Njeriu i arratisur nga bota

Paralajmërimi i një realisti të vjetër për Perëndimin

Një intervistë me Vaclav Havel

 Të përzejmë totalitarizmin nga shpirti jonë

Ju flisni për pastotalitarizëm dhe qartazi i referoheni regjimit komuunist të bllokut të vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik. Ku qëndrojmë ne burrat dhe gratë e Perëndimit të lirë?

Tashmë prej kohësh nuk bëhet më fjalë për problemin e një linje apo të një programi politik: bëhet fjalë për problemin e jetës. Kjo e çon politikën në pikën e vetme nga mund të riniset nëse dëshirohet të shmangen të gjitha gabimet e vjetra: tek njeriu konkret. Në shoqëritë demokratike, ku njeriu nuk dhunohet kaq hapur dhe kaq brutalisht, ky ndryshim themelor i politikës është ende larg dhe kur gjërat ndoshta do të përkeqësohen, politika do t’ia zbulojë nevojën.

Nëqoftëse nuk është një problem zgjedhjeje midis alternativash politike, atëhere cila është detyra jonë?

Procesi i anonimizimit dhe i depersonalizimit të pushtetit, reduktimi i tij në teknikë të thjeshtë dominimi dhe manipulimi që kam përshkruar është dimensioni thelbësor i të gjithë qytetërimit modern. Sistemi, ideologjia dhe aparati shtetëror e kanë zhveshur njeriun – sa qeveritarët, aq edhe të qeverisurit – nga vetëdija, nga arsyeja, nga gjuha natyrale dhe, për pasojë, edhe nga humanizmi konkret i tij; shtetet bëhen të ngjashme me makina; njerëzit transformohen në tërësi statistikore votuesish, prodhuesish, konsumatorësh, të sëmurësh, turistësh apo ushtarakësh; e mira dhe keqja – kategori që i përkasin botës natyrore – humbasin një kuptim real në politikë: metoda e vetme bëhet dobishmëria, kriteri i vetëm suksesi objektivisht i verifikueshëm.

Këmbëngul, ku qëndrojmë ne perëndimorët?

Besoj se për sa i përket raportit me sistemet totalitare, gabimi më i rëndë që Europa Perëndimore mund të bëjë është ai që edhe e kërcënon më shumë: kuptimi i munguar i asaj që janë realisht sistemet totalitare, domethënë një pasqyrë konvekse e të gjithë qytetërimit modern dhe një ftesë urgjente – ndoshta  e fundit – për një rishikm të përgjithshëm të  mënyrës me të cilën ky qytetërim koncepton vetveten.

Ju ribëj të njëjtën pyetje të  Leninit: çfarë të bëhet?

Përballë shtypjes në të cilën jetojmë, shumë intelektualë perëndimorë thonë: “Çfarë mund të bëjmë për ju?”.  Sigurisht, mund të bëhet shumë, por në thelbin e kësaj pyetjeje ndodhet një keqkuptim: problemi nuk është ai  i ndihmës së ne disidentëve pse nuk na arrestojnë: parasëgjithash duhet të ndihmojmë vetveten. Është në lojë diçka tejet e ndryshme: shpëtimi i të gjithëve. Nëqoftëse shkatërrohet jeta e një njeriu në Pragë, nuk ju shkatërrohet të gjithëve? Kemi përballë një detyrë të vetme themelore, nga ku burojnë të gjitha detyrat e tjera: detyra që të lihemi të drejtohemi nga vetë arsyeja jonë dhe të përdorim në çdo rrethanë të vërtetën si përvojën tonë thelbësore. Mënyra më e mirë për t’i rezistuar totalitarizmit është  që ta përzëmë nga shpirti jonë.

Pushteti dhe ideologjia

Ju e keni përshkruar mjeshtërisht degjenerimin e politikës si teknologji të pushtetit dhe të manipulimit të njerëzeve, një sistem “anonim” që është krejtësisht ndryshe nga shpirtligësia e diktatorit. Si është arritur deri këtu?

