Braktisja e madhe e Ramës, nxënësit nxirren me dhunë

Duke parë braktisjen që i ka bërë elektorati, Edi Rama dhe të gjithë ata që i tremben një humbje të sigurt në zgjedhjet e ardhshme ka kthyer sytë nga fëmijët e gjimnazit.  Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dje u panë të parkuar autobusë, që sillnin maturantë, por edhe ata që skanë mbushur moshën, në tubimin e Edi Ramës, ku kryefjalë ishte gjuha e urrejtjes ndaj opozitës. Burime për “RD” saktësuan, se shumë gjimnazistëve  në Tiranë, ua kanë paraqitur si një aktivitet shkollor mbasdite  dhe vetëm kur kanë parë ngjyrat e rilindjes që kishin mbushur sheshin, atëherë kanë marrë vesh të vërtetën. Të njëjtat burime janë shprehur se shumë prejt tyre kanë refuzuar në shenjë proteste të marrin pjesë në maskaradën e zhvilluar dje në atë shesh, ndërkohë që të detyruar për të qëndruar kanë qenë ata që vinin nga larg.
Presionin për pjesëmarrje në atë takim e ka denoncuar dje dhe deputetja e opozitës Jorida Tabaku, pas disa sms-ve të shkëmbyera me një gjimnazist të Tiranës. Maturanti tregon se drejtoresha e shkollës u ka bërë të ditur se, ata që do të shkojnë në mitingun e Edi Ramës, do ta bëjnë pushim ditën pasardhëse, por ata që nuk shkojnë do të jenë të detyruar të qëndrojnë në mësim. Pra, ditën e sotme të gjithë nxënësit që kanë paraqitur forcën para Edi Ramës do të jenë pushim shkolle, ndërsa ata që kanë refuzuar do të vazhdojnë mësimin. Pjesë e presionit ka qenë dhe administrata e shkollave. Ja se çfarë shkruan Jorida Tabaku në statusin e saj në Facebook: “Ndërkohë që paska filluar fushata elektorale, ku një ish-ministër ofendon këdo që nuk është me PS si injorant, e një ministre kërkon ndryshimin (ia kërkon Ramës këtë), nxënësit e shkollave të mesme janë detyruar të shkojnë në takim dhe kush shkon në takim ka pushim nesër. Një denoncim që më erdhi nga një gjimnazist i Tiranës! Çdo gjë në funksion të pushtetit dhe shkollat, nxënësit e mësuesit! Fatkeqësi me regji qendrore”. Këto janë shkollat për të cilat ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla krenohet dhe thotë se, “ka ikur koha kur përdoreshin nga partitë”? Një gjë është e sigurt, tani gjimnazet janë kthyer në reparte partie dhe kjo bëhet hapur dhe në mes të ditës. Ky është njeriu që garanton përditë se zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme. Duket se me Tiranën, Rama përsëriti dhe një herë atë çka bërë me Fierin para disa ditësh. Drejtorët e shkollave urdhëruan të ndërpresin mësimin ose ta bëjnë me orë të shkurtuara me qëllim që pjesëmarrja të ishte sa më e madhe. Nxënës shkollash nuk u vunë re vetëm në takimin e Apolonisë, por dhe në takimet e stisura dhe me skenar të parapërgatitur që Rama ka zhvilluar me shpërndarjen e tapive. Burime nga Qarku Fier shprehen se dhe në këtë proces ai është treguar selektiv, duke u përpjekur të nxjerrë para kamerave vetëm personat që njihen si militantë të PS-së, të cilët kanë përfituar me listë nga ky proces.

Artikulli paraprakNuk jep dorëheqjen nga frika e burgosjes
Artikulli tjetërKush po e kryqëzon demokracinë?