Batërdia e Ramës për kapjen e drejtësisë

Kandidatët e KLGJ dhe KLP nuk plotësojnë kriteret

OERD BYLYKBASHI

Nga shqyrtimi i dokumentacionit për përzgjedhjen e anëtarëve jomagjistratë të KLGJ dhe KLP, konstatojmë kryerjen e veprimeve aktive nga mazhoranca, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, me impakt të drejtpërdrejtë në pavarësinë e këtyre institucioneve dhe kushtetutshmërinë e zgjedhjes së anëtarëve të këtyre dy organeve të rëndësishme të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Konkretisht:
I. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka injoruar, në tejkalim flagrant të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, vlerësimet e bëra nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), duke kualifikuar kandidatë të skualifikuar nga ky organ kushtetues ndërkombëtar
Ndryshimet kushtetuese të miratuara me konsensus unanim të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në pikën 5 dhe 6 të nenit 179 të Kushtetutës, parashikojnë se:
“5. ……….Për emërimet e para për anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 147, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
6. ……….Për emërimet e para për anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve sipas nenit 149, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”.
Këto parashikime kushtetuese janë detajuar edhe në Ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ku në nenet 286 dhe 287 të këtij ligji “Verifikimi i kandidatëve për anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Verifikimi i kandidatëve për anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, parashikohet në mënyrë të përmbledhur, si më poshtë: “1. Për emërimet e para për anëtarët jogjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, verifikimi i kandidatëve do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
2. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, në përfundim të procedurës së përcaktuar në pikën 5, të nenit 35, në nenet 53 dhe 58, në pikën 5, të nenit 133, dhe në nenet 151 dhe 156, të këtij ligji, i përcjell menjëherë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit një kopje të dokumentacionit të depozituar dhe administruar për çdo kandidat në Kuvendin e Shqipërisë.
3. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit vlerëson kandidatët brenda 7 ditëve nga dita e regjistrimit të listës së kandidatëve, dhe i përcjell Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit listën e kandidatëve që:
a) plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në këtë ligj, si dhe kriteret morale dhe profesionale; si dhe
b) listën e kandidatëve që nuk i plotësojnë ato.
4. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, në listat e kandidatëve që i përcjell komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend, sipas shkronjave “a” dhe ‘b”, të pikës 7, pikës 8, të nenit 35, neneve 53 dhe 58, shkronjave “a” dhe ‘b”, të pikës 7, pikës 8, të nenit 133, si dhe neneve 151 dhe 156, të këtij ligji, REFLEKTON vlerësimin e përcjellë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, sipas pikës 3 të këtij neni. Një kopje e listave të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, sipas pikës 3, të këtij neni, i vihet në dispozicion edhe komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend”.
Mirëpo, në kundërshtim me këto parashikime kushtetuese dhe ligjore, në Raportin nr. 2457/24 Prot., datë 02.11.2017, nr. 2457/25 Prot., datë 02.11.2017 dhe nr. 2054/30 Prot., datë 15.01.2018, të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, me të cilën janë përcjellë listat për anëtarët për KLGJ dhe KLP që vijnë nga rradhët e pedagogëve dhe shoqërisë civile, pranohet haptazi se listat e kandidatëve të kualifikuar që po i paraqiten Komisionit Parlamentar të Ligjeve, nuk reflektojnë dhe janë të ndryshme nga listat e kandidatëve që ka paraqitur ONM.
Konkretisht, në Raportet e datës 25 tetor 2017, ONM ka vlerësuar se kandidati nga rradhët e pedagogëve për KLP z. Gent Ibrahimi, nuk përmbush kriteret e parashikuara në shkronjën “c”, të pikës 2 të nenit 134 të Ligjit nr. 115/2016 dhe për pasojë duhet të skualifikohet nga kandidimi. Nga ana tjetër, qartësisht nga ana jonë konstatohet se kandidati z. Gent Ibrahimi nuk përmbush as kriterin ligjor të parashikuar në shkronjën “ç”, të pikës 2 të nenit 134 të po atij ligji. Për mospërmbushje të këtij kriteri ligjor, një tjetër kandidat në garë është përjashtuar (znj. Brunela Kullolli), çka provon se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka ndjekur procedura diskriminuese dhe jo të barabarta midis kandidatëve. Në këtë kuptim, pavarësisht konstatimit të ONM, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit e ka përfshirë kandidatin z. Gent Ibrahimi në listën e kandidatëve që kualifikohen dhe që përmbushin kriteret ligjore. Ky veprim antikushtetues dhe antiligjor i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, specifikohet në faqen 31 të Raportit nr. 2457/24 Prot., datë 02.11.2017 dhe në faqen 28 të Raportit nr. 2457/25 Prot., datë 02.11.2017, që i janë paraqitur Komisionit Parlamentar të Ligjeve.
Nga ana tjetër, në Raportin e datës 12 janar 2018, ONM ka vlerësuar se kandidatët nga rradhët e shoqërisë civile për KLP z. Andi Muratej dhe z. Alfred Balla, nuk përmbushin kriteret e parashikuara nga pika 1 e nenit 152 dhe shkronjat “d” dhe “dh” të pikës 2 të nenit 152 të Ligjit nr. 115/2016 dhe për pasojë duhet të skualifikohen nga kandidimi. Mirëpo, pavarësisht konstatimit të ONM, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i ka përfshirë kandidatët z. Andi Muratej dhe z. Alfred Balla në listën e kandidatëve që kualifikohen dhe që përmbushin kriteret ligjore. Ky veprim antikushtetues dhe antiligjor i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, specifikohet në faqen 12, 14, 22, 23 dhe 31 të Raportit nr. 2054/30 Prot., datë 15.01.2018, që i është paraqitur Komisionit Parlamentar të Ligjeve.
Sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjore në fuqi, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk ka në kompetencë, që të analizojë konstatimet apo qëndrimet e shprehura nga ONM. Detyrimi i tij kushtetues dhe ligjor, është që në listat që i paraqet Komisionit Parlamentar të Ligjeve, të reflektojë pa asnjë ndryshim, vlerësimin e përcjellë nga ONM. Në këtë kuptim, lista e kandidatëve që kualifikohen dhe që i përcillet Komisionit Parlamentar të Ligjeve, duhet të jenë identike me listat e kandidatëve, që plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në këtë ligj, si dhe kriteret morale dhe profesionale, që i është përcjellë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit nga ONM. Kjo ka qenë edhe marrëveshja e arritur midis të gjitha forcave politike, me mbështetjen edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, më 21 korrik 2016 dhe që është pasqyruar në Kushtetutë.
Pra, një qëndrimi i tillë i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit z. Genci Gjoncaj, vjen në kundërshtim me frymën e dispozitave kushtetuese dhe qëllimin e parashikimeve të bëra në dispozitat tranzitore (pikat 5 dhe 6 të nenit 179 të Kushtetutës). Ky fakt rezulton i qartë, jo vetëm nga përmbajtja e neneve 286 dhe 287 të Ligjit nr. 115/2016 (që kanë detajuar parashikimin kushtetues), por edhe nga vetë përmbajtja e dispozitave kushtetuese, ku specifikohet “verifikimi i kandidatëve sipas nenit 147 apo 149, të Kushtetutës, do të kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ”. Përdorimi nga kushtetutëbërësi i lidhëzës “dhe”, nënkupton që listat e kandidatëve që kualifikohen apo skualifikohen, duhet të jenë një përputhje e plotë midis vullnetit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit dhe ONM. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk mund të injorojë apo kundërshtojë vlerësimin e ONM. As Kushtetuta dhe as ligji nuk ia njeh këtë të drejtë . Për këtë shkak, dispozitat ligjore përdorin termin “reflekton”, duke i hequr çdo mundësi ligjore Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, që të gjykojë vlerësimin e ONM apo të kualifikojë kandidatë që ONM i ka skualifikuar. Ky parashikim kushtetues vlen vetëm për zgjedhjet e para në këto organe.
Ndërkohë, sipas pikës 7 të neneve 147 dhe 149 të Kushtetutës, ndryshimi i listave të kandidatëve të kualifikuar apo skualifikuar, është kompetencë e Nënkomisionit Parlamentar për vlerësimin dhe zgjedhjen e kandidatëve, i cili, me të paktën katër vota , mund të përfshijë në listën e kandidatëve për votim edhe ata që janë përjashtuar gabimisht për mospërmbushje të kritereve formale. Në këtë kuptim, vlerësimi i ONM është i detyrueshëm për fazën paraprake të vlerësimit, pra për Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, por nuk është i detyrueshme për organet e Kuvendit (Nënkomisionin Ad Hoc të Përzgjedhjes), i cili me konsensusin e të paktën 4 nga 5 anëtarët e tij, ka të drejtë të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve të skualifikuar tek lista e kandidatëve të kualifikuar. Në këtë rast, nënkomisioni ka detyrimin që të arsyetojë vendimmarrjen e tij dhe ta bëjë atë publike në faqen zyrtare të Kuvendit.

