Obama është optimist për të ardhmen e Amerikës

Presidenti Barack Obama thotë se është optimist për të ardhmen e Amerikës, por se ka edhe shqetësime se ndasitë mund të gërryejnë vlerat themelore të vendit. Gjatë konferencës së fundit për shtyp zoti Obama foli edhe rreth bisedave të tij me presidentin e zgjedhur, Donald Trump.
Në seancën e tij të fundit me pyetje-përgjigje me gazetarët e akredituar në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se i ka dhënë këshillat më të mira të mundshme pasardhësit.
Por, ai shtoi se në fund të fundit do të jetë ekipi i zotit Trump që do të ketë ndikimin më të madh: “Mendoj se shumë prej pikëpamjeve të tij do të përcaktohen prej këshilltarëve të tij. Prandaj është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje seancave të konfirmimit”.
Ai i ka thënë zotit Trump se do t’i duhet ndihmë: “Është një punë që nuk e bën dot i vetëm”. Ai mbrojti vendimin e tij për Chelsea Manning, që ishte dënuar me 35 vjet burg për nxjerrje materialesh të klasifikuara. Zoti Obama tha se ish-ushtarakja pati marrë përgjegjësinë për veprimet e saj dhe se vuajti dënim më të zgjatur se shumica e personave të tjerë të dënuar për krime të ngjashme:
“Kishte kuptim ta shkurtonim dënimin e saj, por jo ta falnim. Ndjehem shumë komod që është vendosur drejtësia”. Zoti Obama bëri thirrje për një politikë sigurie kibernetike për t’u mbrojtur nga sulmet e vendeve si Kina dhe Rusia, e akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.
Ai akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin për një qëndrim antiamerikan që i vështirësoi gjërat. Zoti Obama tha se synon të kalojë më shumë kohë këtë vit me familjen e tij dhe me shkrime. Por, ai premtoi të ngrejë zërin nëse do të ndjejë se do të preken vlerat themeltare të vendit: “Shqetësohem për pabarazinë, sepse mendoj se nuk po bëjmë mjaftueshëm për t’u siguruar që gjithkush të luajë një rol në ekonomi, e cila do ta ngadalësojë rritjen, gjë që mendoj se do të shkaktojë ndasi të mëtejshme mes amerikanëve”.
Zoti Obama shprehu edhe optimizmin e tij karakteristik… Ai i inkurajoi mediat të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjshmëri nga udhëheqësit e ardhshëm.

Artikulli paraprakHistoria e miliarderit që u bë President
Artikulli tjetërPse gjermanët janë skeptikë ndaj Trump?