Një libër për “çadrën e lirisë

Ky libër, qoftë kontributi im modest për çadrën e lirisë

Ndriçim KULLA

Një libër mund të shkruhet edhe shpejt, i frymëzuar nga një ngjarje e caktuar. Por mund të shkruhet edhe ngadalë, për shkak të rëndesës së temës që shtjellon. Në rastin e këtij libri, që merr për trajtim raportet dhe evoluimin e lirisë dhe demokracisë shqiptare, përgjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, së bashku me të gjitha lidhjet shoqërore dhe sociale të sistemit tonë në vend, puna bëhet akoma dhe më e përgjegjshme. Janë në fokus dy prej fitoreve më të mëdha që mund të kemi arritur ndonjëherë si shtet, liria dhe demokracia. Kjo ka qenë ideja dhe nisma e vendosur përpara meje rreth dy-tre vite më parë, pikërisht atëherë kur në rendin e ditës ishte shtruar procesi i dekriminalizimit të politikës shqiptare. Askush nuk mund ta mendonte, e jo më ta besonte, se pas kaq shumë vitesh në liri, jeta jonë parlamentare të shfaqej kaq e njollosur nga krimi. Kishte vite të tëra që lëngonte nga intelektualiteti, ndershmeria dhe integriteti, por një prapakthim i tillë i frikshëm, të shtynte të vije në qendër të trajtimit edhe vetë demkracinë tonë parlamentare dhe partiake. Ishte më pas “legjitimimi”  i këtij regresi të madh nëpërmjet ligjit të miratuar të dekriminalizimit, shtysa e sprovave të para të tij. Kjo qe vërtet njëra nga “dhuratat” më të mëdha që Partia Demokratike mund t’i bëntë jetës politike dhe shoqërore shqiptare në tërësi, por njëherësh edhe pikënisja  e pikëpyetjeve të mëdha rreth mënyrës dhe mekanizmit të veprimit të atyre forcave që e sollën krimin në Parlament. Dyshimet të mëdha hodhën më pas filmimet e avionëve të rrëzuar në buzë të detit, se diçka ishte krisur rëndë edhe në mënyrën e funksionit të shtetit. Në një kohë që kudo trumbetohej për cikle reformash apo reformizëm të një lloji të paparë këtu e 25 vjet, imazhet e dhimbshme të të varfërve të burgosur e ngandonjëherë të vetë vrarë, më nxiti t’i zbërtheja në bazë të parimeve më të shëndosha të filozofisë politike dhe sociologjisë, gjithë përmbajtjen e këtyre reformave. Rezultati qe një Shqipëri e udhëhequr nga “njerëz pa cilësi”, me një gjuhë hipnotizuese si ajo që përshkruan Oruelli në librat e tij, dhe reformat e pambështetura në fillimet e tyre nga asnjë platformë intelektuale dhe të lëna më pas në fatin e tyre pa asnjë mbështetje sociale. Sprova të tjera u bashkuan me të parat në lidhje me reformën e aq shumë përfolur të drejtësisë, këtij guri themeli për të spastruar gjithë aparatin e sistemit të korruptuar shqiptar të drejtësisë, ndërkohë që prapa perdes së pushtetit vinin lajme të tmershme koncensionesh e tenderash pa garë dhe inskenime deputetësh që donin “të vrisnin” apo imagjinonin të vrisnin njëri-tjetrin. Padyshim, që tashmë demokracia parlamentare kishte marrë, e kishte rrokullisur pas vetes edhe demokracinë partiake, por intensiteti i zbulimit gati të përditshëm të ngjarjeve dhe të vërtetave deri atëherë të fshehura, e vendosi lirinë dhe demokracinë shqiptare që unë po trajtoja, në një krizë të thellë e të gjithanshme. Ishte pikërisht ai buletin i zi i lajmeve të kanabizimit kapilar të Shqipërisë, ky sistem piramide sociale, që mund të shkërmoqet akoma dhe më frikshëm se sa piramidat e dikurshme shqiptare, ajo që i vuri vulën dëshirimit tim për një analizë më të thelluar të një “quo vadios” jo vetëm të sistemit, por parësisht të njeriut shqiptar dhe ndërgjegjjes së tij. Kriza e tij e varfërisë, skamjes, por edhe e klientelizmit apo nepotizmit, u shfaq hapur edhe si krizë e besimit tek e sotmja dhe tek e ardhmja, sidomos në zgjedhjet lokale të Dibrës. Droga dhe fijet e saj të shumta qenë tendosur aq fort aq sa i  kishin zënë frymën edhe atij dinjiteti e ndërgjegjie kritike që gjithmonë e pat mbajtur gjallë individin shqiptar. Kriza, pra, e njeriut shqiptar dhe e tërësisë së “botëve të vogla” të njerëzve tanë kudo, në çdo vend, më solli në përfundimin se i gjithë sistemi ynë gjendet në një krizë mbi krizë, ndaj duhej hedhur edhe një kushtrim të argumentuar, intelektual, pse vallë liria dhe demokracia jonë janë në rrezik nëse në fron qëndrojnë ende krimi dhe kanabizimi i lidhur me politikën.
Ishte pikërisht “kauza e çadrës së lirisë”, që  vendos në fokus krijimin e një “republike të re”, që nis pikërisht me gurin e qoshes së ndërtesës së saj, zgjedhjet e lira e të ndershme, ajo që e përligji gjithë arsyetimin e këtij libri, se jemi në një periudhë vendimtare. Ka ardhur koha që shqiptarët të bëjnë atë që se kanë bërë ndonjëherë gjatë këtyre dy dekadave, pas rrëzimit të komunizimit. Ta shkruajnë vetë historinë, me dorën e votës së tyre. Nuk ka më as ekonomi e sistem shoqëror të udhëhequr nga parimi i durimit, por përkundrazi nga parimi i shpresës. Nuk duam më as udhëheqës, intelektualë apo Shoqëri Civile për të cilët njerëzit tanë të thonë që “s’kemi pasur fat që jemi drejtuar nga të tillë. Duam që ata të jenë kuintesenca e shpirtit të popullit shqiptar, i cili në thelb do liri e demokraci të vërtetë, integrim dhe ekonomi që të mos mbjellë aq shumë skamje çdo vit.
Do të doja të isha edhe më i shpejtë në të gjitha ato trajtime që kam përmbledhur në këtë libër, sidomos i nxitur nga intensiteti dhe qëndresa e përditshme e atyre njerëzve që tashme po mbush muajin. Veçse doja të isha edhe i paanshëm, aspak i skajshëm në gjykim, pavarësisht se rëndesa dhe fortësia e ligjërimit që kam shprehur mund të duket jo i tillë. Ka qenë pikërisht ky meraku im kryesor. Mos vallë jam shumë pesimist? Mos vallë gjërat nuk janë edhe aq keq sa thuhen? Çadra e lirisë m’i hoqi të gjitha dyshimet. Jemi në rrezik lirie dhe demokracie, vetëm se kjo thirrje e së vërtetës nuk është aspak diçka që e mbyt, por përkundrazi që e ngjall dhe e forcon shpresën. Ndaj, do të doja të përfundoja me shprehjen, “udhë të mbarë, o rrugëtim i shpirtit të lirë shqiptar kah realizimit të kësaj kauze”. Ky libër, qoftë kontributi im modest për këtë çadër.

Artikulli paraprakRama e Veliaj presin shiritat e projektit-Basha me Pazarin e Ri
Artikulli tjetërFarsa e inaugurimit të Pazarit të Ri