”. Me “Clean Power Plan” të paraardhësit të Trumpit, Obama, synohej të pakësohej nxjerrja e gazrave të efektit serë. Drejtori i Autoritetit të Ambjentit EPA, Scott Pruitt bëri të ditur në një takim në shtetin federal Kentucky, se do të nënshkruajë një projektligj për eliminimin e të ashtuquajturit Clean Power Plan, të qeverisë paraardhëse. “Ky është mesazhi i Presidentit: lufta kundër qymyrit mori fund”, tha Pruitt.
Plani për “energjinë e pastër” i Obamas parashikonte që nxjerrja e dioksidit të karbonit të termocentraleve deri në vitin 2030 të ulej me 32 për qind, nën nivelin e vitit 2005. Veç kësaj, lëndët e djegshme fosile do të zëvendësoheshin gjithnjë e më shumë me energji të ripërtëritshme.

Kartë e kuqe nga Gjykata e Lartë
Por Gjykata e Lartë i bllokoi këto plane në vitin 2016. Më shumë se një dyzinë shtetesh të drejtuara nga senatorë republikanë dhe shumë sipërmarrje nga sektori i energjisë i patën hedhur këto plane në gjyq, në vende të ndryshme. Pruitt, në atë kohë prokurori kryesor i Oklahomas, ishte njëri nga arkitektët e rezistencës juridike.

Alternativat? I kërkon kot
EPA argumenton se Obama i ka kaluar me planin në fjalë kompetencat e tij. Një propozim, si mund të kufizohen në të ardhmen emisionet, me sa duket autoriteti i ambientit nuk ka në plan të paraqesë. Këtë Supreme Court e paraqiti si kusht në vendimin e tij të vitit 2016. Në vend të kësaj, në bazë të një projekti, EPA ka në plan të mbledhë propozime nga ekonomia dhe shoqëria, për mënyrën si mund të zëvendësohet ky plan.

Largim nga strategjia e klimës e Obamas
Trumpi i dha detyrë në mars Autoritetit të Ambjentit, që ta verifikojë strategjinë për klimën të Obamas. Trumpi dhe shumë republikanë dyshojnë që sjellja njerëzore ndikon në ndryshimin e klimës. Në qershor, Trumpi shpalli se do të largohet edhe nga Marrëveshja e Parisit për Mbrojtjen e Klimës.

Strategjia e emigracionit
Presidenti Donald Trump e bëri të qartë se do të këmbëngulë për ndryshimin e sistemit të lejeve të përhershme të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, të ashtuquajturat karta jeshile, do të punësojë 10 mijë zyrtarë të rinj të emigracionit, si dhe do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit jugor të vendit. Ai i parashtroi këto si kushte për arritjen e një marrëveshjeje me demokratët për statusin e të ashtuquajturve “ëndërrimtarët”, personat që kanë ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.
Muajin e kaluar, Presidenti Trump njoftoi se synon t’i japë fund programit DACA të periudhës së ish-Presidentit Obama që mbron qindra mijëra të rinj që u sollën ilegalisht në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë.
Kërkesa e Presidentit për ndërtimin e një muri kufitar ishte ndër pjesët kyçe të suksesit të fushatës së tij për në Shtëpinë e Bardhë dhe ai e përsëriti këtë kërkesë muajin e kaluar kur mohoi se pati arritur një marrëveshje me udhëheqësit demokratë për këtë çështje.
“Po punojmë për një plan për programin DACA, që do të shoqërohet gjithashtu me një sistem kontrolli masiv të kufijve. Njerëzit duan që kjo të ndodhë. Kemi 800 mijë të rinj që janë sjellë këtu, jo për fajin e tyre, kështu që do të punojmë për një zgjidhje”, deklaroi Presidenti Trump.
Objektivat e Presidentit Trump për politikat e emigracionit synojnë edhe kufizimin e dhënies së kartave jeshile të afërmve të shtetasve amerikanë dhe atyre me qëndrim të përhershëm, si dhe për krijimin e një sistemi pikësh.
Por, demokratët kundërshtojnë me forcë shumë prej këtyre objektivave.
Gjatë një deklarate të përbashkët, udhëheqësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe ai në Senat, Chuck Schumer thanë se këto kërkesa “shkojnë shumë përtej të arsyeshmes”.
Por, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions nuk është dakort. Në një deklaratë të fortë të qarkulluar dje, zoti Sessions tha se kërkesat e Presidentit Trump “janë propozime të arsyeshme” dhe se “ato do të rezultojnë në një sistem emigracioni me integritet, për të cilin do të krenohemi”.
Presidenti Trump i ka dhënë Kongresit gjashtë muaj kohë për të hartuar një projektligj që do t’i mbronte “ëndërrimtarët” nga deportimi.

Artikulli paraprakPas Las Vegasit rihapet debati mbi armëmbajtjen
Artikulli tjetërRusi: Arrestohet shefi i Fondacionit Antikorrupsion