Sistemet totalitare janë pika ekstreme e evolucionit të racionalizmit dhe këmbana e alarmit e ekspansionit të tij. Janë pararoja e krizës globale të këtij qytetërimi. Europa dhe Perndimi i  kanë dhënë dhe shumë herë i kanë imponuar botës gjithçka që mundëson ndërtimin e një pushtetit të tillë: nga shkenca, racionalizmi, shkencizmi, revolucioni industrial dhe, në përgjithësi, nga revolucioni i nënkuptuar si fanatizëm i abstragimit, deri tek kulti i konsumit, tek bomba atomike dhe marksizmi.

Ju thoni se diferenca midis diktaturës klasike dhe sistemit totalitar është ideologjia. Por a nuk është  thënë gjithmonë se idetë ecin me këmbët  e njerëzve? Kurse, sipas jush, është në fakt ideologjia që merr në posedim njerëzit.

Çdo tentativë njerëzore për të futur në dorë krejtësisht natyrën dhe për luajtur me misterin e saj, me një fjalë  të abrogojë Zotin dhe të zërë vendin e tij, është i destinuar që të  bjerë kundër vettë njeriut. Njeriu nuk është Zot dhe kur vepron që të “bëhet Zot”, kjo i kthehet mizorisht kundër.

Për Zotin do të na flisni më pas, le të kthehemi tek ideologjia.

Në momentin ku arsyeja njerëzore nis të “çlirohet” nga njeriu, nga përvoja vetjake e tij, nga vetëdija dhe përgjegjësia e tij, siç e vënë midis thonjëzave me frekuencë gjithnjë e më të madhe shteti modern dhe politika moderne, fillon procesi i anonimizimit dhe i depersonalizimit të pushtetit, reduktimi i tij në teknikë të thjeshtë dominimi dhe manipulimi. Sistemi, ideologjia dhe aparati e kanë zhveshur njeriun – sa qeveritarët, aq edhe të qeverisurit – nga vetëdija, arsyeja, gjuha e natyrshme dhe, për pasojë, edhe nga humanizmi konkret i tij. Ky pushtet impersonal e arrin përsosmërinë e tij në sistemet totalitare. Lëvizja vetërefleks e pushtetit apo e sistemit është një e verbër, e pavetëdijshme, e ppapërgjegjshme, një lëvizje që në fakt nuk është më për njerëzit, por, përkundrazi, nga e cila njerëzit tërhiqen dhe, për pasojë, manipulohen.

Njeriu që heq dorë nga identiteti i tij

Të gjithë të nënshtruar ndaj një ideje? Nuk ju duket absurde?

Fakti që njeriu është krijuar dhe, ditë pas dite, vazhdon të krijojë një sistem të finalizuar në vetvete, nëpërmjet të cilin privohet vetë nga identiteti i tij, nuk është një ekstravagancë e pakuptueshme e historisë, një deformim i tij iracional apo rezultat i një vulleti diabolik superior që për motive të errëta ka vendosur të torturojë në këtë mënyrë një pjesë të njerëzimit.

Kjo ka mundur dhe mund të ndodhë vetëm pse qartazi tek njeriu modern ekzistojnë prirje të  caktuara  për të krijuar ose, të paktën, për ta duruar një sistem të tillë; qartazi, tek ai ka diçka me të cilën lidhet ky sistem, që e pasqyron sistemin dhe ku gjen një korrespondencë; diçka që tek ai paralizon çdo tentativë rebelimi nga ana e un-it të tij më të mirë. Njeriu është i detyruar që të jetojë në gënjeshtër, por mund të jetë i detyruar pikërisht pse është i aftë të jetojë në këtë  mënyrë.

Domethënë njeriut do t’i pëlqente të ishte skllav?

Tek çdo njeri jeta është e pranishme në prirjet natyrale të saj: tek çdo njeri ka një copëz dëshire për një dinjitet të vetin, për një integriteti moral, për një përvojë të lirë të të qënit, të transhendecës së “botës të ekzistencës”; por njëkohësisht secili është pakashumë i aftë që t’i dorëzohet “jetës në gënjeshtër”, të zhytet në një pseudo – jetë.

Më falni, por kjo nuk është karakteristikë e veçantë e regjimeve komuniste.

Nuk bëhet fjalë për konflikt midis dy identitetesh. Bëhet fjalë për diçka më keq akoma: për një krizë të vetë identitetit. Shumë thjesht mund të thuhet se sistemi pastotalitar është rritur në terrenin e ndeshjes historike midis diktaturës dhe qytetërimit konsumistik.

