Nuk jep dorëheqjen nga frika e burgosjes

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi Ramën dje nga Sheshi i Lirisë se burgu do të jetë fundi i tij i pashmangshëm, ndërsa cilësoi si përpjekje të dëshpëruara aktet e tij për të amnistuar veten dhe njerëzit pranë tij për krimet e kryera. Reagimi i Berishës erdhi pas miratimit në Kuvend një javë më parë, të nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon amnistimin e të gjitha vendimeve të dhëna nga Gjykata ndaj politikanëve të akuzuar për korrupsion apo krime të ndryshme. Miratimi i këtij neni kaloi në fshehtësi të plotë pa asnjë diskutim publik në një kohë, kur opozita nuk është më në Parlament. Berisha garantoi zhbërjen e menjëhershme të këtij neni sapo kjo qeverisje të largohet nga pushteti, ndërsa tha se Rama bashkë me shpurën e tij do të ketë burgun si përgjigje të lidhjeve të tij me narkotrafikun dhe krimin e organizuar. Berisha bëri thirrje për ngritjen e të gjithë qytetarëve në një betejë të fortë për largimin e Ramës nga pushteti, ndërsa tha se, vet Rama nuk do të japë dorëheqjen për shkak se rrezikon burgun. “Nuk duhet të kemi asnjë iluzion, Edi Rama s’jep dorëheqjen, çka do të thotë që ne duhet ta kërrejmë andej, duhet ta shporrim, ta qërojmë. Pse Edi Rama nuk jep dorëheqjen? Jo më falni…e analizojmë sëbashku. Çfarë ndodhi këto dy javë? Dy javë më parë, Edi Rama u tha ministrave të tij se, ne jemi para alternativës; pushteti ose burgu. Ose të mbajmë pushtetin me çdo kusht, ose na pret burgu. Madje dhe për këtë duhet të na falenderojë, se meriton më shumë se burgun. Çfarë bëri para një jave Rama? Në një akt të paimagjinueshëm, që s’mund të ndodh kurrë në një vend të qytetëruar, kaloi ligjin për të amnistuar politikanët për të gjitha veprat penale që kanë kryer para kalimit të këtij ligji. Kaloi ligjin në parlament, pra për të amnistuar veten e tij, për të amnistuar ministrat e tij, që të gjithë pa përjashtim janë një organizatë kriminale nga më të rrezikshmet në Europë. Edi Rama, këta burra dhe gra që janë në çadër, ditë e natë e natë e ditë, në këtë vend që ti e quan “tokë të xanun”, të garantoj që atë ligj, në aktin më të parë do ta bëjnë të paqenë dhe ti dhe të gjithë politikanët që kanë kryer krime, të shkojnë të zgjedhin birucën. Pra mos të kemi iluzione, krimet e kryera këtë nuk e lënë të japë dorëheqjen. Mijëra e mijëra tonelata drogë, siç e shihni të depozituara që të gjitha në magazinat shtetërore dhe në tunelet e Ushtrisë. Kur e denoncuam në fillim, pati njerëz që thonin pse po i bie më qafë ushtrisë dhe shtetit kështu. Edhe për aerodromet e drogës kështu thonin këta, por ja që ata dolën. Ja që çdo ditë e çdo javë zbulohen tunele me drogë, magazina shtetërore me drogë. Ju them unë se ajo e Skraparit është një nga fabrikat e teknologjisë më të lartë përsa i përket drogës. Eshtë direkt e drejtuar nga qeveria. Kapin dy a tre fshatarë që gjejnë aty, sepse bosët i njofton policia të largohen. Arrestimet dhe gjetjet janë vepër e Prokurorisë. Edi Rama nuk jep dorëheqjen, atë nuk e lënë bandat e krimit, sepse ata e kanë të regjistruar atë me qindra e qindra herë duke u kërkuar atyre paratë e krimit, duke u porositur tek ata krime. Natyrisht ai është skllav i tyre dhe në mënyrë absolute, ai nuk mund të japi dorëheqjen. Edi Rama ka vetëm një vend; burgun, burgun dhe vetëm burgun. Dhe kur e them këtë, nuk e them këtu për 40 e ca mashtrimet e tij të turpshme elektorale që s’ka mbajtur asnjë, sepse për ato do marri faturën në zgjedhje. Kur e them këtë, nuk e them se nuk ka ndërtuar qoftë dhe një kilometër rrugë në këtë vend, sepse dhe për këtë do marrë faturën që meriton në zgjedhje. Nuk e them këtë se po mashtron çdo ditë, duke zëvendësuar mashtrimet e vjetra me mashtrime të reja, sepse edhe për këtë do marrë faturën në zgjedhje. Nuk e them këtë se në katër vite ka larguar me qindra investitorë, ndër të cilët më të mëdhenjtë që mund të ishin parë ndonjëherë, duke i rrahur e goditur e duke u copëtuar kockat. Por e them këtë, sepse me bandat e tij, me drogën që mbolli largoi investitorët dhe po i largon çdo ditë ata nga Shqipëria. Ai meriton burgun dhe vetëm burgun, sepse në vit elektoral, për të helmuar dhe për t’u shkatërruar votën shqiptarëve mbushi vendin me drogë dhe ky është krimi më i madh që është bërë kundër demokracisë qysh nga viti ‘45 kur Enver Hoxha vendosi diktaturën komuniste në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

