ONM rrëzoi kandidaturën e Ramës

Mes 11 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka dhe një përfaqësues nga shoqëria civile, siç parashikon neni 149 i Kushtetutës.
KLP është një nga institucionet më të rëndësishme që dolën nga reforma në drejtësi. Ai është institucioni përgjegjës për sigurimin e pavarësisë, mbarëvajtjes dhe llogaridhënies në sistemin e Prokurorisë, përfshi dhe propozimin e kandidatëve për prokuror të Përgjithshëm dhe emërimet e shkarkimet e prokurorëve.
Mosarritja e krijimit të KLP-së, që sipas Kushtetutës duhet të ishte formuar në shkurt, ka shkaktuar javët e fundit një sërë situatash të paligjshme, si në rastin e zgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe më pas, emërimet dhe shkarkimet e bëra prej saj.
Mosgjetja e një anëtari nga shoqëria civile në KLP ka qenë arsyeja kryesore për mosformimin e institucionit (KLP) në kohë. Kërkimi për një anëtar nga shoqëria civile ka kaluar përmes 6 thirrjeve të pasuksesshme publike për kandidatë, vetëm për të gjetur, pas 10 muajsh, tashmë që kryeprokurorja e përkohshme u zgjodh, katër kandidatë të kualifikuar.
Një inspektim i raportit të përgatitur nga Avokati i Popullit në lidhje me tërë procedurën e përzgjedhjes, tregon se Komisioni i Shoqërisë Civile (KSHC), i cili drejtoi kërkimin, herë pas here ishte arbitrar dhe në disa pika dështoi të ndiqte procedurat e duhura. Mënyra në të cilën Parlamenti më pas “renditi” këta kandidatë është edhe më alarmuese.

