Ofensiva e ‘Deep State’

Giampaolo ROSSI

Në Amerikë e quajnë Deep State; është një sëmundje endemike e çdo demokracie, është substrati i sistemit të pushtetit dhe kontrollit të një vendi, ai aparat burokratik, administrativ, policor dhe gjyqësor (vendimtar dhe i padukshëm) që riprodhohet si një qelizë e sëmurë në tripin e vendit duke u vetëgjeneruar në kohë, e pandjeshme ndaj çdo ndryshimi. Kur politika (domethënë qeveria dhe Parlamenti) është e fortë, e legjitimuar dhe sovrane, Deep State mbahet larg, nën kontroll dhe bile mund të ketë një funksion pozitiv stabiliteti ndaj interesave të veçanta që politika mund të përfaqësojë. Kur politika është e dobët, Deep State mbizotëron ndaj saj, e kushtëzon dhe e shantazhon duke u shndërruar në një lloj “qeverie hije” që i përshkon transversalisht rreshtimet dhe bile mund të ndodhë edhe që vetë ai të bëhet qeveri, si në rastin e ekzekutivëve jo të zgjedhur nga qytetarët dhe të përbërë nga teknokratë të rekrutuar drejtpërsëdrejti nga basifondet e burokracisë.
Deep State është një lloj tumori, një qelizë e çmendur që shkatërron pjesën e shëndoshë të organizmit; sa më i madh është ai, aq më shumë është e dobët pjesa e shëndoshë e një vendi, aq më shumë metastazat e tij janë të përhapur në qendrat nevralgjike të pushtetit dhe aq më shumë demokracia vdes. Kur ankohemi për faktin se pse qeveritë ndryshojnë, por nuk ndryshon kurrë asgjë në vend, kjo ndodh sepse ne nuk e perceptojmë pushtetin e pafund të Deep State. Deep State është moçali i palëvizshmërisë dhe kur qytetarët, nëpërmjet vullnetit popullor, shprehin ndryshimin (në përgjithësi me zgjedhjen e liderëve apo të partive antiestablishment) Deep State ngre urën e shpëtimit dhe kompaktësohet për të mbrojtur vetveten dhe sistemin nga i cili varet. Në Itali ka ndodhur me Silvio Berlusconin, në Amerikë po ndodh me Donald Trump.
Në përgjithësi, Deep State vepron nëpërmjet një krahu të armatosur. Në Itali ka qenë (dhe është) Prokuroria; në Amerikë është CIA ose ai aparat kompleks kontrolli që e quajnë Komunitet Inteligjence. Eliminimi politik i Michael Flynn, njeriut që Donald Trump e kishte vënë në krye të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pikërisht për të ridizajnuar politikën e jashtme amerikane, është prova e ofensivës së dhunshme që Deep State po ndërmerr kundër Presidentit amerikan.

Pse Flynn?