Rishikimi i listave të kandidatëve, urgjente për reformën

Fakti që Kuvendi i Shqipërisë ka emëruar një eksponent politik si z. Genci Gjoncaj (përfaqësuesin e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve) në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, përveçse provon dështimin e reformës në administratën publike dhe cenon parimin e paanësisë politike që duhet të gëzojnë nëpunësit civil, nuk mund të shërbejë si justifikim për veprimin e tij antikushtetues dhe antiligjor, duke kualifikuar kandidatë të preferuar nga Partia Socialiste, por për të cilin ONM ka vlerësuar se duhet të skualifikohet, për shkak se nuk plotëson kriteret ligjore, apo duke i njohur vehtes kompetencat që Kushtetuta ia ka njohur shumicës së cilësuar të anëtarëve të Nënkomisionit Parlamentar për Vlerësimin dhe Zgjedhjen e Kandidatëve (pra, konsensusit mazhorancë dhe opozitë në Nënkomison).
Në këtë rast, GPPD, nuk merr përsipër të analizojë cilësitë profesionale dhe morale të kandidatëve të skualifikuar nga ONM, dhe nuk shpreh asnjë rezervë në këtë drejtim. Mirëpo, respektimi i kritereve kushtetuese dhe ligjore, është detyrim për Kuvendin e Shqipërisë, i cili nuk mund të anashkalohet edhe kur bëhet fjalë për kandidatë të preferuar nga Partia Socialiste (përfshirë ish-ekspertin e GENL, si përfaqësues i Qeverisë; apo klientë të Qeverisë).
Gjithashtu, kandidati z. Gent Ibrahimi, në kushtet e konfliktit të pastër të interesit , po tenton të përfitojë nga një sistem kandidimi, që propozoi vetë në cilësinë e ekspertit drejtues të procesit të hartimit të Ligjit nr. 115/2017, në kundërshtim me Kushtetutën, siç tashmë ka konstatuar jo vetëm opozita, por edhe shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që morën pjesë në shqyrtimin e çështjes, dhe që sipas vendimit nr. 41/2017 të Gjykatës Kushtetuese, votuan se nenet 19 deri 58, si dhe 117 deri 156 të Ligjit nr. 115/2016 janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Për të gjitha sa më lart, Raporti nr. 2457/24 Prot., datë 02.11.2017, nr. 2457/25 Prot., datë 02.11.2017 dhe nr. 2054/30 Prot., datë 15.01.2018 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, si dhe listat e kandidatëve të kualifikuar dhe skualifikuar, të përcjellë prej tij, janë absolutisht të pavlefshme, për shkak se janë hartuar në kundërshtim me parashikimet e neneve 147, 149 dhe 179, pika 5 dhe 6, të Kushtetutës, si dhe neneve 134, 152, 286 dhe 287 të Ligjit nr. 115/2016. Për këtë qëllim, është nevojë urgjente, që ky proces të rifutet në shinat e parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, duke rishikuar listat e kandidatëve të kualifikuar apo skualifikuar, sipas vlerësimit që ka bërë ONM në qëndrimin që i ka përcjellë tashmë Kuvendit të Shqipërisë lidhur me kandidatët nga rradhët e pedagogëve dhe shoqërisë civile për anëtarë të KLP-së apo KLGJ-së.
Gjithashtu, për shkeljen flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, me pasoja të rënda në kuadër të detyrimit që ka marrë përsipër Shqipëria për të respektuar statusin e posaçëm që i ka njohur ONM, dhe për shkak se injorimi i vlerësimit të kësaj strukture ndikon drejtpërdrejtë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, dhe në ngritjen e KLGJ dhe KLP sipas parashikimeve kushtetuese, kërkojmë:
fillimin e menjëhershëm të procedimit disiplinor, për shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit z. Genc Gjoncaj, si dhe
paraqitjen nga Nënkomisioni Ad Hoc të kallzimit penal ndaj tij për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës”.