Kjo përshtatshmëri e gjerë në jetën e gënjeshtrës dhe përhapja kaq e lehtë e autototalitarizmit social a nuk korrespondon vallë me përçmimin e përgjithshëm të njeriut të shoqërisë së konsumeve për të sakrifikuar diçka prej sigurive të tij materiale prej dashurisë së integritetit të tij shpirtëror e moral? Apo për heqjen dorë të menjëhershme me një domethënie supreme përpara joshjeve sipërfaqësore të qytetërimit modern? Grija dhe shkretija e jetës në sistemin pastotalitar a nuk janë në realitet (megjithëse shumë larg nga parametrat e jashtëm të qytetërimit) një lloj përkujtese për Perëndimin, që i zbulon fatin e tij latent?

Alternativa ndaj pushtetit dhe “un”-i

Ky i juaji është një kundërvënie ndaj ideologjisë si e tillë. Me siguri nuk jeni komunist, por nuk i jeni kundërvënë regjimit në emër të një ideologjie tjetër “më të drejtë”, edhe pse historia duket se jeton me këto përplasje socializëm – kapitalizëm, konservatorë – progresistë… Cila është atëhere alternativa e vërtetë, zgjedhja e anës që duhet të bëjmë?

Le të marrim çështjen e socializmit dhe të kapitalizmit. Rrëfej se kur dëgjoj të citohet [kur shkruaj, Muri sapo ka rënë] kam përshtypjen sikur dëgjoj një zë që vjen nga thellësitë e Perëndimit. Më duket se prej kohësh problemi nuk është më në termat e katyre kategorive ideologjike, por në një nivel krejtësisht ndryshe, më të thellë, që na përket të gjithë pa dallim, problemi nëse do të arrihet në një farë mënyre të rindërtohet bota natyrale si terren i vërtetë i politikës, të rehabilitohet përgjegjësia përtej dobishmërisë, t’i rikthehet një kuptim komunitetit njerëzor dhe një përmbajtje gjuhës së njeriut,  të veprohet në mënyrë të atillë që pika  qëndrore e aksionit social të jetë “un”-i njerëzor, i pavarur, integral dhe i denjë, në gjendje që t’i përgjigjet vetvetes pasi në raport me diçka që është shumë sipër tij, në gjendje që të sakrifikojë diçka ose, në raste ekstreme, tërësinë e jetës private dhe prosperitetin e përditshëm të tij që jeta të ketë kuptim. Shumë perëndimorë kuptojnë ende pak nga ajo që realisht është në lojë sot.

Ju hapni skenarë dhe paraqisni kategori të reja “politike” lidhur me të cilat do të duhet të  kthehemi. Për të qëndruar në kundërvënien e qëllimeve të jetës me qëllimet e pushtetit, ku është pika qendrore? Cili është faktori përcaktues?

Nëse do të ndryshonte për mirë, parasëgjithash duhet të ndryshojë diçka në vetëdijen e njeriut, në një farë mënyre ky i fundiit duhet të kthehet  tek vetja. Nën sipërfaqen e rregulluar të jetës në gënjeshtër ndodhet sfera sekrete e qëllimeve reale të jetës, e hapjes sekrete të saj ndaj së vërtetës. Bëhet fjalë përr një hapësirë sekrete dhe, në optikën e pushtetit, shumë e rrezikshme. Është një forcë  kundërvënieje në një nivel krejtësisht të ndryshëm, atë të vetëdijes dhe të dijes njerëzore, nivelin ekzistencial. Në mënyrë indirekte, çdo shprehje e lirë e jetës është një kërcënim politik. Një ndryshim për mirë i strukturave do të duhet të nisë nga njeriu, nga ekzistenca e njeriut, nga rindërtimi substancial i pozicionit të tij në botë, i raportit të  tij me vetveten, me të tjerët, me universin. Lindja e  një modeli të  ri ekonomik e politik është  diçka që mund të konfigurohet vetëm si shprehje e një jete që ndryshon.

Gjëja më realiste? Një revolucion ekzistencial

Më falni për  habinë, por është e rrallë të dëgjohet të flitet për ndryshime politike nën shenjën e një “revolucioni ekzistencial”, për “rindërtimm moral të shoqërisë”, për “raport të rinovuar me qenien”, për rifitim të “kuptimin të jetës”. Janë refleksione filozofike, jo politike.

