Nuk kanë të ndalur tenderat e KESH për blerje energjie

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur procedurën për blerjen e energjisë elektrike për muajin nëntor. Sipas njoftimit të shpallur, në total parashikohet blerja e 129.600 Mwh, ndërkohë që afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë e interesuara është data 26 tetor. Sasia e kërkuar nga KESH është e njëjtë me një muaj më parë, pavarësisht se pas mbylljes së procedurës në total u blenë 111.750 Mwh energji.
Kërkesa për blerje vjen në kushtet kur asetet gjeneruese nuk po prodhojnë mjaftueshëm energji, në kushtet e mungesës së reshjeve të shiut, ndërkohë që për blerjen e muajit nëntor do të përdoret sërish huaja e Bankës Botërore. Me qëllim përmirësimin e situatës financiare të kompanisë, gjatë këtij muaji KESH realizoi edhe procedurën e shitblerjes së energjisë, e cila i siguroi një fitim prej rreth 243 mijë euro.
Procedura e optimizimit u bë për një sasi të vogël prej 17,800 Mwh, ndërkohë që synonte pikërisht përfitimin nga diferenca e çmimit të shitjes me atë të blerjes. Në kushtet e thatësirës, një ditë më parë edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hapi procedurën për blerjen e energjisë për 5 ditët e mbetura të muajit tetor, duke kërkuar 29. 600 Mwh energji. Hapja e kësaj procedure erdhi pas blerjes së 119.040 Mwh, që OSHEE realizoi në fund të muajit shtator.

Artikulli paraprakEdhe Islanda në panik nga trafiku i drogës nga mafia shqiptare
Artikulli tjetërMashtrimi i Ramës me rrugën turistike në Velipojë