Nisin hetimet për 7 kg heroinën e kapur në Bari

7 kg heroinë të kapura dy ditë më parë nga policia italiane në Portin e Barit, ndërsa transportoheshin nga një shqiptar me inicialet A. T., kanë nxitur hetime në të dyja palët. Burime pranë grupit hetimor thanë se automjeti është skanuar në dalje nga Porti i Durrësit, por lënda narkotike nuk është mundur të zbulohet. Një fakt i tillë është pohuar për “Televizionin Klan” nga burime të Policisë së Shtetit.
Në lidhje me rastin, autoritetet policore shqiptare dhe Prokuroria pritet të komunikojnë me kolegët e tyre italianë për të sqaruar rrethanat e kalimit të lëndës narkotike nga Shqipëria nëpërmjet portit të vendit tonë. Gjatë intervistimit, i arrestuari iu ka pohuar hetuesve të policisë italiane se e kishte siguruar drogën në qytetin e Elbasanit, ndërsa nuk jepen detaje të mëtejshme në lidhje me hetimin.
Droga është gjetur në një automjet “Volksëagen”, i cili ishte nisur nga Durrësi në orën 23:00 të së dielës me tragetin Durrës-Bari. Automjeti ka kaluar pikat e kontrollit në Portin e Durrësit dhe është imbarkuar në traget, por në mëngjes droga është zbuluar gjatë kontrollit nga policia italiane. Autoritetet italiane kanë dërguar informacionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke kërkuar edhe hetim për rastin e trafikut, lidhur me vendin e origjinës së drogës, shoferin e automjetit ku është gjetur heroina dhe lidhjet e mundshme të tij. Autoritetet italiane kanë kërkuar gjithashtu zbardhjen e tabulateve telefonike të shoferit që rezulton nga Elbasani, por emri i tij nuk bëhet i ditur. Kjo, për të zbuluar personat me të cilët ka komunikuar si dhe itinerarin që ka ndjekur.
Sasia e mësipërme e lëndës narkotike është e para që kapet nga policia italiane, pas arrestimeve të kryera nga Prokuroria shqiptare në Portin e Durrësit. Këto arrestime u kryen pas konfirmimit të faktit se nga Porti i Durrësit kaloi një kamion me 8 tonë drogë që vinte nga Shqipëria.

Artikulli paraprakPërgjaket Vlora, vritet drejtori i OSHEE dhe pronari i televizionit
Artikulli tjetërSekuestrohet furgoni me 1 ton drogë në Vlorë