Një psherëtimë jo si gjithë vdekatarët…

Nga Albert AVDYLI

Nekrologji

U lind në shtator 1939
E vranë në maj 2020

Në lindje s’pati stinë, se fasha e zezë kishte mbuluar vendin.
Ajo vjeshtë ishte zi, jo verdhë
Në vdekje, stinë nuk pati gjithashtu
Qyteti ishte shpallur zonë e kuqe
Ajo pranverë kish çelur, por njerëzit ishin kyçur
Fatalitet i parashkruar me stinët e humbura
Jetoi 81 vite të vrullshme
Iku shumë i ri

Sivëllezërit e tij në botë jetojnë sa ullinjtë kalinjot
E lindën italianë, por në tokën tonë
Për rrjedhojë mbeti këtu
Mori nënshtetësinë shqiptare
U maturua dhe ju dha titulli kombëtar
Ishte poliglot, por shqipen kishte gjuhë të parë
Pati një fëmijëri traumatike
Belbëzoi me canzone italiana

Pastaj shugulloi nga fjalët shqip : vdekje, litar, pushkatim
Në rini u çel dhe u zbukurua me komedi, koncerte, drama, por edhe tragjedi të mëdha
U çel, por nënvetëdija ja sillte ëndrrave ato fjalët me plumba e litar, varje e pushkatim
Zgjohej lebetitur e mbuluar djersë të ftohta
Si çdo i gjallë pra. . .

Në moshën 79 vjeçare vdiq Vdekje si në tragjeditë e luajtura në skenën e Tij
Ishte kohë murtaje, por jo prej saj
E vranë

Një vrasje e paralajmëruar
Vrasje markeziane
Për të thuhej: ” Nuk vritet as për gjak ”
Cubat, kur dalin për plaçkë nuk gjykojnë pasoja
Ata që kishte rritur brenda vetes ju bënë roje për 27 muaj plot
Sa herë i dhan ujë, sa herë i dhanë dritë, ajër i dhanë, por . . .
Predhat e hekurta e goditën një mëngjes

Atëhere i kuptoj me të vërtetë gjithë vrasjet, ato skenike dhe ato reale
Kishin menduar një vrasje joestetike, por të bujshme në shëmtinë e saj
Ishte emblemë e artit, por edhe ngjitur me akademinë e shkencëtarëve
Akademia, kuku për akademi

Me autoblinda e vranë pa mëshirë
U cënua dhe muaj i shenjtë atë mëngjes
Kush vret, mallkim mer, por vrasja në ditë të shenjta, mallkimin e ngre si mal
E mundën, e shtrin përtokë të bukurin dhe trupin ja ngarkuan në kamionë zhavoresh
Nuk pranuan askënd në varrim, as familjarët e tij nuk i pranuan.
Në fakt i arrestuan
Kodi i mortit u shkel me traktorë dhe me policë
E lanë pa varr me siguri

Shqipëria ka titan të tjerë pa varr, pa prehje
Në grahmat e vdekjes, shqip psherëtiu
Një psherëtimë jo si gjithë vdekatarët.
Ajo ishte klithmë rrëqethëse
Teksa binte, buçiti me piskam :
“Mizantropi më vrau !
Kaq më shkruani si epitaf ”

E zgjoi Tiranën, i prishi gjumin kombit
E vetmja gjëmë e madhe, e cila u quajt e tillë, pa urdhër.
Nga të rrallat prej shpirti, se ky popull, me gjasme, kuje e vajtime ka patur disa.
Ishte e vërtetë si vdekje, si gjëmë
Me rënien e tij
Prekëm nocionin e asgjësë
Amaneti nuk tretet
Duhet varr për epitaf
Ose duhet kthyer i gjallë

Quhej: Teatri Kombëtar

Artikulli paraprak6 raste të reja me Covid-19, kush janë dy bashkitë e prekura
Artikulli tjetërGazeta zvicerane: Shpërthen zemërimi në Shqipëri, Rama si Vuçiç!