Juristë profesionistë janë përjashtuar nga gara

II. Organet e Arsimit të Lartë, nën ndikimin e paligjshëm të mazhorancës, kanë kryer veprime në mashtrim të ligjit, që kanë eliminuar konkurimin real për të përzgjedhur juristët më të mirë, dhe që në kundërshtim me ligjin janë ratifikuar/pranuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit
Nga shqyrtimi i Raporteve të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit nr. 2457/24 Prot., datë 02.11.2017 dhe nr. 2457/25 Prot., datë 02.11.2017, rezulton se për katër pozicione vakante në KLGJ (2 vende vakante) dhe KLP (2 vende vakante), që duhet të plotësohen nga rradhët e pedagogëve, janë paraqitur 11 kandidatë , nga të cilët 3 kandidatë (përkatësisht z. Darjel Sina – kandidon për të dy organet; znj. Erjona Canaj – kandidon për të dy organet; dhe znj. Brunela Kullolli – kandidon për në KLP) nuk përmbushin kriteret formale kushtetuese dhe ligjore, për shkak se nuk kanë eksperiencë prej 15 vjetësh në profesion si juristë, apo nuk janë profesorë apo lektorë në universitet, ndërkohë që një kandidat (z. Gent Ibrahimi – kandidon për në KLP) është skualifikuar nga ONM për shkak se nuk plotëson kriterin ligjor të parashikuar në shkronjën “c”, pika 2 e nenit 134 të ligjit. Kjo bën që numri i kandidatëve që plotësojnë kriteret formale kushtetuese dhe ligjore, të jetë gjithsej 7 kandidatë për të 4 vendet vakante (përkatësisht 4 kandidatë për 2 vende vakante në KLGJ dhe 4 kandidatë për 2 vende vakante në KLP).
Duke mbajtur në konsideratë që një kandidat (përkatësisht znj. Mirela Bogdani), kandidon për të dy organet, zgjedhja e saj potencialisht në një nga Këshillat, do ta çonte numrin e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale për Këshillin tjetër në vetëm 3 kandidatë për 2 vende vakante, duke eliminuar në këtë mënyrë përfundimisht konkurimin dhe duke çuar në paracaktimin e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, nëpërmjet një procesi që nuk siguron në këtë mënyrë standardin kushtetues të “përzgjedhjes së juristëve të spikatur, me integritet të lartë moral dhe profesional”.
Standardi kushtetues i mësipërm garantohet vetëm në rast se, konkurimi është real dhe mes një numri të tillë kandidatësh që mundëson garë efektive. Në rast se, numri i kandidatëve që plotësojnë kriteret formale kushtetuese dhe ligjore (pa analizuar fare detyrimi që të jemi përpara kandidatëve që cilësohen si “juristë të spikatur” apo “me integritetin më të lartë moral dhe profesional”), është pothuajse i njëjtë me numrin e vendeve vakante, atëherë jo vetëm nuk kemi garë, por njëkohësisht bëhet e pamundur që të përmbushet detyrimi kushtetues për respektimin e standardit kushtetues të përmendur në nenet 147 dhe 149 të Kushtetutës. Ky shqetësim shtohet edhe më shumë, po të mbahet në konsideratë se nga vlerësimi i kandidaturave që ka bërë ONM, nga 7 kandidatë që plotësojnë kriteret formale kushtetuese dhe ligjore, 5 prej tyre janë vlerësuar nga ONM se kanë arritje mesatare profesionale. Në këtë mënyrë, po të mbahet në konsideratë vlerësimi i ONM-së, atëherë standardin kushtetues të “juristit të spikatur” apo “integritetit të lartë profesional”, e përmbushin vetëm 2 kandidatë, për 4 vende vakante. Kjo eliminon tërësisht konkurimin dhe bën të pamundur konstituimin e KLGJ-së dhe KLP-së.
Për të garantuar standardin kushtetues të “përzgjedhjes së juristëve të spikatur, me integritet të lartë moral dhe profesional”, si dhe në përputhje me delegimin kushtetues të parashikuar në pikën 3 të nenit 147 dhe 149 të Kushtetutës, ku specifikohet se: “kriteret e tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj”, legjislatori në Ligjin nr. 115/2016, jo vetëm ka përcaktuar kriteret e detajuara që duhet të plotësojnë kandidatët , por gjithashtu ka vendosur edhe dy rregulla të detyrueshme, mbi numrin e kandidaturave të vlefshme minimale, nga radhët e pedagogëve, që i përcillen Kuvendit dhe që mundësojnë që Kuvendi të nisë procesin e përzgjedhjes. Konkretisht:

Numri i kandidaturave duhet të jetë i tillë që të mundësojë një proces përzgjedhës dhe garë në Mbledhjen e Posaçme të drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë

Kjo nënkupton që minimalisht numri i kandidatëve të vlefshëm duhet të jetë të paktën 11, që të mund të realizohet procesi i përzgjedhjes së 7 kandidatëve nga IAL-ët publike ose Shkolla e Magjistraturës, dhe 3 kandidatë nga IAL-ët jopublike (detyrim që buron nga nenet 51, pika 5 dhe 149, pika 5 e Ligjit nr. 115/2016). Në rastin konkret, siç rezulton edhe nga Raporti i Mbledhjes së Posaçme të drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë, apo Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, jo vetëm nuk është realizuar proces përzgjedhës, me të paktën 11 kandidatë të vlefshëm, por të gjithë kandidatët që kanë shprehur interes (7 kandidatë për KLP-në dhe 6 kandidatë për KLGJ-në), janë përzgjedhur pa garë (është realizuar një proces formal votimi). Për më tepër, janë përfshirë në listën e të përzgjedhurve edhe 2 kandidatë për KLGJ-në apo 3 kandidatë për KLP-në, që nuk plotësonin minimalisht kriteret formale kushtetuese dhe ligjore, jo më të kishin numrin më të lartë të pikëve nga votimi, duke qenë më të spikaturit, siç ligji e kërkon (pika 1 e nenit 53 dhe pika 1 e nenit 151, të Ligjit nr. 115/2016). Në këtë rast, 2 kandidatët për KLGJ-në dhe 3 kandidatët për KLP-në, që nuk plotësonin minimalisht kriteret formale kushtetuese dhe ligjore, duhet të ishin përjashtuar nga kandidimi nga Dekanati i Fakultetit përkatës, sipas detyrimit që përcakton neni 40 dhe 138 i Ligjit nr. 115/2016, apo duhet të ishte konstatuar se nuk plotësojnë kriteret ligjore formale nga Asambleja e Personelit Akademik të IAL-së përkatëse, apo nga Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë, sipas detyrimeve ligjore që kanë nga nenet 42, 48, 140 dhe 146 të Ligjit nr. 115/2016, për të bërë vlerësimin e kritereve etike dhe profesionale të kandidatëve.

Numri i aplikantëve duhet të jetë sa trefishi i vendeve vakante

Duhet të realizohet një proces përzgjedhës nga ku të rezultojë që numri i kandidatëve të vlefshëm të jetë të paktën sa trefishi i numrit të vendeve vakante
Ky është një detyrim që buron nga neni 53 dhe 151 i Ligjit nr. 115/2016, ku përcaktohet se Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë, i përcjellë Kuvendit listën me emrat e kandidatëve që kanë marrë pikët më të larta, por jo më shumë se 10 kandidatë dhe në çdo rast jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante. Në këtë rast, kushti “jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante”, nuk është aspekt formal i procedurës së përzgjedhjes, por aspekt thelbësor që synon t’i mundësojë Kuvendit zgjedhjen e kandidatit më të mirë, mes një numri të tillë kandidatësh që e lejon këtë, duke bërë kështu të zbatueshëm standardin kushtetues të “përzgjedhjes së juristëve të spikatur, me integritet të lartë moral dhe profesional”. Duke qenë se kushti “jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante” është vendosur për listën finale që i përcillet Kuvendit (pasi legjislatori ka parashikuar detyrimin e verifikimit të përmbushjes së kritereve nga Dekanati i Fakultetit përkatës dhe Asambleja e Personelit Akademik), atëherë është e qartë që ligji synon që lista minimale prej të paktën trefishi të kandidatëve në raport me numrin e vendeve vakante, të përmbajë kandidatë që minimalisht plotësojnë kriteret formale kushtetuese dhe ligjore. Kjo siguron që Komisionit parlamentar të Ligjeve t’i përcillet një listë kandidatësh që e plotëson kushtin “jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante”.
Mirëpo, nga shqyrtimi i listës së kandidatëve të përcjellë nga Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë, rezulton qartë se në këtë listë janë përfshirë edhe kandidatë që haptazi nuk plotësojnë kriterin bazë formal kushtetues “15 vjet eksperiencë në punë si jurist”.
Dy kandidatët e përfshirë në të dyja listat (konkretisht z. Darjel Sina dhe znj. Erjona Canaj), lehtësisht konstatohet se nuk mund ta përmbushnin këtë kriter kushtetues. Respektivisht këto kandidatë janë diplomuar si “Jurist” në vitet 2004 apo 2005 , dhe nëse prezumojmë se kanë filluar punë të nesërmen e diplomimit atëherë kushtin kushtetues të “15 vite eksperiencë në punë si jurist”, do mund ta plotësojnë vetëm në vitet 2019 apo 2020. Për pasojë, ato jo vetëm nuk duhet t’i ishin përcjellë si kandidatë Kuvendit, por duhet të ishin skualifikuar që në fazën fillestare të konkurimit nga Dekanati i Fakultetit përkatës dhe nuk duhet të ishin përfshirë në procesin e votimit nga Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë.