Për të kuptuar pse Michael Flynn është eliminuar nuk shërben analizë komplekse politike. Mjafton të rilexohet një intervistë e tij në “Der Spiegel” e 29 nëntorit 2015. Atëherë Flynn ishte “vetëm” një prej ekspertëve më të mëdhenj ushtarakë të terrorizmit islamik. Në intervistë ka dy paragrafë themelorë. I pari mbi Sirinë: “Duhet të punojmë në mënyrë konstruktive me Rusinë. Na pëlqen apo jo, Rusia ka marrë vendimin që të jetë aty (në Siri) dhe të veprojë ushtarakisht. Kjo e ka ndryshuar rrënjësisht dinamikën. Kështu që nuk mund të thuhet se rusët janë e keqja dhe duhet të kthehen në shtëpi. Nuk do të ndodhë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”. I dyti mbi Irakun. Intervistuesi e pyet: “Shteti Islamik nuk do të ishte aty ku është pa rënien e Bagdadit. Jeni penduar?” Përgjigjja: “Absolutisht po (…) ka qenë një gabim i madh. Për sa brutal që ishte Saddam Hussein, ka qenë gabim eliminimi i tij. E njëjta gjë vlen për Khadaffi dhe për Libinë, që tani është një shtet i dështuar. Mësimi historik është se ka qenë një dështim strategjik vajtja në Irak. Historia nuk do të jetë e butë me këtë vendim”.
Në verën e 2013 (dy vjet më parë) Micheal Flynn ishte kreu i DIA-s (Defense Intelligence Agency). Bashkë me Gjeneralin Martin Dempsey, shef i Shefave të Bashkuar të Shtabit, përpunuan një seri raportesh tejet të klasifikuara drejt Shtëpisë së Bardhë. Në këto raporte i shpjegonin Obamës gabimin që po bënin Shtetet e Bashkuara duke kërkuar të rrëzonin regjimin e Assadit në vend që të luftonin ISIS-in. Duke vepruar po e fusnin rajonin në kaos, duke krijuar një Libi të re dhe duke u dhënë hapësirë islamistëve. Shpjegonin se rebelët e moderuar qenë “të kontrolluar nga xhihadistët” dhe se CIA po komplotonte me sauditët dhe turqit duke armatosur fraksionet e Al-Qaedas. Të gjitha gjëra të provuara gjerësisht sot. Seymour Hersh, një prej analistëve më të shquar amerikanë, i deklaroi: “Sikur opinioni publik ta kishte parë inteligjencën që po prodhonim çdo ditë, do të ishte tërbuar fare”. Por ju desh të dorëzohej: në Uashington “nuk donin ta dëgjonin të vërtetën”.
Flynn u dorëhoq nga posti i tij në shenjë proteste dhe qysh nga ai moment u bë armiku më i betuar i partisë së luftës, i së cilës Obama ishte maska e jashtme, por që ishte rrënjosur në Deep State e Amerikës (CIA, Departament Shteti e Pentagon, aparat tekno–ushtarak i lidhur me industrinë e lulëzuar të mbrojtjes, nivele drejtuese të Partisë Demokrate dhe të asaj Republikane, sisteme të mediave, think tank). Për këtë është eliminuar me një operacion që Eli Lake tek Bloomberg e ka quajtur prej “shteti policor”. Sapo ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë me Trump, Flynn ka nisur të punojë për ta çrrënjosur stërfuqinë e aparatit inteligjento–ushtarak që kushtëzon demokracinë amerikane. Për këtë arsye duhej vrarë politikisht.

Vija e fundit e mbrojtjes

Trump ka vendosur ta sakrifikojë Flynn. Nëse kjo zgjedhje është e drejtë, këtë do ta shohim në muajt e ardhshëm. Presidenti amerikan e di shumë mirë se cilët janë armiqtë e tij. E di se Deep State fillimisht ka kërkuar që t’i pengojë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë me tentativën e impeachment lidhur me çështjen qesharake të spiunazhit rus dhe tani po kërkon ta “normalizojë” duke i goditur njerëzit më armiqësorë ndaj sistemit. Deep State është armiku i vërtetë i Donald Trump. Aksi me sistemin e korruptuar të mediave dhe me dhunën aktiviste të financuar nga Xhorxh Soros për të frikësuar opinionin publik paraqet fytyrën e kësaj Amerike në dorën e një elite të pamëshirshme. Do të shikojmë nëse Donald Trump do të jetë në gjendje që t’i resistojë ofensivës që Deep State ka ndërmarrë kundër tij dhe kundër demokracisë apo do të kapitullojë. Nëse do t’ia arrijë, do të hyjë në histori si një President i lirë apo do të bëhet një marionetë e thjeshtë në duart e partisë së luftës siç ka qenë Obama ose siç do të kishte qenë Hillary Clinton. Nëse falë tij Amerika do të kthehet të jetë një model demokracie për botën apo do të mbesë vendi peng i një elite kriminale që gjatë këtyre 9 viteve ka prodhuar luftëra humanitare dhe kaos në të gjithë Lindjen e Mesme për të ushqyer lojërat gjeopolitike dhe interesat ekonomike financiare e lobeve të pushtetit në Uashington. Me vrasjen politike të Flynn, Deep State ka shënuar një fitore ndaj Trump. Ama Presidenti e di se nuk është Obama dhe se nuk është produkt i këtij sistemi. Për këtë arsye i ka bërë apel armës së tij më të fortë: popullit amerikan. “Jeni vija e fundit e mbrojtjes”, ka shkruar ai. Krenaria e “We the People” kundër forcës së një elite kriminale. Ndeshja nuk është aspak e mbyllur.

“Il Giornale”

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakBerisha: Edvin mbaj shënim, bëj gati vendin e azilit
Artikulli tjetërPërse me Lulzim Bashën në çadër duan të hyjnë të gjithë!!!