Ajo që nënkuptoj me “kuptim të jetës” nuk është vetëm një informacion apo një mall  që mund të transmetohet lirisht. Çdo tentativë për ta kapur kuptimin e jetës sikur të ishte i njohshëm në këtë mënyrë ngre pikëpyetjen se çfarë ofrohet saktësisht si domethënie e supozuar e jetës. Kështu, përgjigja hipotetike bëhet vetëm një mënyrë për ta errësuar përgjigjen. Përkundrazi, gjithçka domethënëse që është thënë ndonjëherë lidhur me këtë (përfshi çdo njoftim religjioz) është e denjë për t’u nënvizuar prej hapjes dramatike të saj.

Nuk është konfirmim sesa më shumë një sfidë apo një apel; diçka që “po zë vend” në kuptimin më të lartë, që po ndodh. Më shumë tenton që të sugjerojë një mënyrë të caktuar me të cilën të bashkëjetohetme një pikëpyetje të tillë. Bashkëjetesa më këtë nuk nëkupton asgjë më shumë sesa “t’i përgjigjesh” vazhdimisht ose, më shumë, të jesh në një formë “marrëdhënieje” të gjallë  me domethënies. Kuptimi i jetës nuk është një pikë në fund të jetës, por fillimi i një përvoje më të thellë të jetës. Qënia përjetësisht në kontakt me këtë mister në bën fund autentikisht njerëzorë.

Jeni mistik?

Jam një realist i vjetër antiutopist.

Është në emër të  këtij realizmi që jeni kaq i rreptë me vetveten dhe me të ngjashmit e tu?

Ato që më frymëzojnë janë përvojat e botës, jo qënia ime e brendshme. Shpirti ka nevojë për botën, pa të rrotullohet në boshlllëk. Njeriu është  kafsha e vetme që reflekton për vetveten, për enigmën e ekzistencës së tij, për misterin e aftësisë së tij për të reflektuar për vetveten  dhe, si i tillë, është  krijesa e vetme në gjendje që të dalë nga vetvetja dhe ta  drejtojë gishtin tek vetja. Nuk më duket e mundur të refuzohet siguria se, në një farë mënyre, gjitthçka është, se Qenia ka një rregull. Realizmi i një bindjeje të tillë është gjithçka saq e përgjithshme dhe e mjegullt sa që duhet të  jetë absolutisht e imunizuar nga çdo kritikë. Tragjedia e botës moderne nuk qëndron në faktin se njeriu e njeh gjithnjë e më pak domethënien e jetës së tij, por se është gjithnjë e më pak i interesuar.

Realiteti, arsyeja dhe topi i dëborës

Ju duhet të na shpjegoni disa prej pohimeve tuaja, pasi nuk i kuptojmë. Ju keni thënë: “Jam një realist antiutopist”. Kurse ne na dukeni një idealist i vjetër, bile një ëndërrimtar.

Çfarë kanë të përbaashkët bota e njeriut mesjetar dhe ajo e një fëmije? Besoj një gjë themelore: të dy janë të rrënjosur më fort nga pjesa më e madhe e njerëzve modernë në atë që filozofët e quajnë “botë natyrale” apo “botë e jetës”. Ata nuk janë ende të huaj nga bota e përvojës së tyre reale dhe personale. Botës përpara së cilës duhet vetëm t’i përulemi me përvujtni pasi ka natyrën e misterit. Kjo botë natyrale është bota që perceptohet menjëherë dhe garantohet personalisht nga “un”-i ynë; është bota jo ende indiferente e përvojës tonë. Është bota e përgjegjësisë tonë personale.

Ju këmbëngulni tek përgjegjësia personale dhe përmendni gjithmonë kopshtarin, por çfarë mund të bëjë vendimi i një individi të veçantë kundër pushtetit impersonal që i përcakton jetën si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim?

Askush nuk e di se kur një top i çfarëdoshëm dëbore mund të shkaktojë ortek. Nuk duhet të pprezumojmë kurrë se i kemi kuptuar të gjitha ligjet e historisë dhe se dimë të parashikojmë të ardhmen. Në Perëndim apo në Lindje – e përsëris – kemi përballë një detyrë të vetme themelore, detyrën që që të nxjerrim kriteret tona nga bota natyrale pa e vrarë mendjen për buzëqeshjet përçmuese të cilave do t’u nënshtrohemi, të lihemi të drejtohemi nga vetë arsyeja jonë dhe të përdorim në çdo rrethanë të vërtetën si përvojën tonë  thelbësore.