Veprimet fiktive për të kualifikuar kandidatët favoritë

Kualifikimi i tyre, nga Rektori dhe Dekanati i Fakultetit të Drejtësisë pranë Universitetit New York Tiranë dhe pranë Univeristetit Europian të Tiranës (UET) , dhe më pas përfshirja e tyre në listën e votimit dhe përzgjedhja nga Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë , është një veprim fiktiv, që është bërë në mashtrim të ligjit, vetëm për të konsideruar të kapërcyer kushti “jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante”, edhe pse qartësisht të paktën dy kandidatë ishte e provuar se nuk mund ta plotësonin kriterin kushtetues të 15 viteve eksperiencë në punë si jurist. Në këto kushte, Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë, i ka përcjellë Kuvendit të Shqipërisë një listë kandidatësh të vlefshëm, më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante, në kundërshtim me parashikimet e nenit 53 dhe 151 të Ligjit nr. 115/2016. Plotësimi i këtij numri minimal kandidaturash të kërkuar nga ligji, me kandidatë që qartësisht nuk përmbushin as kriteret formale kushtetuese dhe ligjore, të njohura që nga fillimi i procesit dhe lehtësisht të verifikueshme, nuk mund të shërbejë si mekanizëm për të shmangur detyrimin ligjore të paraqitjes në Kuvend të listës me jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante.
Veprimi i mësipërm fiktiv dhe i paligjshëm i Rektorit dhe Dekanatit të Fakultetit të Drejtësisë pranë Universitetit New York Tiranë dhe pranë Univeristetit Europian të Tiranës (UET), si dhe i Mbledhjes së Posaçme të drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë, drejtuar nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës z. Sokol Sadushi (ish-ekspert i GENL, caktuar nga mazhoranca) përveçse përbën një akt që turpëron gjithë botën akademike në vend për shkak të injorimit flagrant që i kanë bërë përgjegjësive që i ka ngarkuar ligji, është gjithashtu një akt që bën nul veprimet e kryera prej tyre. Nga ana tjetër, kryerja e veprimeve fiktive dhe në mashtrim të ligjit, nga këto organe, bëhet premisë serioze për të krijuar vonesë të pajustifikuar në ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, për shkak se Kuvendi, si pasojë e numrit të ulët të kandidaturave të vlefshëm, do të duhet në momentin kur e konstaton këtë, të rishpallë thirrjen për shprehje interesi, me qëllim që të ketë mundësi të përzgjedhë kandidatët më të mirë, dhe që të përmbushet standardi kushtetues. Ndërkohë që kjo mund të ishte bërë prej kohësh, dhe tashmë Kuvendi të kishte numrin e nevojshëm të kandidatëve për të mundësuar përzgjedhjen e më të mirëve.
Një premisë serioze për të shkaktuar vonesa në këtë drejtim përbën edhe fakti që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, edhe pse ka konstatuar paraqitjen nga Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të Arsimit të Lartë, të kandidaturave që nuk plotësojnë minimalisht as kriteret formale kushtetuese dhe ligjore, çka e ul numrin e kandidatëve të vlefshëm nën kushtin “trefishi i vendeve vakante”, nuk ka vepruar për të korrigjuar shkeljen apo për t’i kërkuar sqarime autoriteteve të Arsimit të Lartë që kanë kryer veprime fiktive dhe në mashtrim të ligjit, por ka ratifikuar veprimin fiktiv të institucioneve akademike, duke përgatitur Raportin dhe duke i përcjellë Komisionit parlamentar të Ligjeve, 7 kandidatë që përmbushin kriteret formale kushtetuese dhe ligjore, për 4 vende vakante në KLGJ dhe KLP, ndërkohë që 5 nga këta kandidatë janë vlerësuar nga ONM me arritje mesatare profesionale, ndërkohë që Kushtetuta kërkon nivelin më të lartë profesional.

Si u injorua vlerësimi i ONM kandidatët me nivel të ulët profesional

III. Kualifikim i kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret kushtetuese dhe ligjore; është injoruar vlerësimi i ONM se, pjesa dërrmuese e kandidatëve kanë nivel mesatar apo të ulët profesional; si dhe janë ndjekur praktika diskriminuese dhe jo të barabarta në trajtimin e kandidatëve nga strukturat e përfshira në procesin paraprak të vlerësimit
Përveç shkeljeve të evidentuara më sipër, rezulton se edhe në kategorinë e kandidatëve nga radhët e avokatisë dhe shoqërisë civile, janë kualifikuar kandidatë, të cilët nuk përmbushin kushtet dhe kriteret ligjore, apo janë skualifikuar kandidatë, të cilët kanë qenë në kushte të njëjta me kandidatë të tjerë të kualifikuar. Nga ana tjetër, është injoruar vlerësimi i ONM-së mbi nivelin profesional të kandidatëve, edhe pse ky është një kusht kushtetues dhe përbën shkak skualifikues.
Konkretisht, për kandidaturat nga radhët e avokatisë, evidentohen shkeljet si më poshtë:
(i) Nenet 19/3/ç dhe 117/3/ç të Ligjit nr. 115/2016 parashikojnë se: “Avokatët që kandidojnë për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme: ç) të kenë shlyer rregullisht të gjitha detyrimet tatimore”. Mirëpo, nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se këtë kriter nuk e plotësojnë kandidatët (1) Z. Gëzim Allaraj; (2) Znj. Nurihan Meta Seiti; (3) Znj. Fatmira Luli; (4) Z. Tartar Bazaj; (5) Z. Sinan Tafaj; (6) Z. Sokol Lamaj (madje ka gjoba për mospagim të tatimeve apo sigurimeve shoqërore); (7) Z. Arben Prifti; si dhe ka dyshime se nuk e përmbushin edhe kandidatët (8) Znj. Veronika Vangjeli; (9) Z. Kozma Jano; (10) Z. Petrit Gaci; dhe (11) Znj. Floreta Gjini (për shkak se kanë marrë vërtetim vetëm nga Dega e Tatimeve Tiranë apo Elbasan, dhe jo nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve).
Mosshlyerja rregullisht e detyrimeve tatimore, sipas ligjit përbën shkak për skualifikim. Në fakt, një mospërmbushje e tillë, nuk është konsideruar si kusht skualifikues, por si një mangësi në kritere (pra, si një kriter vlerësues). Kandidatët janë kualifikuar, dhe për këtë mangësi, thjesht iu janë ulur pikët në vlerësim! Ky veprim nuk është në përputhje me nenet 19 dhe 117 të Ligjit nr. 115/2016. Nga ana tjetër, është e paimagjinueshme që Kuvendi të përfshijë në proces votimi, për në qeverinë e gjyqësorit dhe shërbimit të Prokurorisë, kandidatë që kanë treguar kulturën më të ulët të zbatimit të ligjit, duke mos respektuar detyrimin për të paguar tatimet ndaj shtetit shqiptar. Ky fakt përveçse përbën shkak skualifikues sipas ligjit, ka të bërë edhe me mospërmbushjen e kritereve morale nga ana e kandidatëve.
(ii) Nenet 19/3/f dhe 117/3/f të Ligjit nr. 115/2016 parashikojnë se: “Avokatët që kandidojnë për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme: f) të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike”. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se z. Kozma Jano, në zgjedhjet vendore 2011 ka qenë kryesues i listës së këshilltarëve bashkiak të subjektit politik Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH). Gjithashtu, ky kandidat rezulton se ka qenë i kallëzuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 89 të Kodit Penal (plagosje e lehtë me dashje), por është vendosur mosfillim.
(iii) Nenet 19/3/g,i dhe 117/3/g,i të Ligjit nr. 115/2016 parashikojnë se: “Avokatët që kandidojnë për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme: g) të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”; dhe i) të mos jenë larguar nga detyra të mëparshme si gjyqtar, prokuror ose oficer i Policisë Gjyqësore me masë disiplinore”. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se z. Petrit Gaci ka qenë hetues në periudhën 1988-1991. Gjithashtu, ky kandidat është larguar me masë disiplinore “shkarkim nga detyra e hetuesit” (1991), dhe interpretimi se “ligji parashikon si kusht skualifikues largimin me masë disiplinore vetëm për gjyqtar, prokuror dhe OPGJ” dhe jo për hetuesit e dikurshëm, është krejtësisht i gabuar! Hetuesi i dikurshëm sipas legjislacionit procedural ka rol dhe përgjegjësi të njëjtë apo të ngjashme me OPGJ sot, dhe për pasojë për efekt të zbatimit të ligjit ai konsiderohet se është larguar me masë disiplinore nga pozicioni i oficerit të Policisë Gjyqësore.
Ndërkohë, kandidatët znj. Nurihan Meta Seiti dhe znj. Fatmira Luli, kanë pjesëmarrëse, para vitit ’90, në gjyqe politike, respektivisht në rolin e Prokurores dhe gjyqtares. Ligji kërkon që të favorizuarit e Sigurimit të Shtetit para vitit 1990 duhet të skualifikohen. Ndërkohë që pozicioni i një prokurori apo gjyqtari në gjyqe politike është ekstremisht më i rëndë sesa thjesht një “i favorizuar nga sigurimi i shtetit”. Për pasojë, këto kandidatë nuk përmbushin kushtet ligjore dhe kriterin moral për të qenë kandidatë për në KLGJ dhe KLP.
(iv) Nenet 19/3/d dhe 117/3/d të Ligjit nr. 115/2016 parashikojnë se: “Avokatët që kandidojnë për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme: d) të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion si jurist, nga të cilat të paktën 10 vitet e fundit të kenë ushtruar profesionin e avokatit pa ndërprerje”. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se z. Alban Toro i mungon Libreza e Punës, për të provuar se ka ushtruar gjatë 10 viteve të fundit, pa ndërprerje, profesionin e avokatit. Ndërkohë z. Genti Sinani nuk ka dokumentacion që të provojë kohën kur është licensuar si avokat. Gjithashtu, z. Arben Prifti figuron i punësuar me kohë të plotë nga 2014 si pedagog (kjo d.m.th. që nuk ka ushtruar avokatinë për së paku 10 vjetët e fundit pandërprerje).