Përballje dhëmbë për dhëmbë kundër regjimit të krimit

Ditën e 56 të qendresës opozitare për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes krijimit të një qeverie teknike, Berisha e cilësoi si dëshmi të guximit qytetar për përballje pa çmim kundër regjimit të krimit. “Së pari, një përshëndetje të përzemër e vllazërore, por dhe një ftesë për çdo shqiptar, t’i shtrojnë në këtë moment vetëm një pyetje vetes; cili nga ju besonte 56 ditë më parë se çadra e ngritur këtu do të ishte sot në ditën e saj të 56-të? Çadra është sot në ditën e saj të 56-të, sepse është shndërruar në farin e lirisë, në farin që u ktheu shqiptarëve besimin tek vetja, iu ktheu shqiptarëve guximin se mund të përballen dhëmbë për dhëmbë dhe t’i veshin maskën në surrat regjimit të krimit. Çadra është shndërruar në farin që i ndriçon rrugën shqiptarëve të votës së lirë, i frymëzon ata në këtë betejë të ecin të sigurtë drejt fitores vendimtare. Edi Maska i tmerruar nga çadra, njëlloj si Makbethi nga krimi, që për të çadra ishte thjesht në letër ku shkruhej “tokë e xanun”. Së pari, me shprehjen tënde prej ordineri t’i mendove se mund të fyesh ata që përdorin foljen “xanun”, por harron që ata janë shumicë në diellin shqiptar. Harron se ky është një akt përçarës i turpshëm, por harron mbi të gjitha, se po të garantoj ty se ata dhe secili prej tyre kudo që janë dhe çfarëdo që bëjnë janë 10 herë, 100 herë e 1000 herë më njeri e më njerëz sesa ti. Ata i thonë Shqipërisë, Shqipëri dhe e duan këtë vend më shumë se ti. Ata i thonë familjes, familje dhe nuk ndajnë kurrë konceptin që ti ke për familjen, sepse ata i thonë dinjtetit njerëzor, dinjitet dhe i bindur të jesh ti se janë të gatshëm në çdo kohë të të bëjnë ty që Lana të të duket vaskë floriri dhe të marrësh atë që meriton. Por ti Edi Rama je verbuar, ti nuk lexon çfarë shkruhet në muret e çadrës. Në çdo centimetër të kësaj çadre të madhe shkruhet “guxo po deshe”, ne këtu jemi, ti s’guxon dot. Ti sillesh si skuth, nga një studio në një tjetër duke u zënë me gazetarët, të ka humbur mendja, edhe njëherë guxo po deshe. Në krye të radhës u kërkova shqiptarëve të pyesnin veten nëse mendonin që çadra do vazhdonte krenare dhe fitimtare sot në ditën e 56-të të saj. Sot çadra e Lirisë ka shpërndarë mesazhin e saj në mbarë botën, në metropolet e mëdha të vendeve të lira, në kancelaritë e tyre, në Shtëpinë e Bardhë, në Berlin, në Romë, në Vjenë, Paris e Londër dhe kudo”, u shpreh Berisha.