Arsye, natyrë dhe politikë: ku e gjeni sintezën e tyre?

Kategori, si për shembull, drejtësia, nderi, tradhëtia, miqësia, pabesia, kurajoja apo dhembshuria kanë një përmbajtje konkrete në këtë botë. Kjo botë funksionon dhe është e mundur vetëm pse ekziston diçka përtej horizontit të saj, diçka përtej dhe që e tejkalon, diçka që, pavarësisht se i shpëton kuptimit dhe manipulimit tonë, është pikërisht për këtë që i ofron themel të qëndrueshëm një bote të tillë. Bota natyrale fsheh në vetvete një premisë absolute që e mbështet dhe e përkufizon, e rianimon dhe e mban.

Ama mohimi i absolutes është postulati i modernizmit.

Racionalizmi dhe skenca moderne e refuzojnë sistematikisht këtë botë, e asgjësojnë, e degradojnë dhe e shpifin, një kohësisht edhe e kolonizojnë. Është një epokë që mohon rënndësinë e përvojës personale përfshi atë të misterit dhe të absolutes. Shkenca moderne vret Zotin dhe ulet në fronin e tij vakant për të qenë tashmë padronia e vetme e rendit të të qënit.

Përgjegjësinë e marrim me vete kudo

Domethënë për ju përplasja nuk është midis Perëndimit dhe Lindjes, midis socializmit dhe kapitalizmit, por, kudo, konflikti “midis një force impersonale, anonime, të papërgjegjshme dhe interesave elementare dhe origjinale të njeriut si person konkret”. Mund të thuhet se alternativa e vërtetë nuk është midis ideologjishë haptazi në kundërvënie midis tyre, por midis papërgjegjshmërisë së pushtetit dhe përgjegjshmërisë së personit?

Midis larmisë së jashtme të një sistemi dhe grisë së shpifur të një tjetri nuk duhet të fshihet boshllëku abisal i një jete që ka humbur domethënie. Patoçka pëlqente të thoshte  se gjëja më interesante e përgjegjshmërisë është se e marrim me vete kudo. Kjo do të thotë se duhet ta marrim këtu, tani, në këtë hapësirë dhe në këtë kohë ku Zoti ynë na ka vendosur dhe mund t’i shmangemi duke u transferuar tjetërkund. E vërteta  duhet të kërkohet sidomos tek vetvetja dhe në kontekstin ku na ka hedhur fati.  Nëqoftëse nuk bëhet një përpjekje e ngjashme këtu, vështirë se do ta gjendet diku tjetër.

Kështu, njeriu nuk mund të qëndrojë as indiferent përballë asaj që ndodh, as t’i dorëzohet statukuosë?

E konsideroj indiferencën dhe dorëzimin si format më serioze të rrëshqitjes drejt asgjësë.

Ju ngrini çështjen e dinjitetit të personit, por edhe funksionarët  e regjimit janë të ppërgjegjshëm, i përgjigjen partisë dhe ideologjisë së saj.

Përgjegjëshmëria jonë, domethënë ajo që na bën humanë, është e pamendueshme pa presupozimin e ndonjë aspekti të qëndrueshëm me të cilin të krijosh marrëdhënie dhe që e përcakton. Ndaj kujt jemi të përgjegjshëm? Nuk e di “ndaj kujt”, por sigurisht, në analizë të fundit, ndaj asnjërës prej  gjërave kalimtare të kësaj bote dhe, për pasojë, jam i bindur se burimi i parë i çdo përgjegjshmërie ose më mirë arsyeja finale e saj është premisa e horizontit absolut.

Horizont absolut?

Të dëshirosh në mënyrë të zjarrtë domethënien dhe ta  kërkosh atë është në thelb të dëshirosh në mënyrë të  zjarrtë sigurinë, diçka të qëndrueshme, jetëgjatë, të vlefshme. Nëqoftëse nuk duam të tërhiqemi plotësisht në të, të zhytemi në përkohshmëri dhe, për pasojë, të heqim dorë nga vetvetja, duhet të ruajmë ndjesinë se “gjithçka e ka një qëllim”. Premisa e një horizonti absolut natyrisht që nuk “shpjegon” asgjë. Megjithatë, është përvoja e fshehur në brendësi të të gjitha përvojave të tjera.