Manipulimi me emrat e shoqërisë civile

Partia Demokratike ka konstatuar parregullsi në lidhje me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve jomagjistratë për KLP dhe KGJ edhe në manipulimet e bëra në lidhje me emrat e përzgjedhur si pjesë e shoqërisë civile, ndërsa renditen të gjithë arsyet e mospërmbushjes së kritereve nga ana e tyre.
Nga ana tjetër, në kandidatët nga radhët e shoqërisë civile, konstatohet se:
(i) Kandidati z. Bledar Ilia dhe znj. Ermira Deçka skualifikohen sepse nuk kanë 15 vjet përvojë pune efektive si jurist, kurse kandidatja znj. Naureda Llagami kualifikohet edhe pse konstatohet se as ajo nuk i plotëson 15 vjet përvojë efektive (i mungojnë 2 muaj). Avokati i Popullit e ka konstatuar mangësinë për znj. Llagamin, kurse Komisioni i Shoqërisë Civile drejtuar nga z. Andi Dobrushi, me votë ka vendosur t’i japë kohë të sjellë dokumente shtesë dhe nuk sqaron nëse i plotëson apo jo kushtet pasi ka sjellë dokumentacionin shtesë! (votuar “pro” 3 anëtarë, 1 “kundër”, 1 nuk ka marrë pjesë në votim). Ndërkohë që për kandidatin z. Ilia dhe znj. Decka nuk ndiqet i njëjti standard si për znj. Llagamin, për plotësimin e dokumentacionit (i mungonin 3 referencat). Kjo përbën trajtim diskriminues dhe të pabarabartë midis kandidatëve, bazuar në preferencat e anëtarëve të Komisionit të Shoqërisë Civile, të diktuar politikisht nga Partia Socialiste. Ndjekje e procedurave jo të barabarta dhe diskriminuese është konstatuar edhe nga ONM, në raportin e datës 12.01.2018, ku thekson se: “Vëzhguesit Ndërkombëtarë vërejnë se ka disa dallime me nuanca në mënyrën se si KSHC-ja ka kryer vlerësimin procedural të aplikimeve të marra pas thirrjeve të ndryshme. Bazuar në dokumentet e dërguara, vëzhguesit ndërkombëtarë iu duket se KSHC-ja nuk ka përdorur saktësisht të njëjtën qasje për të gjithë kandidatët që u vlerësuan në faza të ndryshme”.
(ii) Rezulton se kandidatja e shoqërisë civile znj. Naureda Llagami, në periudhën 2012-2016, ka qenë e punësuar pranë Gjykatës së Lartë, si ndihmëse ligjore. Kjo vendos në pikëpyetje nëse kjo kandidate përmbush kriterin e parashikuar në shkronjën “d”, të pikës 2, të nenit 54 të Ligjit nr. 115/2016, ku specifikohet se: “kandidatët nga shoqëria civile duhet që në kohën e kandidimit, të jenë të punësuar ose të angazhuar për të paktën 5 vjet, me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme pa ndërprerje, në një organizatë të shoqërisë civile për fusha të lidhura me sistemin e drejtësisë ose të drejtat e njeriut”. Ajo ka paraqitur 4 kontrata me një shoqatë, mirëpo për shkak të angazhimit si këshilltare në Gjykatën e Lartë, ka patur konflikt interesi me punësim tjetër (nëse vërtet ka qenë e angazhuar dhe kontratat e paraqitura janë reale!). Këto kontrata ekspertize janë njësoj si në rastin e një tjetër kandidati (z. Plarent Ndreca), për të cilat ky i fundit me të drejtë është skualifikuar (faqja 25 e procesverbalit)! Gjithashtu, vetëpunësimi nga kandidatja është deklaruar që nga 30.04.2016, ndërkohë që vërtetimi i tatimeve është nga data 08.09.2016!
Kandidatja znj. Naureda Llagami është mbështetur nga shoqata TLAS, përfaqësuesi i së cilës është pjesë e Komisionit të Shoqërisë Civile (në një rast është tërhequr për konflikt interesi, në rastin tjetër ka çuar zëvendësues po nga TLAS, e që ishte po ashtu në konflikt interesi). Mirëpo, z. Andi Dobrushi (kryetar i Komisionit si përfaqësues i Soros-it) dhe kandidatja znj. Llagami, rezulton se kanë lidhur kontratë pune ndërmjet tyre (qershor 2012-dhjetor 2012) e për këtë arsye ka qenë në konflikt interesi e megjithatë ai nuk është tërhequr nga anëtarësia në Komision dhe ka marrë pjesë në votim.
(iii) Në “thirrjen e dytë” janë përjashtuar nga kandidimi, kandidatët që ishin skualifikuar në raundin e parë! Kjo është hipotezë e paparashikuar nga ligji. Për pasojë, rezulton se është dëmtuar padrejtësisht kandidati z. Bledar Ilia, të cilit i është shkelur e drejta në konkurrim nga Avokati i Popullit z. Igli Totozani (herën e parë kandidati ishte skualifikuar për mungesë dokumentacioni), të cilin ai e ka plotësuar në përgjigje të thirrjes së dytë për konkurrim. Për këtë radhë është skualifikuar pa asnjë motiv ligjor.
(iv) Kandidati z. Altin Hazizaj, ka paraqitur 2 kopje të librezës së punës, të cilat kanë ndryshim në faqen 18 (tek njëra është shënuar që ka qenë (jurist/avokat), kurse te tjetra nuk figuron ky shënim)! Ky fakt është i rëndësishëm për të konsideruar të përmbushur kushtin e ushtrimit të profesionit të juristit, së paku 5 vitet e fundit dhe në total të 15 vjet eksperiencë.
Është injoruar kushti kushtetues “jurist me integritetin më të lartë profesional” për pjesën dërrmuese të kandidatëve të kualifikuar.
ONM ka bërë një “revizion” të vlerësimit të kritereve dhe pas një vlerësimi objektiv të kritereve, ka përshkruar dhe konstatuar nivelin tepër të dobët të kandidatëve nga radhët e avokatëve apo arritje mesatare profesionale për kandidatët nga radhët e pedagogëve. Në këtë pikë, dëshirojmë të theksojmë se mospasja e “nivelit më të lartë profesional”, përbën shkak për skualifikimin e kandidatëve, për shkak se ky është kusht kushtetues për të qenë anëtar i KLGJ apo KLP. Për pasojë, ishte dhe është në detyrimin e organeve përzgjedhëse, që të skualifikojnë të gjithë kandidatët që ONM ka konstatuar se kanë nivel të ulët apo mesatar profesional. Gjithashtu, Kuvendi nuk mund të injorojë konstatimin e ONM-së se një kandidat i shoqërisë civile z. Alfred Balla, ka paraqitur si platformë konkurrimi, identikisht platformën e një kandidati tjetër të skualifikuar (z. Plarent Ndreca). Ky akt përbën mospërmbushje të kritereve morale nga ana e kandidatit.