Qendresë deri në garantimin e votës së lirë

Asnjë tërheqje deri ditën kur do të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Berisha shprehu mirënjohjen e tij ndaj të gjithë qytetarëve që janë ngritur në lartësinë e një misioni kombëtar për të mbrojtur të drejtën e tyre për të votuar të lirë. Berisha cilësoi daljet e fundit mediatike të Ramës si dhe aktivitetet e organizuara prej tij me punonjës që paraqiten me detyrim si dëshmi e dëshpërimit të tij nga largimi i pashmangshëm i pushtetit. “Çadra ka rrezatuar fuqishëm në institucionet ndërkombëtare. Ne i shprehim mirënjohjen më të thellë miqve tanë për mbështetjen, solidaritetin dhe mirëkuptimin për betejën tonë, betejë për zemrën e lirisë, betejë për votën që bekon zemrën e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor. Por nga ana tjetër ne theksojmë se këtu në këtë shesh e në këtë çadër, me mijëra e mijëra burra dhe gra, duke u nisur nga katër anët e vendit, të ngrënë e të pangrënë, me para e pa para, të shëndoshë, por dhe të sëmurë, të lodhur e të shplodhur, kanë ardhur këtu, kanë kaluar netë pa gjumë dhe kanë vendosur pra, në çdo centimetër të saj, tullën e sakrificës njerëzore për liri dhe dinjitet. Kanë ngritur pra një grataçelë, të cilën ne kurrë nuk mund ta tradhëtojmë, kanë ngritur këtu një grataçelë lirie për të cilën ne jemi të gatshëm për çdo sakrificë, në mënyrë që kjo sakrificë e madhe të bëhet realitet!
Ndaj dhe ne kemi durim, në qëndrojmë fuqishëm për të bindur miqtë tanë kudo që janë se beteja jonë është betejë për votën e lirë, se pa këtë betejë, Shqipëria nuk ka zgjedhje e nuk ka votë të lirë. Jemi të bindur se ne do realizojmë qëllimin tonë. E vërteta mund të trysnohet, mund të ndrydhet, mund të pluhëroset, mund të maskohet, por e vërteta nuk vdes kurrë, e vërteta jonë do triumfojë. Ky nuk është një mision vetëm kombëtar. Pa diskutim që ky është një mision kombëtar dhe për këtë ne jemi krenar, sepse ky është një mision që kombi ynë të votojë i lirë, por ky është një mision ndërkombëtar, sepse ne besojmë, njëlloj si njerëzit e lirë dhe miqtë tanë kudo, tek vota e lirë si zemra e lirisë. Në këtë kontekst ne qëndrojmë në të drejtën tonë.
Në një vetmi të madhe e ka gjetur kjo pranverë Edi Ramën. I ka ngelur vetëm tre a katër çakenj, që kalojnë nga një studio në një studio tjetër, duke folur atë që s’dinë çfarë thonë. Njëri thotë se jam këshilltari i idealeve të Edi Ramës. A mund të mendojë kush, përveç atij se Edi Rama ka ideale?! Ai ka qenë këshilltar për kozmopolitizmin e Edi Ramës dikur. Tjetri thotë po iku humbet si lider, se atij i bie biznesi po iku Rama. Tjetri tregon përralla dhe marrëzira, shef ëndrra me koalicione e stërkoalicione, kurse ai vet i çfazuar, i dërmuarr, i shkatërruar totalisht nga nervat kalon nga një studio në një tjetër, kalon nga një miting i organizuar me punonjës administrate me lista, në një miting tjetër. Në studiot televizive, me armiqësinë e tij ndaj mediave, paçka se e japin nga mëngjesi deri në darkë, aq sa kanë filluar tallen njerëzit dhe thonë si ajo zonja që tha: “Hapa frigoriferin po fliste Rama edhe në frigorifer”, tha Berisha.

Artikulli paraprak120 ton drogë në dy magazinat në Manzë dhe Ishëm
Artikulli tjetërBraktisja e madhe e Ramës, nxënësit nxirren me dhunë