Nishani: Prioriteti i politikës duhet të jetë anëtarësimi në BE

Presidenti Bujar Nishani mori pjesë dje në takimin e radhës së liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, me ftesë dhe nën kujdesin e Presidentit slloven, Barut Pahor e të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitoaroviç, ku krahas presidentëve të Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, Kosovës dhe bashkëkryetarit të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, ishte i pranishëm si i ftuar nderi Presidenti Federal i Republikës së Gjermanisë, Frank-Walter Steimeier. Liderët e Procesit të Brdo-Brijunit me konsensus të plotë miratuan konkluzionet e Samitit, ku thelbi qëndron në nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe shmangien e retorikave nacionaliste dhe imflamatore. Gjithashtu, kërkohet nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare që të vlerësojnë kuadrin aktual të aderimit në Bashkimin Evropian dhe japin një perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE. “Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë takimi i përbashkët në kuadër të procesit të Brdo-Brijunit, një nismë që e kam çmuar që herët si një dritare të vërtetë mundësie për të diskutuar hapur mbi çështjet më të mprehta që na shqetësojnë apo bashkojnë kohë pas kohe. Këto kohë ka patur zhvillime vërtet intensive në secilin prej vendeve tona, si dhe në arkitekturën politikëbërëse europiane dhe ndërkombëtare. Në këto rrethana, ne duhet të vlerësojmë me realizëm çfarë rreziqesh kanosen, çfarë gjendet në vullnetin dhe fuqinë tonë për të vepruar dhe çfarë ndihme kërkojmë. Sa i përket Shqipërisë, ajo që mund të them me bindje të plotë është se ne kemi vullnetin dhe vendosmërinë e palëkundur të ecim në trajektoren europiane dhe euroatlantike. Ndërkohë që marrëdhënia jonë me NATO-n është mëse e konsoliduar, marrëdhënia jonë me Bashkimin Europian është në proces. Dhe në këtë proces besoj se janë dy, elementët thelbësorë që na lidhin: sentimenti dhe kontrata. Sa i përket sentimentit shqiptarët janë vendosmërisht të orientuar drejt BE-së duke e parë atë si destinacionin tonë krejt të natyrshëm. Ne jemi përcaktuar pakeuivok për këtë alternativë, si të vetmen dhe më të mirën. Ne presim padyshim ndërsjelltësi, që edhe BE të vazhdojë ta shohë Shqipërinë si një anëtare potenciale të natyrshme për t’iu bashkuar familjes europiane. Ky takim, të tjera të zhvilluara më herët dhe Samiti i ardhshëm i Triestes na bëjnë optimistë se edhe Bashkimi Europian e konsideron Shqipërinë dhe të gjithë rajonin pjesë të pandashme të saj. Ndërkohë elementi i dytë, ai kontraktual është pak më kompleks, pasi kërkon angazhim konkret të palëve në të gjitha rrafshet dhe respektimin e shenjtërisë së kontratës. Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë lart në axhendën e BE-së, veçanërisht sa i përket angazhimit politik, ekonomik dhe social. Po kështu, edhe mekanizmat monitorues të respektimit të ndërsjelltë të kontratës duhet të jenë më aktivë, të besueshëm dhe efikasë. Mendoj se këto mekanizma duhet të rivitalizohen me synimin që të prodhojnë rezultate të prekshme për qytetarët. Idetë dhe instrumentet e reja që po propozohen përmes Procesit të Berlinit mendoj se duhet t’i shërbejnë përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendeve tona, duke shmangur qoftë edhe çdo nuancë që do të sugjeronte një marrëdhënie tjetër alternative ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Jemi po aq të vetëdijshëm se vetëm orientimi euroatlantik dhe evropian i vendeve të rajonit dhe vijimi me vendosmëri i rrugës së reformave të thella të brendshme, do të mund ta shkëpusë rajonin e Ballkanit nga e kaluara konfliktuale, për ta çliruar atë nga metafora e ‘fuçisë së barutit’. Përfitoj nga kjo mundësi që të ritheksoj mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe e të pakursyer që vendi juaj President Steimeier dhe BE në tërësi, u keni dhënë procesit të integrimit evropian të vendit tim. Ne do të bëjmë çdo përpjekje, për sa na takon, për të hapur negociatat e anëtarësimit sa më parë të jetë e mundur. Nga ana tjetër, ju siguroj të nderuar kolegë se Shqipëria dëshiron të bashkëjetojë e të njohë një rajon në paqe, që zhvillohet e integrohet brenda familjes europiane dhe euroatlantike, por dhe brenda vetes. Ne i mbështesim të gjitha përpjekjet për të shkuar në këtë drejtim. Ne gjendemi në një rajon që nuk është ende gati të përballet me të shkuarën e tij, por është plotësisht në gjendje të përballet me të tashmen dhe të vendosë për të ardhmen e tij. Kam bindjen e thellë se aspirata e përbashkët për zgjerimin e kufirit të BE-së dhe NATO-s brenda Ballkanit Perëndimor përbën motorin e zhvillimit, të paqes, sigurisë dhe stabilitetit për ne, për të tashmen dhe të ardhmen e përbashkët”.

Artikulli paraprakZgjedhjet, shkarkohen dhe kallëzohen penalisht 8 zyrtarë
Artikulli tjetërMinistri i Drejtësisë kërkon shkarkimin e sekretares së Përgjithshme