IV. Mosverifikimi i integritetit moral dhe profesional të kandidatëve

Në raportet përkatëse të sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit evidentohet fakti se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), për pjesën dërrmuese të kandidatëve, rreth 90 për qind të tyre, nuk ka bërë vlerësimin e pasurisë, me argumentin se nuk kanë qenë subjekt deklarues më parë në këtë institucion dhe për pasojë nuk disponon të dhëna. Por pavarësisht këtij qëndrimi të ILDKPKI, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, nuk rezulton të ketë kryer asnjë veprim në funksion të verifikimit të përmbushjes ose jo të kriterit të ligjshmërisë së pasurisë nga kandidati, që është drejtpërdrejtë e lidhur me kriterin kushtetues të integritetit të lartë moral. Kualifikimi i kandidatëve nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, pavarësisht mosverifikimit të këtij kriteri, si pasojë e mungesës së informacioneve nga ana e ILDKPKI, përbën mospërmbushje të përgjegjësive të ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji.
Nga ana tjetër, ritheksojmë, se sipas raporteve të sekretarit të Përgjithshëm, pjesa dërrmuese e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, janë vlerësuar nga ONM se kanë arritje mesatare apo nën mesatare në profesion. Kjo vendos në pikëpyetje përmbushjen prej tyre të kriterit kushtetues të juristit të spikatur apo integritetit më të lartë profesional. Gjithashtu, për një kandidat dhe konkretisht z. Ilir Panda, ONM ka vlerësuar se ai ka qenë i angazhuar politikisht në nivele shumë të larta në të kaluarën, çka vendos në pikëpyetje garancinë për paanshmëri politike në ushtrimin e funksionit.

