Paralajmërimi për Ramën: Tërhiqu! Projekti për Teatrin është sovjetik

PD solidarizohet me kauzën e drejtë të artistëve. Kryetari Lulzim Basha dënoi ashpër dje planin e Ramës në lidhje me Teatrin Kombëtar. Basha bëri të ditur se Edi Rama, që ka planifikuar që para 20 vjetëve ndërtimin e një kulle tek Teatri Kombëtar, duhet të tërhiqet. Ai tha ndër të tjera se projektligji për Teatrin është një projekt sovjetik.
“Kemi diskutuar në Grupin parlamentar dy çështje të tjera të rëndësishme të aktualitetit dhe që kanë të bëjnë me bandën në pushtet që nuk njeh gjë tjetër veç cetralizimit të gjithçkaje.
Pasi u përpoqën dhe dështuan të vënë nën kontroll Federatën e Futbollit, tani i janë sulur artistëve.
Dua të shpreh solidaritetin dhe mbështetjen totale timen personalisht dhe Partisë Demokratike, për kauzën e drejtë të artistëve. Teatri nuk mund të jenë tullat dhe godinat. Teatri janë artistët, teatri është Robert Ndrenika dhe kolegët e tij. Ndaj, duke ju shprehur mbështetjen tonë totale, paralajmëroj Edi Ramën, i cili ka 20 vjet që planifikon të ndërtojë kullë tek Teatri Kombëtar.
E paralajmëroj të tërhiqet nga ky plan ogurzi. Asnjë veprim nuk mund të kryhet për Teatrin dhe me teatrin dhe me teatrin pa miratimin e faktorit kryesor, që janë artistët, sepse artistët janë Teatri”, tha Basha.

Kreu i PD deklaroi se në mënyrë absolute nuk duhet të kryhet asnjë lloj veprimi dhe se çdo nismë që zhbën funksionin e tij aktualisht është tërësisht kriminal. Basha ka dalë në krah të aktorëve të Teatrit Kombëtar që Edi Rama me anë të ministres së tij të Kulturës, përkthyeses Mirela Kumbaro, sot i ka nxjerrë jashtë ambienteve të punës. Basha është shprehur se Rama, pasi nuk kapi dot FSHF-në, tani i është vërsulur aktorëve.
Basha theksoi se PD parashikon një mbështetje të plotë ndaj artistëve në programin ndërsa vuri theksin tek decentralizimi dhe kufizimi i pushtetit qeveritar mbi fushën e artit.
“Asnjë veprim nuk mund të kryhet dhe natyrisht nuk mund të vihen në veprim skema korruptive siç është ndërtimi i gradaçelave, me të njëjtin sistem që po ndërtohet vepra tjetër kriminale, kulla me stadium, pa marrë shqyrtimin e çështjes nga artistët, të cilët kanë mbështetjen tonë të plotë. Sikundër kanë mbështetjen tonë të plotë në mossovjetizimin e artit, sepse projekt-ligji që po sillet, është një projekt sovjetik që njësoj si në çështjen e arsimit dhe çdo çështje tjetër, gjithçka të jetë në duart e qeverisë, përmes falsiteteve, bordeve që emërohen nga ministrat, kryeministri, zgjidhen drejtorë që do të ishte më mirë t’i zgjidhte kryeministri, do të ishte më e ndershme. Por kjo kohë ka marrë fund në Europë, do të marrë fund në Shqipëri.
Partia Demokratike është e vendosur se me vizionin tonë për decetralizimin, për kufizimin e pushtetit qeveritar, decentralizimin e kompetencave, ta zbatojë në të gjitha fushat, duke përfshirë fushën e artit”, tha Basha.
Kreu i PD deklaroi mbështetjen që PD parashikon ndaj artistëve dhe masat konkrete në mbështetje të artistëve.

“Artistët do të jenë ata që do të vendosin përmes bordeve të vërteta drejtuese dhe jo fiktive, të zgjedhura nga ministra dhe qeveria, përmes bordeve të vërteta të vendosin ata, drejtuesit e tyre, mënyrën e shpenzimit të të ardhurave, qofshin ato të ardhura buxhetore, të taksapaguesve shqiptarë, pa cilat arti nuk funksionon në asnjë vend të Europës. Qofshin ato të ardhura të përftuara nga aktiviteti i tyre.
Decentralizim, dhënia e pushtetit të plotë për menaxhimin e përditshmërisë, vetëm artistët përmes mënyrave dhe mekanizmave europiane dhe ndalja e planit ogurzi për përjashtimin e artistëve ndaj çdolloj vendimmarrje për teatrin, janë qëndrimet e qarta të Partisë Demokratike”, tha Basha.

Artikulli paraprakArtistët e Shkodrës dhe Vlorës i bashkohen protestës së Teatrit Kombëtar
Artikulli tjetërDrama e pagave të pedagogëve, produkt i ligjit klientelist