Politika është vazhdimi i jetës më mjete të tjera

Kimist, xhenier në ushtri, komediograf, disident, i burgosur, President Republikë. Zakonisht politikanët e planifikojnë karrierën e tyre. Ju si e keni bërë? Si jeni përgatitur?

Jeta është e bukur edhe pse shumë në shumë aspekte është e paparashikueshme, askush prej nesh nuk mund të jetë krejtësisht i përgatitur për gjithçka ndodh. Kur jam gjendur papritmas në politikë nuk më është dashur të shpik ideale apo qëllime politike: mjaftonte të zbatohej ajo që kisha menduar gjatë gjithë jetës. Natyrisht, një gjë krejtësisht ndryshe është si të kapesh pas idealeve tua apo si t’i konkretizosh ato në një situatë të caktuar reale.

Po ju a donit të bënit politikë?

Rrëfej se herëpasëhere kam deri dëshirën që të ulërij me të madhe: nuk dua të kem rolin e atij që zgjohet, unë nuk jam shpëtimtari juaj! Por përmbahem gjithmonë në momentin e fundit, vendos që të mos i ulërij këto gjëra, kafshoj gjuhën dhe kujtohem se një herë më pat thënë Patoçka: “Prova e vërtetë e njeriut nuk qëndron në mënyrën sesi e luan rolin për të cilin është ideuar, por në atë sesi e luan rolin që i është caktuar nga fati”.

Në ditët tona politika nuk gëzon famë të mirë…

Në situata demokratike është e natyrshme se kush dëshiron të ketë sukses politik, duhet të luftojë ta sigurojë atë, të luftojë për pushtetin. Të qenit politikan nuk është turp dhe nuk ka asgjë imorale  të kërkosh të arrish një pozicion politik apo të aspirosh për një post. E rëndësishme është që objektivi të mos jetë qëllim në vetvete, që politika të mos jetë vetëm teknologji e pastër pushteti, por një shërbim i vërtetë për qytetarët, një shërbim sa më i çinteresuar që të jetë e mundur, i mbështetur mbi terma idealë, që të respektojë një rend moral sipër nesh. Natyrisht, një gjë është bësh lirisht filozofi, një tjetër është  të arrish rezultate konkrete politike, e pranoj. Ama kjo nuk do të thote se politika duhet të  heqë dorë nga të gjitha idealet, të braktisë “zemrën” dhe të transformohet në vetëlëvizje teknokratike.

Mund të shpjegoheni.

Politika nuk mund të jetë vetëm arti i së mundshmes ose i spekulimit, i kalkulimit, i intrigës, i marrëveshjeve të fshehëta dhe i mashtrimeve utilitariste, por në fakt duhet të jetë arti i së pamundshmes, domethënë arti i bërjes më të mirë të vetvetes dhe të botës.

Ju jeni ëndërrimtar…

Unë jam kundër sjelljeve të standardizuara. Kam ndjesinë e dhimbshme se bëhet fjalë për ideologjizimin e mediokritetit, të banalitetit. Jam armik i çfarëdolloj obsesioni. Kështu që jam edhe një kundërshtar i fondamentalizmit ekonomik dhe i çdo dogmatizmi, prandaj shtypi i “helmët” më quan “të majtë”. Por ligji i përfitimit në vetvete nuk garanton asgjë të arsyeshme. Dogmatizmi i tregut është  pjesë e asaj ideologjie të konformizmit për të cilën po flisnim. Unë mendoj se rendi moral është superior ndaj rendit legjislativ, politik e ekonomik dhe se këto të fundit duhet të fillojnë nga i pari, pa kërkuar stratagjema për të shmangur imperativët. Besoj edhe se rendi moral i ka rrënjët e tij metafizike tek e pafundmja dhe e përjetshmja.

(Një intervistë e  vjetër e Vaclav Havel. Marrë nga Il Foglio)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakMeta: Mbrojta Kushtetutën dhe pluralizmin
Artikulli tjetërShqipëria bazë për drogërat e forta, lufta kundër narkotrafikut kusht i Bundestag. Qeveria nuk ka vullnet ta luftojë