Panucci shpall listën e lojtarëve

Trajneri i skuadrës kombëtare të futbollit, Christian Pannucci, ka bërë publike dje listën e lojtarëve që do të grumbullojë për dy takimet zyrtare eliminatore, respektivisht të datës 2 shtator në Elbasan me Lihtenshtejnin dhe më 5 shtator në Strumica me Maqedoninë.
Në grumbullimin e tij të parë me ekipin kombëtar, që pas marrjes së detyrës, trajneri Panucci ka thërritur edhe lojtarë që në skuadrën përfaqësuese vijnë për herë të parë, në një kohë që gjatë gjithë kësaj periudhe ka vëzhguar një pjesë të mirë të lojtarëve në takimet zyrtare, apo miqësore që ata kanë luajtur me skuadrat ku dhe luajnë.
Kjo është lista e të grumbulluarve:
Portierë: Etrit Berisha, Thomas Strakosha dhe Alban Hoxha.
Mbrojtës: Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Mërgim Mavraj, Berat Djimshiti, Elseid Hysaj, Frederik Veseli, Hysen Memolla dhe Ivan Balliu.
Mesfushorë: Migjen Basha, Andi Lila, Ledian Memushaj, Burim Kukeli, Eros Grezda, Jahmir Hyka, Odise Roshi, Liridon Latifi dhe Amir Abrashi.
Sulmues: Valon Ahmedi, Sokol Cikalleshi, Azdren Llullaku dhe Armando Sadiku.

Hasi: Short i vështirë, por japim maksimumin

Juventusi, Barcelona dhe Sportingu i Lisbonës, short më të vështirë për Besnik Hasin dhe Olympiakosin e tij në grupet e Champions League nuk mund të kishte. Trajneri shqiptar e mbajti premtimin që bëri gjatë momentit kur u prezantua te gjigantët e futbollit grek, se do ta kualifikonte klubin nga Pireu mes 32 skuadrave më të mira të Europës. Hasi ishte shprehur se do të dëshironte gjithashtu një skuadër të madhe në grupet e Champions League, por shorti i hedhur në Montecarlo këtë të enjte nuk u tregua aspak bujar me skuadrën e trajnerit shqiptar, pasi Olympiacos do të sfidojë dy skuadrat që diskutuan mes tyre finalen e vitit 2015-të, ndërsa Juventusi shkoi deri në finalen e edicionit të fundit.
Një kundërshtar i vështirë është edhe Sportingu i Lisbonës dhe kalimi i grupit bëhet një mision i pamundur për Olympiacosin. Në një intervistë ku foli për shortin e Championsit, Hasi theksoi se përballjet ndaj Barcelonës dhe Juventusit do të jenë një eksperiencë e bukur për futbollistët, por edhe për tifozët. Shqiptari i stolit të Olympiacosit shtoi se, shorti ka qenë shumë i vështirë për skuadrën e tij, por Olympiacosi do të bëjë më të mirën për të bërë një paraqitje sa më pozitive në grupin D të UEFA Champions League dhe për të tentuar pse jo të lërë pas Sportingun e Lisbonës për t’u renditur i treti dhe për të vazhduar aventurën në Europa League.

Januzaj ironik: Golin e parë do t’ia dedikoj Van Gaal

Është transferuar te Real Sociedadi për të lënë pas momentet e vështira në karrierë dhe për të treguar sesa vlen. Adnan Januzaj kërkon të rikthehet ai i dikurshmi te skuadra baske, pasi te Manchester United nuk arriti të spikaste asnjëherë. Fajtor për këtë sipas lojtarit me origjinë shqiptare është ish-trajneri i Djajëve të Kuq, Louis Van Gaal, i cili nuk i dha asnjëherë mundësinë për të shfaqur talentin e tij. Kjo është një nga arsyet që Januzaj në një intervistë të fundit ka theksuar se golin e parë që do të realizojë me fanellën e Real Sociedadit do tia dedikojë trajnerit holandez. Një deklaratë ironike kjo e Januzajt, i cili ka nënvizuar se raportet e tij me Van Gaal kanë qenë shumë të këqija.

Interi synon shkëmbimin e Gabigol me Lopez

Aventura e Gabriel Barbosa, i njohur ndryshe si Gabigol është drejt fundit te skuadra e Interit, ku u transferua në verën e 2016 nga Santosi për shumën e 29 milionë eurove. 20-vjeçari nuk bënë më pjesë në planet e trajnerit Spalletti dhe me shumë mundësi do të largohet këtë verë. Sipas mediave italiane, zikaltërit kanë nisur bisedimet me Benfican për transferimin e lojtarit në Portugali. Drejtuesit e Interit i kanë propozuar portugezëve një shkëmbim, ku lojtari i preferuar nga italianët është Lisandro Lopez, pasi mbrojtësi pëlqehet shumë nga trajneri Spalletti.

Artikulli paraprakHidhet shorti, Skënderbeu kundër Partizanit të Beogradit
Artikulli tjetërKoment për ambasadorët e l…