Historia e miliarderit që u bë President

Biznesmeni miliarder nga Nju Jorku dhe ish-yll i programeve reale televizive, Donald Trump, ishte fitues befasues i zgjedhjeve partiake republikane për t’u bërë i nominuar i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale.
Ky pasanik me flokë karakteristike, i befasoi ekspertët dhe zyrtarët partiakë duke i mundur të 16 rivalët e tjerë madhorë në Partinë Republikane dhe e pranoi nominimin në Konventën Kombëtare Republikane, të mbajtur në Klivlend, në muajin korrik të vitit të kaluar.
I karakterizuar si një fillestar politik, zoti Trump ka garuar si kandidat antiestablishment, duke i kritikuar ashpër dhe duke i ofenduar rivalët e tjerë me më tepër përvojë politike në rrjetin Twitter dhe gjatë debateve.
Trump i eliminoi edhe dy kundërshtarët e tij finalë, senatorin nga Teksasi, Ted Cruz dhe guvernatorin e Ohajos, John Kasich, për ta fituar të drejtën që të garojë me të nominuarën demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit të kaluar.
Duke premtuar për ta “bërë Amerikën përsëri të madhe”, me krijimin e më tepër vendeve të punës dhe me uljen e taksave, zoti Trump nuk i zbulonte shumë detaje të çështjeve që i trajtonte dhe shpeshherë i ka ndryshuar qëndrimet e tij.
Ai pat thënë se do ta përmirësojë “ligjin dhe rendin” dhe ka shprehur përkushtim për ndërtim të murit përgjatë kufirit Shtetet e Bashkuara-Meksika, për të mos lejuar hyrjen e migrantëve ilegalë dhe ka insistuar që Meksika do të paguajë për këtë mur.
Donald Trump, po ashtu, ka thënë se do të ndërmerrte “kontrollim ekstrem” për imigrantët myslimanë për të përcaktuar nëse në mesin e tyre ka terroristë, por aktualisht është tërhequr nga premtimi për ndaljen e hyrjes së të gjithë myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Trump, 70-vjeçar, e ka kritikuar ashpër presidentin Barack Obama, si lider i butë dhe e ka fajësuar për atë që ai e cilësoi si politikë e dështuar në Siri dhe në pikat e tjera të krizave në gjithë botën.
Ai ishte veçanërisht kritik ndaj marrëveshjes bërthamore të fuqive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, me Iranin, të arritur në vitin 2015.
Duke u shprehur për rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, Trump ka vlerësuar se ajo ishte “sekretarja e Shtetit më e keqe” në historinë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa e ka lavdëruar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, si “lider të madh”.
Gjatë kohës së fushatës partiake dhe asaj presidenciale, Donald Trump ka treguar mungesë të dijes për çështjet e jashtme politike dhe duket se gjatë një interviste muajin e kaluar, nuk kishte njohuri se Rusia me forcë e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës.
Me prejardhje gjermane dhe skoceze, Donald Trump, është lindur në qytetin e Nju Jorkut, ndërsa babai i tij, Freed Trump, ishte biznesmen i pasur, që merrej me pasuritë e patundshme.
Donald Trump diplomoi në Akademinë Ushtarake private në Nju Jork, e pastaj ka kaluar në Universitetin Fordham në Bronks. Dy vitet e fundit të studimeve i kaloi në Universitetin e Pensilvanisë, ku diplomoi në ekonomi në vitin 1968.
Trump kurrë nuk ka shërbyer në ushtri, pasi ka përdorur arsyetimin studentor ose mjekësor për shtyrje të shërbimit ushtarak gjatë periudhës së luftës në Vietnam.
Derisa studionte, Donald Trump filloi të punonte në kompaninë për patundshmëri të babait të tij, ndërsa pas vdekjes së babait në vitin 1999, e mori përsipër gjithë kompaninë.
Organizata Trump i ka ndërtuar disa rrokaqiej dhe kazino në gjithë botën, por shumicën prej tyre në territorin e Nju Jorkut.
Gjatë viteve aktuale, kompania e zotit Trump, po ashtu, ishte e involvuar në zhvillimin e kurseve të golfit dhe i ka udhëhequr disa gara për zgjedhje të bukuroshes në Shtetet e Bashkuara dhe në botë.
Disa herë, Organizata Trump ka shpallur falimentim, ndërsa Donald Trump ka dështuar në përpjekjet për të themeluar universitet.
Pasuria e tij vlerësohet se është ndërmjet 3 e deri në 3.7 miliardë dollarë. Ai ishte bërë personalitet i njohur televiziv në programin “The Apprentice”, duke debutuar në vitin 2004.
Ky program është i njohur se Trump i përdorte fjalët “je i shkarkuar” derisa në fund të shout të tij i eliminonte garuesit.
Por, kontrata e zotit Trump raportohet se është anuluar nga rrjeti “NBC” në vitin 2016, për shkak të asaj që i ka quajtur “deklarata poshtëruese” për migrantët.
Trump i ka pesë fëmijë nga tri martesa dhe tetë nipër e mbesa. Vajza e tij, Ivanka dhe djemtë Donald Junior dhe Eric, kanë luajtur role të rëndësishme në fushatën e tij zgjedhore. Për nga religjioni, Donald Trump është i krishterë protestant.