Komisioni i Shoqërisë Civile

KShC-ja u drejtua nga Andi Dobrushi, drejtor i Fondacionit Soros/Open Society në Shqipëri. Anëtarë të tjerë ishin Rajmonda Bozo, Ina Xhepa, Elsa Ballauri dhe Atmir Mani. Takimi i parë u mbajt më 27 shkurt 2017. Pesë kandidatë kishin aplikuar për pozicionin në KLP: Bledar Alia, Mevlut Derti, Drita Avdyli, Alban Tutulani, Plarent Ndreca. Në dy takime më 1 dhe 10 mars, 5 kandidatët u vlerësuan nga KShC.
Kandidaturat e Aliajt, Dertit dhe Avdylit u refuzuan nga KSHC. Ato u skualifikuan sepse nuk kalonin kriteret formale për pozicionin, duke përfshirë një diplomë master në drejtësi, 15 vjet përvojë si jurist dhe angazhimi për të paktën 5 vjet në organizata të shoqërisë civile (sipas nenit 152 të Ligjit nr. 115/2016 “Për institucionet qeverisëse të sistemit të drejtësisë”).
Dy kandidatëve të tjerë Ndreca dhe Tutalani iu kërkuan sqarime të mëtejshme për aplikimin, përfshirë dhe projektet e shoqërisë civile ku ata ishin përfshirë. Në një takim të dytë më 4 prill, të dy këto kandidatura u refuzuan: Ndreca sepse nuk mundi të provojë se ka punuar për një OJQ për të paktën 5 vjet dhe Tutulani sepse ishte shkarkuar nga zyra e Prokurorisë në vitin 2002 nëpërmjet një dekreti presidencial.
Ndërkohë, Bledar Alia e ankimoi vendimin sepse KShC nuk e kishte vlerësuar si të vlefshme punën e tij për një OJQ të regjistruar në BE. Në të vërtetë, neni 152 (2) (d) nuk specifikon se OJQ-ja me të cilën ka punuar kandidati duhet të jetë patjetër shqiptare. Sidoqoftë, KShC arriti në përfundimin se nuk është në gjendje të rishqyrtojë ndonjë nga vendimet e saj bazuar në ankesat:
“Pas shqyrtimit të kësaj ankese, komisioni vendosi që vendimet e tij si organ kolegjial janë vendime përfundimtare dhe nuk mund të rishikohen pavarësisht nga ankesat e paraqitura nga aplikantët”.
Në të njëjtën kohë, KShC vendosi të informojë Ndrecën se mund të paraqesë një ankesë kundër refuzimit të kërkesës së tij në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë. Ndreca paraqiti një kërkesë, e cila u refuzua më pas nga gjykata.
Në mbledhjen e 9 majit, KShC vlerësoi dy kandidatë të rinj, Mimoza Qinami dhe Tartar Bazaj. Qinami ka konflikt interesi sepse ajo ka ushtruar profesionin e avokatit privatisht në studion e saj ligjore gjatë dy viteve të fundit. Por, zonja Qinami ndryshe nga kandidatët e mëparshëm u lejua të dërgonte dokumente shtesë për të plotësuar këtë boshllëk në aplikimin e saj deri në takimin e radhës. Nga ana tjetër, kandidatit Bazaj, i cili kishte një diplomë master të njohur nga shteti shqiptar nuk iu dha kohë shtesë për të paraqitur dokumentet e tij.
Në mbledhjen e 11 majit, aplikimi i Bazajt u refuzua në bazë të kritereve formale. Ndonëse ky ishte takimi i radhës pas takimit të 9 majit, KShC nuk e shqyrtoi aplikimin e Qinamit, duke i dhënë asaj përsëri kohë shtesë për të gjetur dokumentet e duhura.
Një mbledhje e jashtëzakonshme u mbajt më 29 maj, për të vlerësuar provat e reja të siguruara nga Prokuroria në lidhje me shkarkimin e Tutulanit. Përsëri KShC vendosi të mos e rishqyrtojë vendimin e tij. Kërkesa e Tutulanit u refuzua nga Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë. Ndërkohë, komisioni duket se ka harruar plotësisht për problemin e Qinamit.
Deri më tani kemi arritur në thirrjen e tretë për kandidatë dhe në mbledhjen e 26 korrikut, Komisioni shqyrtoi dosjen e tre kandidatëve të rinj: Kostandin Kazanxhi, Lindita Xhillari dhe Vasil Shandro. Përsëri gjejmë procedura “interesante”. Edhe pse Kazanxhi duhet të skualifikohej në bazë të kritereve formale, KShC-ja i jep atij kohë shtesë për të sjellë më shumë dokumente për të mbështetur kandidaturën e tij. Të dy Xhillari dhe Shandro i kalojnë kriteret formale dhe KShC u kërkoi atyre sqarime të mëtejshme lidhur me angazhimin e tyre me shoqërinë civile, siç kishte bërë me Ndreçën dhe Tutulanin.
Në takimin e 2 gushtit, kandidatura e Shandros u refuzua. Kandidatura e Kazanxhit, pavarësisht faktit se shkel nenin 152 (2) (f) (kandidati ka familjarë ose të afërm të nivelit të parë që janë në detyrë ose kandidatë në Këshillit të Lartë të Prokurorisë), u vlerësua nga KShC që i plotëson kriteret formale. Kandidatura e Xhillarit u vlerësua gjithashtu se i plotëson kriteret formale.
Edhe pse raporti nuk shpjegon se kur Qinami ka dërguar dokumente shtesë për aplikimin e saj dhe se kur KShC mori vendimin për të kualifikuar zyrtarisht kandidaturën e saj, ajo shfaqet, bashkë me Kazanxhiun dhe Xhillarin, në listën e kandidatëve që do të intervistohen në takimin e radhës nga komisioni.
Intervistat zhvillohen më 31 gusht dhe të tre kandidatët vlerësohen dhe renditen. Por gjatë një seance të jashtëzakonshme më 7 shtator, duket se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dha vlerësim negativ për kandidaturat e Kazanxhiut dhe Xhillari. Pas këtij vlerësimi, kandidatura e tyre u refuzua bazuar në nenin 152 (2) (ç), që përcakton se kandidatët duhet të kenë “një profil të shquar shoqëror, integritet të lartë moral dhe kualifikim të lartë profesional në drejtësi dhe në fushën e të drejtave të njeriut”.
Të dy kandidatët, Kazanxhi dhe Xhillari bënë ankimimin në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë, por ankimimi i tyre u refuzua. Në këtë pikë, kandidatura e Qinamit ngelet e vetme. Pas më shumë se dy muajsh, Vladimir Vladaj hedh kandidaturën e tij, por skualifikohet.
Pastaj papritur, në mes të konfliktit politik rreth prokurorit të Përgjithshëm më 18 dhjetor, pesë kandidatë të rinj shfaqen në thirrjen e gjashtë të hapur: Alfred Balla, Andi Muratej, Bledar Bejri, Entela Baci (Hoxhaj) dhe (përsëri) Vladimir Vladaj. Balla, Muratej dhe Baci kualifikohen, ndërsa Bejri dhe Vladaj refuzohen. Tre kandidaturat e para intervistohen, vlerësohen dhe renditen më 20 dhjetor. Së bashku me Qinamin, emrat e tyre dërgohen si kandidatët zyrtarë tek sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, pa pritur raportin e ONM-së për emrat e rinj.