V. Mosplotësimi i detyrimeve ligjore nga ana e Kuvendit të Shqipërisë

Sjellja juaj si më sipër, nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit apo nxitjes së autoriteteve akademike që të injorojnë ligjin dhe detyrimet që i parashikon ligji, dëshmon edhe një herë shqetësimin e bërë publik me kohë nga opozita, se qëllimi i kësaj mazhorance nuk është të lejojë kryerjen e një reforme të vërtetë dhe të pandikuar politikisht në sistemin e drejtësisë, por ta përdorë atë si alibinë e radhës për të siguruar kontrollin e plotë politik mbi sistemin e drejtësisë në vend. Prova e qartë për këtë është fakti që vlerësimet e ONM-së për mazhorancën kanë vlerë ligjore, derisa ato nuk cenojnë projektin tuaj për kontrollin politik të sistemit të drejtësisë. Në rast kur vlerësimet e ONM vështirësojnë apo rrezikojnë këtë qëllim tuaj të hershëm, në kundërshtim me të gjithçka propagandoni gjatë gjithë kohës, mjafton një faqe raport nga sekretari politik i Përgjithshëm i Kuvendit, që të injoroni parashikimet në Kushtetutë dhe ligj dhe të mos merrni në konsideratë vlerësimet e bëra në mënyrë të pavarur nga ONM.
Sjelljes tuaj antikushtetuese i ka ardhur në ndihmë edhe mospërmbushja nga Kuvendi i detyrimeve që i ngarkon ligji. Konkretisht, me qëllim që të ecet në një terren të paqartë dhe që ligjet të zbatohen sipas vullnetit të njëanshëm të mazhorancës, Kuvendi nuk ka përmbushur detyrimin e parashikuar në nenin 288 të Ligjit nr. 115/2016, ku parashikohet se:
“1. Jo më vonë se 15 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi krijon një komision të pavarur për monitorimin e proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve dhe të zgjedhjes së emërimit të anëtarëve të organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë.
2. Komisioni i pavarur miraton rregullat e veprimtarisë së tij. Komisioni ndihmohet në ushtrimin e funksioneve të tij nga administrata e Kuvendit.
3. Komisioni i pavarur bën koordinimin midis institucioneve dhe organeve që zbatojnë parashikimet ligjore të këtij ligji, si dhe ndjek ecurinë e zbatimit të parashikimeve ligjore nga institucionet respektive, të parashikuara në ligj, brenda afateve ligjore të parashikuara”.
Mungesa e këtij komisioni të pavarur, i ka krijuar mundësinë mazhorancës që të drejtojë të gjithë procesin e krijimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, duke koordinuar dhe orientuar veprimet e të gjitha institucioneve apo aktorëve të përfshirë në proces. Është e paimagjinueshme që Kuvendi ka injoruar të përmbushë një detyrim ligjor që e ka miratuar vetë, duke shërbyer në këtë mënyrë si model sjelljeje edhe për anëtarët e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, se shkelja e ligjit nuk sjell pasoja!

Paralajmërimi i “Venecias” për dështimin e skemës të reformës

Ne nuk duam të besojmë, se numri i ulët i kandidaturave të vlefshme për votim ka ardhur si pasojë e mungesës së burimeve të nevojshme njerëzore në Republikën e Shqipërisë, edhe pse gjatë fazës së hartimit të ndryshimeve kushtetuese ky shqetësim ishte ngritur jo vetëm nga ana jonë, por edhe nga Komisioni i Venecias, sipas të cilit Shqipëria nuk ka kapacitetet e nevojshme njerëzore për një skemë kaq komplekse institucionale. Mirëpo, ky shqetësim u injoruar atëherë nga mazhoranca dhe po jep impaktin në këtë moment të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Megjithatë, ne duam të besojmë se ndoshta, numri i ulët i kandidatëve të përfshirë në këtë proces, nga radhët e pedagogëve dhe shoqërisë civile, ka ardhur si pasojë e situatës politike në vend në momentin e shpalljes së thirrjes për shprehje interesi, ku kujtojmë se thirrjet për aplikim kanë përkuar me ditët e zgjedhjeve të përgjithshme në vend, çka mund të ketë shkaktuar humbje të vëmendjes mbi këtë proces nga personat e interesuar për të kandiduar.
Në vlerësimin tonë, konkurrimi mes një numri të lartë konkurrentësh nga njëra anë dhe zgjedhja e individëve me integritetin më të lartë profesional dhe moral nga ana tjetër, është parakusht për të patur institucione të reja funksionale dhe efikase. Nëse zgjedhja e anëtarëve të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, bëhet në mënyrë “të detyruar” dhe formale, mes një numri të ulët kandidatësh, që pothuajse eliminon fare garën dhe mundësinë e përzgjedhjes së më të mirëve midis profesionistëve të fushës, atëherë kjo mund të sjellë pasoja të parikuperueshme në performancën e organeve të reja të sistemit. Në këtë mënyrë, zhgënjehen pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, duke mos rikthyer besimin e tyre tek sistemi i drejtësisë në vend, që ishte edhe një nga objektivat madhore të Reformës në Drejtësi. Shmangia e këtij rreziku kërkon angazhimin e përbashkët dhe të sinqertë të të gjitha grupimeve politike në Kuvend, që për t’i mundësuar qytetarëve një sistem të reformuar të drejtësisë në vend, t’i bëjmë thirrje profesionistëve të vërtetë që të bëhen pjesë e garës për anëtarët e KLGJ dhe KLP, duke i siguruar atyre një proces transparent në përzgjedhje dhe të bazuar vetëm në meritën e kandidatëve, dhe kurrsesi në një proces të diktuar nga politika. Në emër të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, shprehim gatishmërinë tonë në këtë drejtim.
Së fundmi, dëshirojmë të theksojmë se nga ana jonë, nuk vihet në diskutim në asnjë moment, integriteti profesional apo moral, i asnjë prej kandidatëve të përmendur në shkresë. Mirëpo, evidentimi i çështjeve/shkeljeve si më sipër, lind si nevojë e zbatimit korrekt të dispozitave ligjore (kritereve ligjore apo konstatimeve të ONM). Kjo është një premisë bazë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi nën frymën dhe germën e Kushtetutës dhe ligjit, si një mesazh i rëndësishëm ky nga ana e Kuvendit për organet e reja të sistemit të drejtësisë, për nevojën e forcimit të kulturës së zbatimit korrekt të ligjit. E kundërta është nxitje për paligjshmëri!
Për të gjitha sa më lart, në mbështetje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore në fuqi, kërkojmë nga kolegët e mazhorancës në nënkomision, marrjen e masave të menjëhershme për të korrigjuar së bashku shkeljet e konstatuara dhe për ta gjetur mekanizimin e nevojshëm në përputhje me ligjin për të futur procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP në shinat e Kushtetutës dhe ligjit, si dhe për të thirrur profesionistët më të mirë që të bëhen pjesë e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Artikulli paraprakONM rrëzoi kandidaturën e Ramës
Artikulli tjetërMediat franceze: Shqiptarët gati të vijnë në Francë për të shitur drogë