Pas Gjushit, të tjerë zyrtarë nën hetim për lirimin e Lul Berishës

Arrestimi i drejtorit të burgut të Durrësit dhe shpallja në kërkim e juristit të institucionit, ka bërë që Prokuroria të zgjerojë rrethin e personave në hetime, duke përfshirë edhe zyrtarë të lartë. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, pas arrestimit të drejtorit të burgut të Durrësit Astrit Kotaj dhe shpalljes në kërkim të juristit të këtij institucioni Teodor Labi, po hetohen të tjerë zyrtarë që kanë ndërhyrë për lirimin nga burgu të Lulzim Berishës.
I pari nga zyrtarët e lartë që është përfshirë në hetim është kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, pasi ka lëshuar një garanci për lirimin nga burgu të Lulzim Berishës, duke i ofruar punësim në Bashki. “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”, citohet shkresa e Dakos në vendimin e lirimit.
Ndërkohë, sipas burimeve të Prokurorisë, hetimet janë zgjeruar edhe me zyrtarë të tjerë të lartë që kanë dijeni apo kanë ndikuar në lirimin e Lul Berishës të dënuar për 5 vrasje. Prokuroria bën të ditur se, krahas hetimit ndaj zyrtarëve të burgut që përllogariten gabim ditët e vuajtjes së dënimit të Lulzim Berishës, po hetojnë edhe gjyqtarët dhe prokurorët që janë marrë me dosjen e të dënuarit si kreu i “bandës së Durrësit”. Sipas akuzës, krahas përllogaritjes së ditëve të vuajtjes së dënimit që kryen institucioni i burgut, edhe sektori i ekzekutimeve në Prokurorinë e Durrësit duhet të kishte llogaritur ditët, muajt dhe vitet që Lul Berisha ka kaluar në burg. Këto burime, sqaruan se është sekuestruar dosja e lirimit të Berishës në Gjykatën e Apelit dhe kartela personale e tij në burg.
Nga verifikimi paraprak, ka rezultuar se juristi i burgut tashmë i shpallur në kërkim, Teodor Labi dhe drejtori i burgut, Astrit Kotaj, kanë llogaritur gabim ditët e vuajtjes së dënimit. Por, edhe Prokuroria në këtë rast, mësohet se nuk përjashtohet nga përgjegjësia, pasi prokurori që ka lëshuar urdhërin e ekzekutimit për lirimin e tij nuk ka përllogaritur ditët e vuajtjes fizike të Lul Berishës. Nga ana tjetër, në dosje rezulton që në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit, Prokuroria ka shprehur qëndrimin e saj kundër lirimit të Berishës, por nuk ka përllogaritur ditët e vuajtjes, duke i marrë të mirëqenë llogaritjet e bërë nga institucioni i vuajtjes së dënimit në Durrës.
Për këtë fakt, Prokuroria po verifikon edhe zbatimin e ligjit nga ana e prokurorëve që janë marrë me dosjen e Lul Berishës. Ndërkohë, këto burime sqaruan se, Prokuroria po verifikon edhe vendimet e uljes së dënimit ndër vite nga gjykatat dhe verifikimin nëse është zbatuar korrekt edhe ligji i amnistisë për të dënuarit si kreu i bandës së Durrësit. Pasi, dyshohet se gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës, nuk kanë respektuar ligjin, duke i ulur dënimin Berishës edhe në rastet kur nuk mund të përfitonte.
Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u lirua më 5 dhjetor nga Gjykata e Apelit, pas një garancie për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, trupa gjyqësore e kryesuar nga Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin rendit nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori është kushti i kryerjes së ¾ të dënimit sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal.
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.
Përveç matematikës së ditëve të burgut, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se, “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”. Më pas, gjyqtarët argumentojnë se, “pozitiv vlerësohet fakti se aktualisht kërkuesi Lulzim Berisha ka një mundësi punësimi të garantuar nga Bashkia Durrës”. Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.

R.POLISI

Artikulli paraprakGrabitje me armë në Lezhë, plagoset polici
Artikulli tjetërBlushi-Ramës: Kthehu frikacak