Si u skualifikuan juristët profesionalë

Sekretari Gjonçaj bën një rishikim përfundimtar të kandidatëve dhe më 15 janar dërgon rezultatet e tij përfundimtare në Parlament: Pra, kandidatja e vlerësuar më mirë nga KShC, Entela Baci, është hequr plotësisht nga lista, ndërsa kandidati i vlerësuar më i ulët, Alfred Balla, tani ka dalë në krye.
Raportet e vlerësimit të ONM-së për Alfred Balla dhe Andi Muratej, të cilat ndërkohë kanë përfunduar së shkruari, janë edhe më shqetësuese. Sipas ONM, Muratej nuk i plotëson kriteret formale, ndërsa platforma e Ballës – kandidati i vlerësuar më lart sipas Gjonçajt – “është pothuajse plotësisht e kopjuar nga platforma e një kandidati tjetër (Plarent Ndrecës)”. Si ONM-ja, ashtu dhe Gjonçaj hodhën poshtë kandidaturën e Bacit, bazuar sërish në nenin 152 (2) pika (c).
Dy kandidaturat e Xhillarit dhe Kazanxhit u refuzuan pas daljes së vlerësimit për to nga ONM, por mesa duket një vlerësim i ngjashëm nuk është i mjaftueshëm që Gjonçajn të skualifikojë Ballën dhe Muratejn. Nuk është e qartë se përse KShC-ja nuk mund të priste vlerësimet e ONM-së para se të dërgonte një listë përfundimtare të kandidatëve në Parlament. Pse kishte një ngutje të papritur? A ishte presioni ndërkombëtar? Apo frika se të mbetur vetëm me një kandidat, procesi do të zgjatej më shumë?
Pra, për ta përmbledhur, sipas ONM, kandidati i vetëm që i kalon të gjitha kërkesat formale dhe morale është Mimoza Qinami. Kjo kandidaturë ka marrë pikët më të ulëta nga sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit, Genci Gjonçaj dhe miratimi i saj nga KShC mbetet pjesërisht i padokumentuar. Ndërsa kandidati i renditur i pari, Alfred Balla, ka kopjuar shumicën e aplikimit të tij nga dikush tjetër.
Le të fitojë kandidati më i mirë!

Përmbledhja e kandidatëve

Bledar Alia (refuzuar në bazë të kritereve formale, 1 mars);
Mevlut Derti (refuzuar në bazë të kritereve formale, 1 mars);
Drita Avdyli (refuzuar në bazë të kritereve formale, 1 mars);
Alban Tutulani (refuzuar në bazë të kritereve formale, 4 prill);
Plarent Ndreca (refuzuar në bazë të kritereve formale, 4 prill);
Mimoza Qinami (miratuar, data e paraportuar, miratuar nga ONM);
Tartar Bazaj (refuzuar në bazë të kritereve formale, 11 maj);
Kostandin Kazanxhi (i miratuar në kundërshtim me nenin 152 (2) (f) të Ligjit nr. 115/2016, 2 gusht, i refuzuar pas vlerësimit të ONM-së, 7 shtator);
Lindita Xhillari (e miratuar, 2 gusht, e refuzuar pas vlerësimit të ONM, 7 shtator);
Vasil Shandro (refuzuar në bazë të kritereve formale, 2 gusht);
Vladimir Vladaj (refuzuar në bazë të kritereve formale, 23 nëntor, refuzuar në bazë të kritereve formale, 18 dhjetor);
Alfred Balla (miratuar më 18 dhjetor, refuzuar nga ONM);
Andi Muratej (miratuar më 18 dhjetor, refuzuar nga ONM);
Bledar Bejri (refuzuar në bazë të kritereve formale, 18 dhjetor);
Entela Baci (Hoxhaj) (miratuar më 18 dhjetor, refuzuar nga sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit, 15 janar);

“Exit.al”

Artikulli paraprakKoha e ekonomisë Trump
Artikulli tjetërBatërdia e Ramës për kapjen e drejtësisë