Berisha: Edvin mbaj shënim, bëj gati vendin e azilit

Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka quajtur fitore historike të popullit të lirisë takimin e kryetarit të PD Lulzim Basha me diplomaten e lartë të BE.
Në një status në Facebook, Berisha shkruan se pas përpjekjeve të Kryeministrit Edi Rama që të dështonte takimin Basha-Mogerini, kjo gjë nuk ndodhi.
Ish-Kryeministri ka një mesazh edhe për Edi Ramën.
Statusi në Facebook i ish-Kryeministrit Sali Berisha:
Një fitore historike e popullit të lirisë!
Të dashur miq, takimi i Përfaqësueses së Lartë të BE për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Frederica Mogerini me kryetarin e opozitës Basha është takim me Çadrën e Lirisë, është fitore historike e popullit të lirisë dhe pushtetit të tij që po lind!
Zhvillimi i këtij takim shënon gjithashtu dështimin e plotë të përpjekjeve të jashtëzakonshme e primitive të Edvin Kristaq Ramës, i cili nuk la gur pa lëvizur për të dështuar këtë takim dhe për të “izoluar”/”ndryrë”Lulzim Bashën të vetmuar në çadër siç ishte betuar ai këto kohë bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, duke skërmitur dhëmbët dhjetëra herë në ditë!
Takimi është historik, sepse nuk u zhvillua thjesht me liderin e opozitës, por se u zhvillua pikërisht për ato shkaqet që Edi Rama donte që kurrë të mos zhvillohej.
Ai u zhvillua, sepse Lulzim Basha tashmë nuk përfaqëson vetëm PD, nuk përfaqëson vetëm opozitën, por përfaqëson lëvizjen masive popullore të 18 shkurtit, lëvizjen e votës së lirë, shpresës dhe besimit të shqiptarëve tek vetja, e ardhmja dhe vendi i tyre!
Duke përshëndetur përzemërsisht këtë takim më duhet t’i them piktorit dështak se Çadra e Lirisë dhe qeveria me maskë të zezë karshi saj, janë realisht dy botë; njëra që po lind e që rrezaton shpresë dhe besim, jo vetëm në çdo skaj e qoshe të vendit që Rama e shndërroi në Kolumbi të Europës, por dhe në metropolet e mëdha të Europës dhe Botës; Kurse tjetra që po rrokulliset me shpejtësi jo drejt arkivave, por në koshin e plehrave të historisë.
Prandaj Edvin bëje gati vendin e azilit! Mos u tmerro. Mbaje shënim! Nuk ke parë gjë akoma! Ky është vetëm fillimi! sb

Artikulli paraprakMinistria e Mjedisit pranon: Plehrat u futën në Shqipëri
Artikulli tjetërOfensiva e ‘Deep State’