Trumpi dhe Evropa, ç’duhet të presin BE-ja dhe Gjermania?

Bashkimi Evropian është për Gjermaninë një mjet për qëllimet e saj; NATO-ja “e vjetëruar”: intervista e Donald Trumpit dhënë gazetës gjermane “Bild”, ka shkaktuar habi dhe indinjatë.
Edhe pse Donald Trumpi nuk ishte ende president shumë nga deklaratat e tij rreth Evropës, Gjermanisë dhe NATO-s ishin kontradiktore. Megjithatë që në fjalimet e tij të para të fushatës elektorale u bë e qartë se lajtmotivi që do të përcaktojë politikën e jashtme dhe ekonomike të Trumpit është: “America First” – “Interesat e Amerikës kanë përparësi”. Në dallim me politikën shumëvjeçare amerikane Trumpi e sheh BE-në si një krijim artificial pa shpirt, që madje dëmton ekonominë amerikane. Trumpi ndan mendimin e mikut të tij britanik dhe kritikut ndaj BE-së Nigel Farage: BE-ja u shërben kryesisht interesave të ekonomisë gjermane, kështu tha Trumpi në një intervistë me gazetata “Bild” dhe “Times”: “BE-ja është në thelb një instrument për Gjermaninë. Kjo është arsyeja pse e konsideroj si shumë të zgjuar vendimin e Britanisë për të dalë nga BE-ja”, tha Trumpi.
Trumpi mendon në kategorinë e shteteve kombëtare dhe është skeptik jo vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj OKB-së apo organizatave të tjera multinacionale. Trumpi mendon se mes shteteve mund të ketë marrëveshje dypalëshe, por jo një situatë win-win për të gjithë. Ndërsa paraardhësi i tij Barack Obama e vlerësonte Bashkimin Evropian si një nga arritjet më të mëdha në historinë e Evropës, Trump është i bindur se pas Britanisë nga BE-ja do të largohen edhe vende të tjera.
Heather Conley, eksperte për Evropën pranë “Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare”, një think-tank i politikës së jashtme në Uashington, mendon se nën drejtimin e Trumpit do të ketë një “ringjallje të marrëdhënieve dypalëshe” midis SHBA dhe Britanisë së Madhe. “Tashmë është njoftuar se kryeministrja Theresa May së shpejti do të vijë në Uashington”, thotë Heather Conley.
Ndërsa Barack Obama i kishte paralajmëruar britanikët ndaj Brexit-it, Donald Trumpi synon një marrëveshje të shpejtë dypalëshe tregtare me Mbretërinë e Bashkuar. Pjesë e strategjisë negociuese të Trumpit është që t’i vërë disa partnerë kundër njëri-tjetrit në mënyrë që të nxjerrë në fund për veten dhe vendin e tij më të mirën. Kjo shpjegon gjithashtu deklaratat kontradiktore të Trumpit për NATO-n.

Artikulli paraprakMilan-Napoli do të jetë një sfidë e madhe
Artikulli tjetërObama është optimist për të ardhmen e Amerikës